Performanca që ka sjellë “Duo Muhaxheri / Kuçi” nuk qe veç lojë muzikore. Dukagjin Muhaxheri në saksofon e Visar Kuçi në kitarë kanë dëshmuar fuqinë e saj për të komunikuar nëpërmjet tingujve, për të thurur tregime, e liria e jazzit jep mundësinë të shprehësh atë që me fjalë jo rrallë s’e bën dot
Për profesionistë të muzikës, tingujt janë të mjaftueshëm për komunikim, e kësisoj ngjau dhe në koncertin e dytë të “Peja Jazz” në skenën e kinemasë “Jusuf Gërvalla”. Dukagjin Muhaxherit në saksofon dhe Visar Kuçit në kitarë s’iu desh fort kohë që këtë lloj komunikimi t’ia imponojnë edhe publikut. Madje, në jo pak raste, muzika ia del ta shprehë atë që fjala s’e bën dot.
Performanca që ka sjellë “Duo Muhaxheri / Kuçi” nuk qe veç lojë muzikore. Ata kanë dëshmuar fuqinë e saj për të rrëfyer. Në situata normale, për këta dy muzikantë, viti do të ishte i ngjeshur. Pandemia ka reduktuar numrin e performancave, por jo edhe energjinë e artistëve. Të martën pasdite, për më shumë se një orë interpretim para publikut pejan, me lojë të pasur muzikore e komunikim të natyrshëm mes vete, përcollën energjinë e këngëve që interpretuan. Veçanti e koncerteve të edicionit të parë të “Peja Jazz” është fakti se aty pjesëmarrësit vijnë kryesisht me vepra origjinale. Ato të dyshes erdhën si një gjurmim në jetën e përditshme. Inspirimi: ndodhi, momente personale, interpretim ngjarjesh a fenomenesh.
Dukagjin Muhaxheri në interaktivitet me instrumentin e saksofonit e Visar Kuçi me kitarë, publikun e kufizuar në sallë e kanë mbajtur “peng” të tingujve, në një lojë pa shkëputje. Ashtu si për publikun, edhe në mimikat e instrumentistëve është vërejtur përjetim i thellë i veprave. Pos veprave origjinale, në repertor janë futur edhe ato që janë bërë zanafillë e dashurisë së tyre për muzikën jazz. “Blues in B flat” e Dukagjin Muhaxherit e ka hapur programin prej dhjetë këngësh. “Duo Muhaxheri / Kuçi” u themelua në vitin 2009 dhe është aktiv me paraqitje të rregullta në ngjarje të ndryshme, por për ta ishte hera e parë që prezantoheshin në një koncert si duo me krijime origjinale. Madje, atyre, performanca në kushte të tilla u ka dhënë një ndjesi tjetër të përjetimit të skenës.
“Duke e pasur parasysh situatën, më ka marrë malli me pasë këso lloj emocionesh dhe m’u duk si me qenë koncerti i parë në të cilin luaj”, ka thënë saksofonisti Dukagjin Muhaxheri, pas koncertit.
Fokusi kryesor i dyshes është interpretimi i veprave nga kompozitorë botërorë të jazz-muzikës, e sidomos aranzhimi dhe përshtatja në mënyrë shumë origjinale e këtyre veprave për formacionin alt saksofon dhe kitarë. Njëkohësisht krijojnë dhe luajnë muzikë origjinale të kompozuar nga vetë ata. “Astridë” është titulluar një prej këngëve të interpretuara, që është kompozuar nga Muhaxheri. Gjithë vepra i dedikohet vajzës së instrumentistit kosovar, i cili momentet e pritjes së ardhjes në jetë të vajzës së tij i ka përkthyer në tinguj muzikorë.
“Këngët origjinale janë këngë që ia kemi dedikuar dikujt, ose situatave dhe rrethanave të ndryshme në të cilat jemi ndodhur”, ka thënë Muhaxheri.
Kënga “Eternal Spaces”, po ashtu, ka ardhur si një gërshetim muzikor mes dyshes, por që në thelb vepra i dedikohet hapësirës.
Kështu e ka përshkruar Kuçi veprën e tij, e cila te publiku ka përçuar tinguj meditativë. E, nëpërmjet përcjelljes së tillë muzikore, vepra duket sikur ka akumuluar gjithë vëmendjen e publikut brenda hapësirës ku është luajtur.
“Dy veprat e mia që i kam luajtur janë të albumit të parë trio që e kam dhe tri kompozimet e Dukagjinit janë kompozime që akoma nuk janë incizuar, por pritet të jenë pjesë e albumit të tij. Të gjitha janë të bazuara në përjetime shumë personale, me një inspirim që vjen prej jetës së përditshme dhe influencave që kemi prej kompozitorëve botërorë”, ka shpjeguar Kuçi.
Muzika jazz, për Kuçin, është një hapësirë e lirë që nxjerr tinguj e melodi të reja. Edhe në këngët meditative, ritmet e përsëritura krijojnë melodi të reja që i dorëzohen momentit në të cilin janë krijuar.
“Mënyra më e mirë për për t’i shprehur të gjitha përfytyrimet që i kemi është përmes muzikës jazz, e cila të lejon të improvizosh dhe të shprehësh diçka që as vetë nuk e di që mundesh”, është shprehur Kuçi për KOHËN.
Granit Gashi i ka përcjellë të dy koncertet e “Peja Jazz”. Serinë e koncerteve e ka përshkruar si freski gjatë ditëve të pandemisë dhe shpreson që një ngjarje si kjo të ketë jetëgjatësi dhe të përfshijë sa më shumë artistë të këtij zhanri muzikor edhe në të ardhmen.
“Po më duket që është një prej eventeve më të mira që kanë ndodhur ndonjëherë sa i përket muzikës jazz dhe e di që ka pasur ide edhe më herët për të organizuar diçka të tillë. Po shpresoj që ky festival do ta japë një shembull të mirë që performuesit e qytetit të qëndrojnë në vijën e tyre të punës dhe të pretendojnë diçka të tillë në sensin e pjesëmarrjes si performues”, ka thënë Gashi.
Të mërkurën, “Peja Jazz” është zhvendosur në teatrin “Istref Begolli” për koncertin e kompozitorit dhe instrumentistit multidimensional, Ilir Bajri. Këto koncerte së shpejti do të vijnë para publikut nëpërmjet ekranit të Kohavisionit dhe online në faqen e “Anibarit” në Facebook.
Ky edicion i parë i “Peja Jazz” po organizohet në kuadër të projektit “Komunitet i Fuqizuar përmes Artit dhe Kulturës”, i “Anibarit”, që mbështetet nga Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës së Zyrës së Jashtme Federale Gjermane, “Goethe-Institut”.