Kulturë

Fejzo – regjisori i margaritarëve të kinematografisë shqiptare

 Me 14 filma artistikë në bagazhin e tij, ai do të shquhej si një ndër regjisorët më prodhimtarë. E në mesin e tyre edhe ata që u shndërruan në filma kult, si “Mësonjëtorja” e “Kapedani”. “Muharrem Fejzo, regjisori, skenaristi e piktori, na la pas një pasuri të jashtëzakonshme që do t’u flasë brezave. Lamtumirë mjeshtër”, ka thënë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti

Prishtinë, 22 nëntor – Muharrem Fejzo është një prej emrave më përfaqësues të kinematografisë shqiptare të shekullit të kaluar. Përtej ideologjisë bardhezi të realizmit socialist dhe xhirimeve që bëheshin vetëm dyngjyrëshe, Fejzo, nëpërmjet filmave, arrinte që sadopak të paraqiste edhe ngjyra të tjera për shqiptarët.

Regjisori me nam vdiq paraditen e së dielës, pas përballjes me koronavirusin. Ai ishte 87 vjeç. Midis kolegësh u vlerësua edhe si gjerdan i kinematografisë shqiptare. Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë i biri, Joe Fejzo.

“Lamtumirë babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot, e s’të dhashë dot një gotë ujë, nuk meriton një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës”, ka njoftuar ai.

I lindur në Kolonjë më 24 maj 1933, Fejzo si i ri do ta niste rrugën e artit duke shërbyer si sufler në atë që ishte Teatri Popullor në Tiranë. Si student i degës së Aktrimit në Universitetin e Tiranës, do të punonte edhe si grimer në disa filma. Për një kohë shteti monist e kishte emëruar drejtor të Shtëpisë së Kulturës në qytetin verior Kukës. Por, Fejzo kishte të tjera ambicie.

Përpara se të realizonte filmin e tij të parë “Montatorja” më 1970, ai punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë: “Prita” të Mit’hat Fagut dhe “Njësiti Guerril” të Hysen Hakanit. Në vitin 1972, Muharrem Fejzo së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi realizuan filmin “Kapedani”, komedinë e cila edhe sot e kësaj dite vazhdon të kujtohet nëpërmjet batutave që përdoren edhe në përditshmëri. Si regjisor shquhet edhe për filmat “Operacioni zjarri” (1973) dhe “Mësonjëtorja” (1979). Filmi i tij i fundit është “Muri i gjallë”, i realizuar më 1989. Në kohën kur Fejzo bënte regji filmi, Shqipëria ishte një prej vendeve me diktaturën më të ashpër. Kupola udhëheqëse artin e konsideronte si një prej mjeteve më të rëndësishme për të bërë propagandë. Andaj edhe Fejzo duhej të përshtatej. I kishte rënë shpesh që ta lidhte gjuhën. Por, ato që nuk ia nxirrte goja dikur shkaku i frikës nga pushteti i tha shumë vite më vonë. Më 2015 botoi librin “Të pathënat”, që mund të konsiderohet ditar i një regjisori në kohë të vështira.

“Libri është i bazuar te blloqet që unë mbaja në atë kohë, me një shkrim tepër të imët që mos të ma lexonin të tjerët, dhe çdo film ka një bllok të tij. Në ato blloqe janë shënuar të gjitha emocionet, vështirësitë e xhirimeve, marrëdhëniet me aktorët dhe grupin e xhirimit, mungesat që ishin atë kohë që për të krijuar erën e re ne duhet të merrnin dhe një helikë”, kishte thënë ai në promovimin e librit. Kishte rrëfyer se përmes këtyre blloqeve është shtjelluar i gjithë libri. Fejzo, që ishte vlerësuar me dekoratën “Mjeshtër i madh”, pas pensionimit nisi të merret me hobin e tij pikturën.

Të dielën, pasi është dhënë kumti për vdekjen e Fejzos, ai është vlerësuar lart nga miq e kolegë.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, duke iu referuar titullit të filmit nën regji të tij, ka thënë se “Kapedani’ i filmit shqiptar u shua sot”. “Muharrem Fejzo, regjisori, skenaristi e piktori, na la pas një pasuri të jashtëzakonshme që do t’u flasë brezave. Lamtumirë mjeshtër”, ka thënë ministrja Margariti.

Aktori i njohur Reshat Arbana ka thënë se vdekja e Fejzos është lajm i trishtë për artin.

“U shkëput një gjerdan i kinemasë shqiptare. Me Muharremin kam luajtur te ‘Fijet që priten’. Ngushëllime familjes dhe të gjithë miqve të tij. Fejzo ishte një prej regjisoreve më të mirë shqiptarë. Ka qenë një prej miqve të mi më të mirë”, ka thënë Arbana.

Aktori Robert Ndrenika ka kujtuar se e ka njohur Fejzon qysh si fëmijë. Ka thënë se kur e shihte duke luajtur në teatër e kishte zili.

“Me Fejzon kam qenë te filmi ‘Kapedani’. Kujtoj me respekt punën me Muharrem Fejzon. Punova me Fejzon edhe te ‘Fije që priten’. Humbja e Fejzos, humbje për artin. U shpreh ngushëllime familjarëve të Fejzos”, ka thënë ai.

Kolegu i Arbanës, Mevlan Shanaj, ka thënë se të dielën ekranit shqiptar i ka ikur një burrë i pashëm e mendjehapur. Ai ka thënë se gjatë gushtit ia ka dhuruar edhe kompozicionin e portretit.

“Emër i pasur me vepra. Njeri i ditur, mik i pastër, sqimatar. Iku një njeri që mbillte fisnikëri, buzëqeshja ishte pronë e tij. Lamtumirë Leme, kur të kam njohur luaje në kitarë, i veshur bukur. Ashtu ke mbetur për mua. Mik i miqësisë së qeshur”, ka shkruar Shanaj në Facebook.

Skenaristja Natasha Lako, e cila ndër të tjerash ka shkruar edhe skenarin e filmit kult “Mësonjtorja”, ka thënë se Fezjo ishte një karakter i jashtëzakonshëm, i mbushur plot humor deri në fund, si dhe i padorëzueshëm lehtë. “Filmat e tij tregojnë një punë gjigante. Davidin që matet me Goliatin. Dhe filmi i tij jeton së bashku me ngjasjen e hidhët të vdekjes së Sandër Prosit gjatë xhirimeve të një filmi mbi një pranverë të hidhur”, ka shkruar ndër të tjerash Lako. Sipas kritikës, Muharrem Fejzo ia doli ta shënonte emrin e tij të nderuar në kinemanë shqiptare, nëpërmjet veprës dhe trashëgimisë kinematografike që la pas.