Kulturë

Elliott Erwitt – fotografi i jetës amerikane, politikës dhe yjeve

Fotografi i lindur në Francë, Elliott Erwitt, me aparatin e tij mund të ngrinte momente në histori, por ai kishte një sy edhe për humorin dhe absurditetin e përditshmërisë. Qentë ishin një ndihmë e madhe për këtë

Elliott Erwitt – i cili vdiq të enjten në shtëpinë e tij në Manhattan në moshën 95-vjeçare – ishte fotografi i jetës amerikane, historisë politike dhe yjeve. Ka qenë vajza tij Sasha që e konfirmoi lajmin për gazetën, “New York Times”.

Gjatë një karriere jashtëzakonisht të larmishme që shtrihet në më shumë se shumë se 70 vjet, Erwitt arriti të vinte në fokus me fotoaparatin e tij shumë imazhe të famshme, duke filluar nga ish-zonja e parë, Jacqueline Kennedy, e cila shfaqet e pikëlluar teksa shtrëngon në duar flamurin nga arkivoli i bashkëshortit, presidentit John F. Kennedy, në funeralin e tij në varrezat kombëtare të Arlingtonit më 1963, e deri te aktoret magjepsëse e sensuale të Hollywoodit, Marilyn Monroe dhe Marlene Dietrich.

Ndonëse në fillimet e tij ishte fotoreporter, Erwitt gjatë jetës botoi më shumë se 20 libra dhe hapi ekspozita të shumta personale në institucione të tilla si, Muzeu i Artit Modern në New York, Instituti i Artit i Chicagos, Muzeu i Artit Modern në Paris dhe qendra “Barbican” në Londër.

Shquhej për fotografitë e mprehta të qenve, shpesh nga këndvështrimi i tyre, të botuara në libra me tituj si: “Son of Bitch”, “To the Dogs” dhe “Woof”.

“Unë bëj foto të qenve sepse më pëlqejnë, sepse ata nuk kundërshtojnë të fotografohen dhe nuk kërkojnë kopje të fotografive”, kishte deklaruar Erwitt në një intervistë.

Erwitt, i cili kishte një këndvështrim komik për jetën, nuk u specializua kurrë dhe punoi si profesionist i pavarur gjatë gjithë jetës së tij, duke u angazhuar me punë në fushën e modës, politikës dhe si fotograf i personaliteteve të famshme. Një nga imazhet e tij më të njohura është ai i zëvendëspresidentit të asaj kohe, Richard Nixon, që godet në gjoks kryeministrin sovjetik, Nikita Hrushov, gjatë hapjes së Ekspozitës Kombëtare Amerikane në parkun Sokolniki në Moskë më 1959-n.

Disa prej veprave të tij më të njohura erdhën nga eksplorimi i New Yorkut, ku ai jetoi për 60 vjet. Erwitt e fotografoi qytetin me një ndjenjë aventure dhe spontaniteti, duke jetuar sipas shprehjes së tij të famshme: “Gjërat më të mira ndodhin kur gjendesh diku me një aparat fotografik”.

Erwitt punoi edhe në moshë të shtyrë dhe ishte gjithnjë praktik për artin e tij. “Fotografia është mjaft e thjeshtë. Ti vetëm reagon ndaj asaj që e sheh dhe realizon shumë foto”, kishte thënë për “The Guardian” në vitin 2020, kur ishte 92-vjeçar dhe sapo kishte realizuar një projekt të ri ku ishte përdorur një nga fotot e tij të famshme bardhezi, të një palë doreza plastike të varura në një litar rrobash, si pjesë e një fushate ndërgjegjësuese për pajisjet mbrojtëse për punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Elliott Erwitt, (i lindur me emrin Elio Romano Ervitz), u lind më 26 korrik 1928 në Paris. Prindërit e tij ishin Boris, një hebre ortodoks rus dhe Eugenia (Trepel) Erwitt. Që të dy ishin larguar nga Rusia për në Francë pas revolucionit të vitit 1917. Familja lëvizte shpesh – fillimisht në Itali, pastaj përsëri në Francë – kur regjimi i Musolinit u bë i patolerueshëm dhe në vitin 1939, vetëm disa ditë para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, ata u zhvendosën në Shtetet e Bashkuara.

Boris merrej me tregti dhe më 1941-tën e mori djalin e tij, i cili tashmë e kishte amerikanizuar emrin në Elliott Erwitt, nga New Yorku në Los Angeles. Atje Erwitt filloi ta zhvillonte interesimin për fotografi. Nisi të fotografonte në moshën 16-vjeçare me një aparat antik me pjatë qelqi, më pas u modernizua në një “Rolleiflex”.

Pasi mbaroi shkollën e mesme në Hollywood, studioi fotografinë në kolegjin e Los Angelesit dhe filloi të punonte në këtë profesion. Më 1949, Erwitt u kthye në New York ku e nisi karrierën profesionale, përpara se t’i vinte ftesa për të shërbyer në ushtri në vitin 1951. Ndërsa ishte i stacionuar me një njësi të Korpusit të Ushtrisë në Francë, ai e realizoi një fotografi të ushtarëve teksa kalonin kohë në kazermë, gjë që sipas tij, ia ndryshoi jetën. Fotoja e fitoi një konkurs të revistës “Life”, e cila e publikoi atë dhe Elliottit ia fitoi një çek prej 2500 dollarësh.

Erwitt qe martuar dhe shkurorëzuar katër herë, me Lucienne Van Kan nga viti 1953 deri më 1960, Diana Dann 1967-1974, Susan Ringo 1977-1984 dhe Pia Frankenberg nga viti 1998 deri më 2012. Ka lënë pas gjashtë fëmijë. Dhe një thesar fotografish.

Marrë nga “The Guardian” dhe “The New York Times”. Përktheu: Edona Binaku