Me vepra që kapërcejnë epoka, stile e teknika të ndryshme, dyshja Elvis Rudi në flaut e Marin Gjollma në piano kanë sjellë në “Tingujt e flautit” një rrugëtim që nis nga baroku, prek tingujt romantikë e impresionistë për të arritur te veprat e shekullit XX. Loja e tyre i ngjan një dialogu elegant që shpalos fuqinë e muzikës
Është një lojë harmonike, e cila del në pah që në veprën e parë, dialogu midis dy instrumenteve është një lloj kapërcimi nëpër epoka dhe krejt repertori i dyshes, Elvis Rudi në flaut dhe Marin Gjollmanit në piano, është konceptuar pikërisht në këtë format.
Koncerti i natës së katërt të edicionit të dhjetë të festivalit “Tingujt e flautit” ka qenë ashtu siç ishte paralajmëruar: një kalim nga periudha në periudhë nga baroku deri në shekullin XX.
“Sonatë në C-dur për flaut dhe piano” nga kompozitori George Frideric Handel ka qenë vepra e parë që ka sjellë atmosferën barokene për të vazhduar me vepra kompozitorësh të tjerë si “Sonata numër 2 për flaut dhe piano” e Philip Gaubertit, “Pavane pour une infante défunte”, nga kompozitori Maurice Ravel, “Sonata në B-Dur për flaut dhe piano” e Sigfried Karg-Elertit dhe “Fantasie Pastorale Hongroise”, Franz Dopplerit.
Handeli është zbërthyer me elegancë duke mishëruar gjithë finesën dhe karakteristikat e veprës si një dialog i ndjeshëm midis flautit dhe pianos. Është një udhëtim muzikor që lëviz midis pasurisë emocionale dhe sofistikimit teknik.
“Sonata nr. 2 për flaut dhe piano” e Gaubertit konsiderohet kryevepër e repertorit të flautit, e artistët nga Shqipëria treguan përmes kësaj vepre stilin impresionist dhe shprehësinë elegante të fillimit të shekullit XX. E kompozuar nga një prej flautistëve dhe kompozitorëve më të shquar të kohës së tij, kjo sonatë u realizua me një ndërthurje të ndërlikuar melodish të ndjeshme dhe harmonish të pasura.
Vepra e Ravelit “Pavane pour une infante défunte” është mundësia e mirë për ta nxjerrë në pah ndjeshmërinë e epokës impresioniste. E kompozuar për piano-solo në vitin 1899 dhe më pas orkestruar nga vetë kompozitori në 1910, kjo vepër ka frymëzuar shumë adaptime, përfshirë versionin për flaut dhe piano. Në këtë formë ajo mbetet një nga interpretimet më delikate dhe të pasura në ngjyrime. Është jo vetëm një shembull i mjeshtërisë së Ravelit në krijimin e atmosferëve të pasura dhe të nuancuara, por u performua nga Rudi-Gjollma edhe si një pasqyrë e shijes së rafinuar me kombinime instrumentale që prekin thellësisht ndjenjat njerëzore.
Te “Sonata në B-dur për flaut dhe piano” nga kompozitori Sigfried Karg-Elert del në pah fuqia e kryeveprës së periudhës së vonë romantike dhe fillimit të impresionizmit e dyshja i dha pasuri melodike dhe kompleksitet harmonik. Si pikë reference e literaturës së veprave për flaut është sfidë e vërtetë për interpretuesit.
E pashmangshme në një kombinim të tillë të repertorit është “Fantasie Pastorale Hongroise” e Dopplerit, flautist dhe kompozitor hungarez i epokës romantike.
“Këtë herë kemi zgjedhur një repertor franko-gjerman, që është rezultat i punës sonë njëvjeçare me profesorin Marin Gjollma”, ka thënë flautisti Elvis Rudi, pas koncertit në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të mërkurën mbrëma. Kjo ka qenë hera e tij e parë në festivalin me traditë dhe me përzgjedhje të emrave të njohur në interpretimin e flautit. Ka nënvizuar faktin se festivale të kësaj natyre nuk ka as në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut, përderisa ka folur edhe për programin.
“Ndërtimi i një programi është si një udhëtim: nisemi nga një vepër dhe ndërtojmë mbi të, duke e kombinuar me të tjera”, ka thënë Rudi.
Për pianistin Marin Gjollma çdo festival ka veçantinë e tij e koncerti ishte një përvojë shumë e rëndësishme.
“Flauti është një instrument me një repertor të larmishëm, pothuajse si violina. Është një kënaqësi e veçantë të luajmë në një festival që fokusohet vetëm te ky instrument dhe sonte patëm rastin të interpretonim disa vepra të rëndësishme për duo flaut dhe piano”, ka thënë Gjollma.
Erëmirë Çitaku, drejtoreshë e “Tingujt e flautit”, që nisi rrugëtimin në vitin 2002 si ngjarje bienale, ka thënë se tash festivali rikthehet në format të ri me një menaxhim më të mirë, duke u përshtatur me nevojat e reja të audiencës dhe zhvillimeve artistike. Dëshmi për këtë qe edhe koncerti i dyshes Rudi-Gjollma.
“Kjo ishte një natë e katërt e mrekullueshme me dyshen Elvis Rudi dhe Marin Gjollma. Niveli artistik i paraqitur sonte ishte i jashtëzakonshëm, duke vazhduar bashkëpunimin që kemi nisur gjatë Universitetit Veror”, ka thënë ajo.
E, nata e katërt e festivalit “Tingujt e Flautit” shënoi një tjetër hap të rëndësishëm në konsolidimin e tij si një platformë prestigjioze në botën e muzikës klasike në Kosovë dhe në rajon. Me një traditë mbi dydekadëshe, një program të kuruar me kujdes, festivali ia ofroi audiencës një udhëtim të pasur muzikor që përfshin epoka dhe stile të ndryshme.