Kulturë

Fatet njerëzore e historitë e trishta nga e kaluara në kategorinë “National”

DokuFest - National - How to survive?

Nën temën “How to Survive?” janë dhënë filmat e shkurtër që flasin, ndër të tjera, edhe për moskujdesin e njeriut ndaj natyrës. Përveç filmave, Platoja e “Doku Kinos” ka qenë edhe vendtakim me regjisorët e njohje më e thellë e filmave, ku tregohet në esencë filozofia e përcjelljes së mesazhit

Minutazhi i ndarë për filmat e shkurtër vendorë ka sjellë katër projekte kinematografike. “A Pigeon’s Song”, “Koagulim”, “The Middle Road” dhe “What is Cinema?” sjellin rrëfimin për ditarët e së kaluarës, familjet tradicionale, rrëfim për artistët jashtë skenës e funksionimin e filmit pa aktor.

Në flladin e mbrëmjes janë shfaqur filmat nga Kosova e Shqipëria. Platoja e “Doku Kino” ka mbledhur publikun për të parë filmat e metrazhit të shkurtër. Përveç filmave, ka qenë edhe vendtakim me regjisorët e njohje më e thellë e filmave, ku tregohet në esencë filozofia e përcjelljes së mesazhit. Publiku ka mbushur karriget e drejtuara kah ekrani i madh i “DokuFestit”. Fiks në kohë, siç ndodh në shfaqjen e filmave në kuadër të Festivalit, në orën 20:00 është paralajmëruar filmi i parë.

Nën temën “How to Survive?” janë dhënë filmat e shkurtër që flasin edhe për moskujdesin e njeriut ndaj natyrës.

Mëdyshja për të kaluarën

Regjisori në filmin “A Pigeon’s Song” është edhe narrator. Ai lexon ditarin e burgut të stërgjyshit të tij ku një pëllumb e shoqëron çdo ditë në udhëtimin e tij drejt lirisë. E vizitonte kur lexonte e luante. Narratori përshkruan të dashurën e gjyshit të tij përmes një fotografie. Sytë e saj, shtatin e flokët, i sjell edhe me pamjet e grave e burrave të të gjitha moshave, por edhe të maceve.

Citon pëllumbin që në fakt është fiktiv. Zërat e pëllumbit dëgjohen në sfond. Madje edhe ditari i gjyshit të tij të cilin e citon në rrëfimin për të dashurën e gjyshit të tij, Luizën, është trillim. Nuk ka as fotografi të saj, si rrjedhojë edhe përshkrimi për të është imagjinar.

Shfaqen fotografi të njerëzve me fytyra të mbuluara. Është si përhumbje mes rrëfimit që kontradiktohet me vetveten. Fotografitë digjen, e pamjet që u shfaqën ne fillim turbullohen. Krejt në fund, autori që është edhe regjisor edhe narrator, shpreh dhimbjen për dashurinë e gjyshit të tij dhe Luizës, që nuk patën kurrë një fotografi të njëri-tjetrit. Rrëfimi përmbyset prapë kur vije në përfundim se ka një fotografi të Luizës, e cila e kishte dërguar atë me mbishkrimin se është vendosur në Australi pranë motrës së saj.

Regjisori Eneos Çarka ka thënë se në film ka dashur ta rrëfejë narrativën disa herë pasi nuk kishin informacion të mjaftueshëm për stërgjyshin e tij. Historia ishte trashëguar nga gjyshërit e tij dhe të dy ata thoshin gjëra të ndryshme dhe ai ka përfshirë rrëfimin e dy palëve në film. “Pëllumbi është ekziston dhe edhe pse ditari ishte fiktiv. Pëllumbi ekziston pasi ne kemi fotografinë e stërgjyshes time. Ka tejkaluar kohe dhe ka ardhur te me tregoje historinë time. E gjitha është trashëguar nga dy persona: gjyshi dhe gjyshja. Të dy më thoshin gjëra të ndryshme, kështu u vazhdua si e pashë unë dhe si e ndjeja, me aq sa dija dhe me aq sa imagjinoja”, ka thënë Çaka para publikut në Platonë e “DokuKino”.

Kufizimet në gjini

Filmi “Koagulim” zhvillohet në kohën e pasluftës, kur Shendi, një nëntë vjeçar dhe nëna e tij udhëtojnë 12-orë për “t’i gjetur rrënjët e tyre”. Shpërfaqet lodhja e nënës, rolin e së cilës e luan aktorja kosovare, Adriana Matoshi. Shendi nuk duhet të hajë e as të pijë derisa nëna përkujdeset gjithë natën ta vë në gjumë e ta ruaj atë.

