Violinistja Celine Lasage dhe pianisti Eric Lesage me karrierë kanë sjellë veprat franceze e arkaike për violinë e piano, siç bëhet e ditur edhe nga tema e koncertit: “French & Archaic; Paris v.s. Transylvanie”. Dyshja franceze në qendër të repertorit ka veprat e Eugène Oreste de Maurizi (1897 – 1969), i cili nëpërmjet muzikës ka përshkruar edhe këto anë, përfshirë edhe Kosovën
Koncerti i tetë në kuadër të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest” ka sjellë në skenën e Prishtinës dyshen franceze Celine Lesage në violinë dhe Eric Lesage në piano. Repertori i zgjedhur me vepra që ngërthejnë folklorin, melodinë tradicionale e tingujt me tis ballkanik, bashkë me veprat e kompozitorit francez Eugène Oreste de Maurizi (1897 – 1969) kanë ardhur me tjetër gjallëri jo vetëm në kryeqytet.
Koncerti i së enjtes mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë ka pasuar nga koncerti i mbajtur të mërkurën në Shkup. Dyshja franceze Celine e Eric Lesage me karrierë prej disa dekadash në skena të ndryshme ka sjellë veprat franceze e arkaike për violinë e piano, siç bëhet e ditur edhe nga tema e koncertit: “French & Archaic; Paris v.s. Transylvanie”.
Me “Carmen Fantasy” të kompozitorit e violinistit hungarez Jeno Hubay është hapur koncerti me dialogun mjeshtëror midis pianos e violinës. Eric Lesage secilit interpretim i ka paraprirë me nga një prezantim të shkurtër të veprës. Ai është bashkëshorti i shoqërueses në violinë Celine Lesage, pedagog i muzikës e pianist i shquar që gjatë karrierës ka marrë disa çmime.
Sonata në A-dur e francezit Cesar Franck ka filluar si vepër e lehtë e dominuar kryesisht nga tingujt e violinës dhe e përcjellë lehtësisht nga ata të pianos. Herë-herë pjesët e veprës përfshijnë vetëm tingujt pianistikë dhe vjen si muzikë dashurie e njëtrajtshme, por që rritet gradualisht vetëm intensiteti. Në tempin “Allegretto ben moderato” tingujt e violinës kanë qenë më të theksuar. Në “Allegro”, “Recitativo-Fantasia” dhe “Allegretto pocco mosso” sa shkon e zhytet në dinamizëm për t’u kthyer prapë në gjendjen paraprake, por me tinguj të shpeshtuar të pianos.
Mjeshtërinë që e kanë dëshmuar tash e disa vjet, dyshja Lesage e ka vënë në pah edhe në Prishtinë. Një kapitull tjetër është hapur me “Fantasy Slavonic” të kompozitorit austriak Fritz Kreisler dhe atij çek Antonin Dvorak, ka filluar si harmoni që ngërthen lojën me ritmin e lehtë, por shpesh edhe dramaticitetin përbrenda. Tingujt që nxjerrin nga violina vijnë më pas edhe në versionin e atyre të pianos si një lloj jehone e gjurmëve të tingullit violinistik.
“Scene de la Csarda – Hejre Kati” e kompozitorit Jeno Hubay e interpretuar në një skenë modeste bëhet madhështore në interpretimin e instrumentistëve që i japin veprës frymë teksa notat e shkruara kthehen në meloditë që shërojnë.
Violinistja Celine Lesage ka diplomuar për muzikë në vitin 1999 e më pas ka dhënë mësim në Konservatorin e Departamentit Rajonal të muzikës dhe vallëzimit të Tarn, që nga 1999 e deri në vitin 2018. Ka marrë çmime për violinë, muzikë dhome dhe trajnim muzikor. Ajo performon rregullisht në duet me bashkëshortin e saj Eric Lesage. Prej vitit 1995 deri 1998 ka trajtuar repertorin e gjerë simfonik në “Orchester Français des Jeunes”. Prej vitit 2004 ka qenë anëtare e “Orchester de la Cité d'Ingres de Montauban” dhe “Orchester de Chambre d’Agen”. Kohëve të fundit merret me kërkime në muzikologji mbi violinistët ciganë të Evropës Qendrore dhe veprat e kompozitorit francez Eugène Oreste de Maurizi.
