Gati 50 artistë të gjeneratave të ndryshme plotësojnë mozaikun e asaj që është “Ekspozita vjetore e anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës”. Portrete, peizazhe, surrealizëm, realizëm e çka jo tjetër. Janë veçuar dy piktura e një fotografi. Çmime kanë marrë piktorët Isa Alimusaj e Zake Prelvulaj, si dhe fotografi Burim Myftiu
Për ata që dëshirojnë të shohin se nga është duke shkuar paneli i një pjese të konsiderueshme të artistëve pamorë në Kosovë, adresa është Galeria e Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Janë ngjyrat, vijat e fotografitë e 47 pjesëtarëve të gjeneratave të ndryshme që plotësojnë mozaikun e asaj që është “Ekspozita vjetore e anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës”. Portrete, peizazhe, surrealizëm, realizëm e çka jo tjetër. Janë veçuar dy piktura e një fotografi.
Profesori universitar, Isa Alimusaj, me “Profile dardane” është paraqitur para publikut me një vepër të këtij viti. Në shikim të parë duket një peizazh që shpërfaq edhe pjesën nga vjen ai, burimet e kodrat e Dukagjinit, por përtej kësaj, Alimusaj ka luajtur edhe me identitetin e këtyre anëve. Një prej tre Çmimeve i ka takuar atij. Kolegia e tij, Zake Prelvukaj, po ashtu, është shpërblyer me Çmim nga Asociacioni. Me “Rregullat e reja”, vepër e vitit 2021, Prelvukaj duket sikur ka dalë nga ciklet e mëhershme. Edhe nga ngjyrat. Personazhet e saj të punuara me akrilik në pëlhurë në format goxha të mëdha, 200 me 200 centimetra, paraqesin një grumbull njerëzish që secili është në qejfin e vet. Dikush bën muzikë, tjetri luan me shpendë, një tjetër gjimnastikë. Secili është në botën e vet dhe nuk është se i bëhet vonë çfarë ngjan përreth. Është njëfarë udhëkryqi, që si format i ngjashëm, por me të tjera teknika është parë tek artistët vendorë. Prelvukaj e sjell atë me rregullat e veta.
Një prej tre Çmimeve – sipas jurisë në përbërje të Nehat Beqirit, Naim Spahiut e Agron Mulliqit – i ka takuar Burim Myftiut, autor i fotografisë “Kujtesa” ku paraqitet një portet. Është kukull, aso që përdoret për reklamim rrobash, por me goxha vraga të kohës. Çmimet kanë vlerë financiare 500 euro.
Kjo është ekspozitë – që llogaritet të jetë zëvendësim i atij që diku ishte “Salloni i Nëntorit” – është një lloj pasqyre e asaj që punohet sot nga artistët pamorë. Secili ka zgjedhur me çfarë do të prezantohet. Piktorja nga Ferizaj, Lebibe Topalli, nëpërmjet portretit të Nexhmije Pagarushës është paraqitur me një vepër që ka edhe atribute të pikturës monumentale. Bilbili i Kosovës vjen duke kënduar. Nëpërmjet ngjyrave që është punuar, përtej estetikës prek edhe dimensionet e shumta të artistes që vdiq vitin e kaluar.
Historia e këtyre trevave, bashkë me krejt stinët, vijnë në përshkrimin që ua kanë bërë piktoret, grafistët e vizatuesit.
Kryetari i Asociacionit, Kamuran Goranci, ka thënë se ngjarja është vazhdimësi e “Sallonit të Nëntorit”, që organizohej nga Shoqata e Artistëve Figurativë. “Meqenëse e kemi ndërruar emrin e shoqatës, po e lëmë ‘Ekspozita Vjetore e Anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Gorancit, kësaj radhe ka pasur prurje shumë më të reja dhe më kualitative.
“Mbi 80 për qind e punimeve janë të viteve të fundit. Është një seriozitet më i madh. I falënderoj artistët për punën, mundin e respektin”, ka thënë ai.
Nga fituesit, prezent ishte Isa Alimusaj, i cili ka falënderuar të pranishmit. “Urime kam pasur nga kolegët para se të shpallen Çmimet”, ka thënë ai.
Sipas asaj që ka shkruar në katalog Labinot Kelmendi, ekspozita përfaqëson deklaratën vullnetare të fuqisë kreative. Në këtë rast i është referuar asaj që ka thënë filozofi gjerman, Peter Sloterdijk. “Kjo eksperiencë njerëzore që manifestohet në ekspozitë e ravijëzon të qenët si ekzistencë dhe përjetimin e kësaj ekzistence si vepër e artit. Andaj, ekspozita, edhe pse viteve të fundit jemi duke ia parë muzgun, mbetet një ishull ku artisti dhe vepra e tij e arrijnë homeostazën e tyre”, ka shkruar ai në tekstin e titulluar “Mirë se vini në kubin e bardhë”. Sipas tij, ekspozita e Asociacionit është përpjekje që artistët lokalë nëpërmjet fuqisë kreative dhe gjestit virtuoz ta arrijnë homeostazën.
“Këtu në këtë ekspozitë veprat arrijnë një lloj parrhesia (flasin lirshëm). Ato manifestojnë format e jetës së secilit artist individualisht, duke ia përshkruar udhëtimin momental të secilit gjest kreativ...” ka shkruar ai.
Stafi i Asociacionit synon që aktivitetet të marrin një tjetër ritëm. Planet janë që në të ardhmen ekspozita të jetë me konkurs, kurator e temë. Në një format të tillë, ajo do të shpërfaqte një seriozitet edhe më të lartë. Asociacioni synon edhe një hapësirë pasi aktualisht adresa e tyre është Galeria Kombëtare e Kosovës. Ekspozitës së radhës ka mundësi t’i kthehet emri “Salloni i Nëntorit”. Se a do të mund t’i kthehet edhe nami, mbetet të shihet.