Udhëtimi 12-orësh për në spital rezulton edhe me takimin me babait për herë të parë në jetën e Shendit edhe atë në spital. Për të është si njeri i huaj. Dritoni, babai i Shendit nuk di asgjë për të, as Shendi për Dritonin, ani pse ky i fundit e ka ditur se ka një djalë dhe një grua. Takimi i tyre nuk është si i çdo fëmije me prindin. Ai sillet ftohtë me të dhe e kundërshton të birin në ushqimin e pëllumbave. I rekomandon lojëra që për të mund të jenë të rrezikshme. Shendi ushtron karate dhe vallëzim, që një baba tradicional si Dritoni që madje as nuk përqafon fëmijën e tij, do ta kundërshtonte pa menduar.

Filmi është dhënë premierë të hënën mbrëma derisa i pranishëm ka qenë regjisori i filmit, Noar Sahiti. Ka thënë se filmi është autobiografik dhe sjell një histori të vitit 2000. “Filmi është modifikuar për t’u përshtatur në filmin e metrazhit të shkurtër. Konteksti dhe definicioni te familjet tona kuptohet më ndryshe dhe si rrjedhojë edhe pasojat për çdo strukturë familjare në Kosovë mund të jetë më ndryshe. Ajo ndodh edhe sot kur rolet gjinore janë të përkufizuara në mënyrë strikte”, ka thënë Sahiti derisa është shprehur se në shoqërinë tonë, karate dhe vallëzimi kanë qenë të kufizuara në gjini.

Përtej shfaqjes në skenë

Filmi i tretë i shfaqur me radhë ka qenë “The Middle Road”. Shfaq jetën e një balerine në përditshmërinë e sa përtej asaj që shohim në performancën e saj në skenë teatri. Rosella është artiste italiano-shqiptare e cila reflekton në të shkuarën , të tashmen dhe të ardhmen në mes të një epoke të ngrirë të krizës së identitetit më të madh se të saj.

Në fjalët e para të saj, thotë se nuk ndjehet e pavlerësuar si artiste, por se ndjehet si alien. Kamera e ndjek që nga ora 08:00 deri në 22:00. Rrëfimi vjen edhe në gjuhën italiane. Babai i saj është italian ndërsa nëna shqiptare. I gjithë filmi vjen si rrëfim personal i Roselles. Ajo flet edhe për mendimet e saj madje. Jeton me nënën e saj dhe thotë se duhet të jetë e pavarur tani, të jetojë vetëm.

“Fillimisht ideja bazë ka qenë të bëhet dokumentar për një balerinë, pastaj është bërë një strukturë si arkitekturë e skenave dhe në bazë të saj kemi ndjekur hap pas hapi rutinën e saj. Më ka interesuar më shumë pasi shohim se ato performojnë në skenë, por më ka interesuar edhe ajo se çfarë ka brenda shtëpisë së saj”, ka thënë regjisori i filmit, Ardit Muhaxhiri. Ka treguar se ka xhiruar për një ditë të plotë pa pushim. Xhirimet ishin zhvilluar edhe gjatë ditëve të tjera por që “janë përdorur shumë pak”.

Një film pa protagonist

“What is Cinema?”, ka qenë filmi i fundit i shfaqur në mesin e katër filmave të metrazhit të shkurtër. Pyetjet se “çfarë është kinemaja?” parashtrohen shpeshherë e në gjuhët shqip, anglisht dhe frëngjisht. Aktorët në film nuk gjejnë përgjigjen se çfarë është kinemaja për ta. Filmi nuk ka as protagonist. Kur një aktor e lë projektin para produksionit, regjisori përpiqet ta mbarojë filmin e tij pa protagonist. Në të njëjtën kohë ai mediton për natyrën e kinemasë.

Skenat e filmit zhvillohen në shesh xhirim të një filmi. Ndërkohë, lexohen shënime për dëmet dhe pasojat nga ngrohja globale e ndotja. Prapaskenat e xhirimeve të filmit flasin po ashtu për ironinë e njeriut kur anashkalojnë të ardhmen duke u shprehur se pasojat shfaqen kur ata nuk do të ekzistojnë.

Bashkë me pyetjen për kinemanë, pason pyetja tjetër në të tri gjuhët: pse je i mërzitur? Prapavijë e pyetjes janë vërshimet masive, testimi i raketave bërthamore e djegiet e pyjeve.

Regjisori i filmit “What is Cinema?”, Donart Zymberi, është shprehur se nganjëherë nuk duhet strukturë dramaturgjike pasi dokumentari funksionon në mënyrë spontane. “Filmi zanafillën e ka në dështimin e një projekti, me mungesën e aktorit. Këtë problem kam dashur ta paraqes dhe në atë doktrinë e kam paraqitur filmin. “Çka është Kinemaja” është një qasje cinike për shkak se ngjarjet e kanë sjellë deri aty, për mua të paktën”, ka thënë Zymberi.

Katër filmat e shfaqur mbrëmjen e së hënës në Platonë e “Doku Kino” janë në garë për filmin më të mirë të shkurtër në kategorinë “National”.