Sikurse bashkëshortja, edhe pianisti Eric Lesage është pedagog i muzikës. Prej vitit 1993 është profesor i edukimit artistik në Konservatorin e Departamentit Rajonal të Montauban. Si pianist, pedagog dhe muzikolog, kërkimet e tij u kushtohen veprave pianistike. Kontribut të veçantë u kushton veprave të kompozitorit francez Christian Lauba. Ka qenë gjithashtu drejtor artistik i festivalit dhe akademisë “Musique en Vignes” prej vitit 2002, ndërsa prej vitit 2017 është ftuar të japë mësim dhe të performojë në koncerte në “Opus 74” – Akademia e Arteve në Flaine. Ka marrë çmime të shumta, ndër to edhe Medaljen e Artë në Francë derisa ka interpretuar në koncerte të muzikës së dhomës, koncerte recitale, me orkestër dhe si shoqërues kudo në Francë, në Itali, Zvicër e Spanjë.
Në muzikën e dhomës ata i përkushtohen një repertori shumë të gjerë për violinë dhe piano me gruan e tij Celine. Së bashku ata promovojnë muzikën e kompozitorit francez Oreste de Maurizi mes kompozitorëve të tjerë. Pasioni i tyre është muzika që ndërthur elemente të gjuhëve popullore, romantike, sllave dhe cigane, por repertori i tyre përfshin kompozitorët si Franck, Schubert, Grieg, Beethoven, Schumann, Hubay, Lauba, Frolov dhe Maurizi.
Pikërisht me veprat e këtij të fundit edhe është përmbyllur koncerti i dyshes franceze në Prishtinë. Pjesët “Yarou Yarou”, “Chanson de Tania” dhe “Csardas Rhapsodie” të francezit Eugène Oreste de Maurizi gërshetojnë dinamizmin bashkë me butësinë e tingullit dhe melankoliken. Se veprat i kanë për zemër dhe i ndiejnë thellësisht në çdo tingull mund të vërehet edhe në lojën e tyre, derisa vetë pianisti Eric Lesage ka thënë se Maurizi është kompozitori i tyre i preferuar.
“Ne e kemi filluar koncertin me kompozitorin francez që ka shkruar këngën transilvanike e i cili është Oreste de Maurizi që ka shkruar shumë pjesë të cilat flisnin për Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë, ndoshta Kosovën, ndoshta Maqedoninë, ish-Jugosllavinë. Ka shkruar rreth 120 të tilla dhe shumë këngë për të vallëzuar me to, shumë melodi, muzikë tradicionale”, ka thënë Lesage derisa është shprehur se për të ka qenë ëndërr për t’u kthyer në interpretim të veprave në origjinën e tyre. Edhe bashkëshortja e tij, violinistja Celine Maurizi, është shprehur se e do këngën tradicionale ballkanike, melodinë popullore e folklorin. Për ta është hera e parë të sjellin një koncert të muzikës klasike në Kosovë.
Celine Lesage e ka parë publikun si shumë të ngrohtë, të përqendruar e shumë mikpritës, derisa ka thënë se ka pasur vepra që kanë qenë të vështira në interpretim.
“Pjesa e parë ka qenë disi e vështirë për t’u interpretuar, edhe pse e dua, por është teknikë e vështirë për t’u interpretuar, por gjithashtu ka pjesë të tjera të vështira për t’u interpretuar siç janë disa vepra të Bachut, edhe pse janë elegante dhe klasike”, ka thënë ajo derisa ka shprehur dëshirën për t’u kthyer në Prishtinë.
Për Sihana Badivukun, drejtoreshë artistike e festivalit “KamerFest”, ka qenë interesante kombinimi i veprave të Maurizit që jepen për herë të parë në Prishtinë.
“Na u është dukur interesant kombinimi i këtyre veprave, që faktikisht po jepen për herë të parë këto të Eugène Oreste de Maurizi me këto motive hungareze, tradicionale e ballkanike. Mbrëmë ka interpretuar edhe në Shkup i njëjti ansambël. Shumë bukur ka qenë, organizatorët janë të përkushtuar dhe me shumë seriozitet i organizojnë koncertet”, ka thënë Badivuku.
Në koncertin e radhës që mbahet më 7 nëntor në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës do të interpretohen këngë dhe valle spanjolle nga dyshja Jose Manuel Alvarez Losada në violinë dhe Pedro Mateo në kitarë.