Ramize Selmani ka ndezur zjarrin disa orë para se të fillojë edicioni i nëntë i festivalit “Etno Fest”.
Rreth orës 19:30, kur drejtori i këtij festivali, Fadil Hysaj, ka marrë fjalën duke nisur me “Mirë se ju ka pru Zoti, shtëpia është e juaja”, Selmani së bashku me Sabrije Hysenin kanë përfunduar katër flija, shkruan sot “Koha Ditore”. Të njëjtat janë ngrënë nga të pranishmit shoqëruar me djathë shtëpie, e nga disa edhe me birra.
Mysafirët ishin shpërndarë nëpër hapësirat e “Etno Festit”, dikush brenda në shtëpi, të tjerë te muzeu, disa ulur në tavolina pranë zjarrit ku qëndronte Selmani e të tjerë kishin zënë vend në “Chill zone” të ulur mbi qilima të vjetër e mbi lëkura të deleve, nën një pemë të madhe.
Nën platformë e kësaj zonë relaksuese, tek e njëjta pemë “10 Shqiponjat e Tërbaçit” ushtronin këngët që do të këndonin në hapjen e Festivalit të martën mbrëma në fshatin që nga kryeqyteti shkohet nëpërmjet rrugës për në Gjilan. Pavarësisht hapësirave ku ndodheshin, të gjithë e kishin të përbashkët tradicionalen. Ashtu siç ka thënë edhe Fadil Hysaj, “Këtu marrim frymë me të kaluarën”.
Në kohën kur Hysaj ka përfunduar fjalimin e tij, Ramize Selmani i ka hedhur një shikim çerepit mbi prush mbi të cilin më vonë ka pjekur edhe bukën. Ndërsa në Muzeun Etnografik, hapja e të cilit shënoi edhe aktivitetin e parë të këtij edicioni, Durim Ademaj nga Shtimja u ka treguar të pranishmëve detaje rreth objekteve që ai ka koleksionuar e që do të ekspozohen në Muze.
“Unë ju kam thënë vajzave të mia është më mirë nëse mësojnë dhe nëse merren me shkollë”, ka thënë Selmani. E sipas Shpresa Çelës pjesë e etno grupit polifonik të grave “10 Shqiponjat e Tërbaçit” nga Himara e Shqipërisë, ruajtja e traditës duhet që të përcjellët që ne vegjëli.
Ajo së bashku Fatmir Makollin dhe Duruntina Rexhepin sollën disa këngë për mysafirët e festivalit si “Fërfëlloj fëllënza n’ujë”, “Oj zogo jelek me vija” e “Na çeli prapë thana”.
Rreth 30 kilometra nga Prishtina, në gati një mijë metra lartësi mbidetare, fshati Kukaj, kohë më parë ishte braktisur nga banorët. Nga një fshat me 20 shtëpi ai kishte mbetur me pak të tilla.
Në kuadër të Festivalit në ditën e parë u mbajtën edhe disa aktivitete të tjera si ekspozita e Besnik Xhemailit, ajo e Shqipe Kamberit, “Njerëzit” e Agron Blakqorit, “Pasword” e Artan Hasanit, “Shiu i zi” me skulptura të Malsor Bejtës, ekspozita e mozaikut e Fatos Kabashit, ekspozita fotografike e shtëpive dhe kullave të vjetra shqiptare nga Rexhep Rifati, e aktivitet të tjera.
Edicioni i nëntë i festivalit “Etno Fest” do të zgjasë deri më 25 gusht.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)