Kulturë

“Ekspozitë që nuk mbyllet kurrë!” pafundësisht në mbrojtje të grave

Një fenomen që s’i shihet kund fundi vjen si kontrapunkt në koncept e në titull. “Ekspozita që nuk mbyllet kurrë!” kërkon të kundërtën. Fundin e vet, e bashkë me të edhe fundin e femicidit dhe dhunës ndaj grave. Denoncon raste dhe përjashton estetikën në art. Saranda Sadikaj e njohur si Ms. Indefinite e përcakton qartazi temën dhe ajo është realiteti  

Që në hyrje të galerisë “Paper” hedhur në dysheme janë zinxhirë të çeliktë e flokë të thurur gërshetë. Tregojnë rrugën nëpër dhomat e galerisë. Aty janë të vendosura instalacione të artistes Saranda Sadikaj e njohur si Ms. Indefinite. “Ekspozitë që nuk mbyllet kurrë!” është titulli që provokon i pari.   

Sadikaj është e njohur për aktivizimin e saj artistik, ku nëpërmjet video-performancave  avokon për të drejtat e gruas. Nëpërmjet artit si krijim ajo shpreh kritikë dhe ngre zërin kundër fenomeneve negative në shoqëri. Ekspozita vjen si përmbledhje e performancave të saj. 

“Marigona nuk e qëndis më flamurin”, “Shfaqje që nuk përfundon kurrë”, “Zonja Drejtësi” e “Koha Matriarkale” janë disa nga performancat nga Ms. Indefinite që luajnë  në vazhdimësi në njërën pjesë të ekspozitës, derisa në tjetrën një varr i rrethuar me lule me gjemba përkujton të gjitha gratë dhe vajzat viktima të dhunës.

Autorja e ekspozitës ka thënë se kjo është ndër ekspozitat e rralla të këtij lloji, duke marrë parasysh se shtjellon në mënyrë specifike fenomenin e dhunës ndaj grave. Nën sloganin “Gratë, jeta dhe liria” artistja solidarizohet edhe me gratë iraniane.

“Ekspozita 'Ekspozitë që nuk mbyllet kurrë' jashtëzakonisht është duke më sjellë emocione të mëdha dhe të papërshkrueshme. Është ndër ekspozitat e para të këtij lloji dhe ndër më të rrallat në Kosovë të paktën, sepse trajton specifikisht fenomenin e femicidit karshi të drejtave të grave. Ekspozita përkujton të gjitha gratë dhe vajzat të vrara nga femicidi dhe shoqëria patriarkale, të gjitha gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë fizike, psikike, seksuale, institucionale, ekonomike e të gjitha format e tjera të dhunës. Po ashtu, është një solidarizim me vajzat dhe gratë iraniane nën sloganin ‘Gratë, jeta dhe liria’ edhe nën hashtagun ‘Flokë për liri’”, ka thënë Sadikaj. 

Image
Ms. Idefinite është e njohur për aktivizimin e saj artistik, ku nëpërmjet video-performancave avokon për të drejtat e gruas

Emrat e grave të vrara gjatë viteve të fundit në Kosovë janë vendosur në një pllakë të zezë dhe shkrimi nuk përfundon me pikë, por me infinit. Përpos si një përpjekje për zgjimin e vëmendjes së shoqërisë, vjen edhe si mbajtje e zisë për to. 

“Mbahet zi për gratë e vrara, duke filluar prej Igballe Ibrahimit, Marigona Osmanit, Diana Kastratit e deri te Sanije Godeni dhe Hamide Magashi, si dy të fundit të vrara. Po besoj që kjo ekspozitë do të ngjallë një mendim kritik te audienca dhe te vizitorët e ekspozitës, të cilët shpresoj që do të marrin diçka shumë të madhe prej saj”, ka thënë ajo. 

Gërshetimin e artit me statistika e të dhëna që i ka mbledhur në bashkëpunim më organizata të ndryshme lokale, ajo e ka cilësuar si sfidues. Marrë parasysh edhe faktin se janë informata e detaje që shumëkush do të preferonte t’i linte të pazbuluara.

