Kulturë

“Ëndrra e një nate vere” mbyll edicionin e parë të “Prizrenfest”

Vështirësitë që janë krijuar nga erërat, në platenë e “Dokukinos”, janë kapërcyer me lehtësi nga aktorët me përvojë të teatrit të Durrësit, të cilët me energjinë e harenë e tyre kanë futur publikun në magjinë e skenave të ndryshme të komedisë “Ëndrra e një nate vere”. Kjo shfaqje ka mbyllur edicionin e parë të “Prizrenfest”, i cili nga organizatorët është vlerësuar si i suksesshëm bazuar në interesimin e publikut

Komedia “Ëndrra e një nate vere” e autorit William Shakespeare, nën regji të Driada Dervishit, e realizuar nga trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu” nga Durrësi ka mbyllur edicionin e parë të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur – “Prizrenfest”. Vështirësitë për skenën që janë krijuar nga erërat, në platenë e “Dokukinos”, janë kapërcyer me lehtësi nga aktorët me përvojë, të cilët me energjinë e harenë e tyre kanë futur publikun në magjinë e skenave të ndryshme. E tërë shfaqja ka ofruar teatër brenda teatrit, me një botë ku ëndrra bëhet zhgjëndërr teksa zhvillohet në kufijtë mes reales dhe fantazisë.

Kësisoj janë shpalosur tri ngjarjet: përpjekjet dhe përvojat e dy çifteve të dashuruar në një pyll të magjepsur, bota e Mbretit dhe Mbretëreshës së zanave, si dhe një grup zejtarësh amatorë të rëndomtë që përpiqen të vënë në skenë një pjesë të quajtur “Pirami dhe Tisba” për nder të dasmës së Dukës së Athinës. Sipas përshkrimit të dhënë nga organizatorët e festivalit, ky trillim fantastik shekspirian i ndërthurur me elementet e jetës së përditshme dhe një kostumografi e skenografi që sjell botën magjike të zanave dhe situatave plot humor, fton publikun që të reflektojë dhe të shijojë jetën për t’u larguar qoftë dhe për pak nga përditshmëria.

Image
Nëpërmjet fantazisë, shfaqja paraqet bekimet e natyrës për njerëzimin dhe martesën.

Vetë shfaqja është konceptuar dhe është vënë në skenë enkas për një ambient të hapur, me premierën e jetësuar në skenën e hapur të Amfiteatrit Antik në Durrës, me ç’rast teatri i këtij qyteti konsideron se komedia përmbush ëndrrën e çdo artisti për të interpretuar nën yje, jashtë skenës statike të teatrit, por dhe të artdashësve të cilët duan të shijojnë magjinë e një nate vere nën pushtetin e artit, hënës dhe antikitetit.

“Ëndrra e një nate vere”, nëpërmjet fantazisë paraqet bekimet e natyrës për njerëzimin dhe martesën.

Shpalosja e kësaj komedie para publikut në Prizren, në një festival teatri, për regjisoren Driada Dervishi është një emocion i dyfishtë, meqë mundëson njohjen e ndërsjellë.

“Për ne çdo festival teatri, unë e quaj si një festë të bukur që i referohet teatrit, një festë të bukur që e bën teatrin që të vazhdojë misionin e tij, të ndiqet, të provokojë, të emocionojë, dhe është emocion i dyfishtë që ne luajmë në Prizren, është hera jonë e parë. Duke qenë një trupë që në fakt kemi lëvizur jo pak, gjithsesi pjesa e Kosovës po themi mbetet akoma e parrahur aq sa duhet”, ka thënë Dervishi. “Prizrenfestin” e ka cilësuar ogur të mirë që ky festival të ndikojë për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin, për të njohur shfaqje të ndryshme nga bota, por për të njohur edhe njëri-tjetrin, aktorët shqiptarë publikun vendor edhe gjithashtu publiku t’i njohë aktorët shqiptarë.

“Besoj se kjo është një mundësi shumë e mirë, ashtu siç është edhe një mundësi shumë e mirë që shfaqjet të mos vdesin brenda kufijve të Shqipërisë apo të Kosovës, por të vijojnë, sepse në fund e gjitha është një botë e madhe dhe gjithë bota është një skenë e madhe ashtu siç thotë dhe vetë Shekespearei”, ka thënë ajo.

Image
Shfaqja e fton publikun që të reflektojë dhe të shijojë jetën për t’u larguar qoftë dhe për pak nga përditshmëria

Erërat që kanë dominuar përgjatë gjithë natës, përkundër disa vështirësive teknike, sipas saj, nuk kanë ndikuar në cilësinë e shfaqjes, marrë për bazë edhe reagimin pozitiv të publikut.

“Duke pasur parasysh duartrokitjet dhe buzëqeshjet, besoj që ka ardhur ëndrra, është përcjellë dhe besoj shumë që sot të gjithë të kenë diçka për të ëndërruar”, ka thënë Dervishi.

Para fillimit të shfaqjes është realizuar ceremonia e mbylljes së edicionit të parë të festivalit. Njëri prej bashkëthemeluesve të “Prizrenfestit”, Adrian Morina, ka vlerësuar se ky edicion ka qenë i suksesshëm, me shfaqje të shumta teatrore e program përcjellës, që sipas tij kanë zgjuar interesimin e publikut.

“I kemi pasur sallat e mbushura për natë përgjatë gjithë programit të festivalit që e kemi pasur”, ka thënë Morina.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, nën patronazhin e të cilit është realizuar ky edicion, ka vlerësuar angazhimin e organizatorëve dhe akterëve të tjerë për jetësimin e një festivali që pasuron jetën kulturore të qytetit të vjetër.

“E kam përkrahur një ide, një koncept i cili në ndërkohë u tregua që ia ka vlejtur gjithsesi edhe jam shumë i sigurt që do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, veçse do të zgjerohet, do të jetë më kreativ, më i bukur, edhe më i sigurt, edhe Prizrenit do t'ia shtojë edhe një komponentë tjetër të jetës kulturore, sepse Prizreni e ka këtë kualitet, por ne duhet ta begatojmë, duhet ta zgjerojmë dhe do ta bëjmë këtë”, ka thënë ai.

Në kuadër të edicionit të parë të “Prizrenfestit” janë paraqitur 9 shfaqje teatrale nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Rumania dhe Italia, në ambiente të hapura. Ndërsa në kuadër të programit plotësues janë realizuar edhe dy punëtori, një performancë, një konferencë dhe një ekspozitë.