“Fillimisht çdoherë janë bërë hulumtime, ka pasur bashkëpunime me organizata lokale me të cilat i kemi përpunuar të dhënat ku kemi bashkëdyzuar pjesën artistike me pjesën e statistikave. Procesi është jashtëzakonisht i vështirë për vetë faktin se të gjitha temat e trajtuara janë mjaft të ndjeshme dhe nuk është e lehtë për çdo rast që ndodh të trajtohet në mënyrë artistike dhe të paraqiten sfidat që gratë i hasin në mënyrë artistike dhe vizuale. Megjithatë, besoj se është diçka shumë e mirë, autentike e sjellë në mënyrë ideore nga ana ime”, ka thënë Sadikaj.

Hapja e ekspozitës “Ekspozitë që nuk mbyllet kurrë!” ka sjellë në galerinë “Paper” vizitorë të shumtë. Ndër ta edhe piktoren e njohur Zake Prelvukaj. Ajo për Sadikajn ka thënë se është e guximshme dhe e veçantë.

“Natyrisht që nuk do të mbyllet kurrë. Artiste e veçantë, sepse problematika e femrës që ajo e shtjellon dhe problematika aktuale, e shkuar edhe e ardhme, ajo i bën bashkë edhe na karakterizon neve si vend që jemi edhe me të gjitha specifikat e veta. Ajo këtë art virtual dhe fizik që e paraqet natyrisht që do të lexohet kudo në botë. Është mirë që e kemi një artiste kaq të guximshme. Mua për vete më ka lënë shumë përshtypje si nga guximi i saj, veçantia e saj, edhe nga konceptet e përzgjedhura”, ka thënë Prelvukaj.
Ka vlerësuar se kjo ekspozitë dhe këmbëngulja e Ms. Indefinite për adresimin e këtij fenomeni do t’i hapë shumë dyer.

“Saranda mendoj që e ka vetëm fillimin tani edhe ia ka hapur dyert vetes kudo që shkon dhe mendoj që do të na përfaqësojë më së miri. Unë nuk jam ndër ato femrat që të jesh artiste femër e me i prek temat vetëm femërore, mirëpo kur je artiste femër dhe dallohesh në mes gjithë artit unë mendoj se Saranda do të jetë ajo specifikja dhe ne do të krenohemi me të”, ka thënë Prelvukaj.

Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mori pjesë në hapjen e ekspozitës. Ajo ka thënë se ajo çfarë është paraqitur në ekspozitë është një shpërfaqje e realitetit me të cilin ballafaqohet shoqëria. Ka shprehur vlerësim për artisten dhe nismën e saj. 

“Ekspozita e artistes Ms. Indefinite, 'Ekspozitë që nuk do të përfundojë kurrë!”, në fakt është një ekspozitë që të përplasë për fytyre realitetin me të cilin po përballemi sot, pra me fenomenin e dhunës në familje, me femicidin që është aq i shprehur në shoqërinë tonë. E vlerësoj jashtëzakonisht shumë për shkak se përmes ekspozitave të tilla ka për qëllim që të vetëdijesohet shoqëria jonë për rrezikshmërinë që përballemi me këto fenomene”, ka thënë Haxhiu.

“Ekspozitë që nuk mbyllet kurrë!” pritet të thyejë kufijtë edhe përtej Kosovës, në Tiranë e Evropë. 

“Zgjerimi i projektit tani për tani është ideja që të dërgohet kjo ekspozitë edhe në Tiranë. Jam në negociata me dy galeri atje, do të vendoset dhe pastaj çdo gjë do të tregohet publikisht. Po ashtu, pretendohet që pas ekspozitës në Tiranë të besojmë që do ta dërgojmë edhe në ndonjërin prej shteteve evropiane", ka thënë Sadikaj.
Në “Paper” ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 maj.

Image
Në njërën pjesë të ekspozitës një varr i rrethuar me lule me gjemba përkujton të gjitha gratë dhe vajzat viktima të dhunës