Kulturë

Dyert e heshtura kumtojnë ikjen, eksodin, braktisjen...

Në ekspozitën personale të piktorit, njëherësh profesor universitar, Esat Valla, të hapur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dominojnë veprat me dyer e porta. Nëpërmjet heshtjes së tyre Valla flet. Siç e zbërthen edhe kuratori akademik Eqrem Basha, ato “kumtojnë ikjen, vdekjen, eksodin, braktisjen...”

Mjeshtërinë në pikturë e ka të dëshmuar kaherë. Por seria me dyer e piktorit Esat Valla bëhet çdo ditë e më kuptimplotë. Janë porta të oborreve a shtëpive qytetare. Për nga pamja dëshmojnë histori të vjetër. I ka bjerrë koha. E në kontekstin aktual marrin përmasën e simbolikës së braktisjes së vendit.

Rrëfimi i lindjes së këtij cikli zë vend para disa vjetësh në Prizren. Kurse interpretimet kalojnë kufijtë.

Në ekspozitën personale të piktorit, njëherësh profesor universitar, Esat Valla, të hapur në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës të mërkurën mbrëma, dominojnë veprat me porta. Janë të ngjyrave të ndryshme e po ashtu edhe numra të ndryshëm. Disa prej tyre edhe kanë nisur të mbulohen nga vegjetacioni. Është shenjë se nuk u bie të hapen. E për mirëmbajtje as që bëhet fjalë. Lënë të kuptohet se nuk ka kush të merret me to. Krejt elementet e paraqitura rrumbullakojnë dëshminë e braktisjes së vendit. Lajmet për ata që ikin nga Kosova për të jetuar në shtetet evropiane janë përditshmëri. E Esat Valla nuk ka heshtur. Flet në mënyrën e tij: nëpërmjet penelit.

Me kurator akademik Eqrem Bashën, ekspozita personale e Vallës shpërfaq mjeshtërinë e tij prej krijuesi. Sipas kuratorit, dyert e mbyllura janë preokupimi këmbëngulës i Esat Vallës tash e këto kohë dhe ato mbizotërojnë edhe në këtë paraqitje të tij.

“Mbase dyert si simbol, do të thoshim, si subjekt, për të gjurmuar dhe inkorporuar zgjidhjet asociative figurative, dyert si pikënisje për investimet e mesazherisë narrative, nëse kjo mund të jetë edhe aq e rëndësishme”, ka shkruar akademik Basha për ekspozitën. Një pjesë të tekstit të tij e ka lexuar në hapje. Sipas tij, Valla kërkon gjithnjë shtyllën e përkushtimit tematik për të ndërtuar më pas një botë krejtësisht të tijën.

“...sepse dyert e mbyllura rrëfejnë shumë. Sado që pleksin heshtjen, ato kumtojnë ikjen, vdekjen, eksodin, braktisjen...”, ka shkruar akademik Basha në katalog. Sipas tij, me heshtjen e tyre ato mbyllin ngjarje e histori njerëzish e fate të ngujuar apo të dyndur. Në konceptin kuratorial Basha ka sqaruar se dominojnë dyert e mbyllura, sepse Valla përqendrohet më shumë në fatin e ligë, në shuarjen, sesa në përndezjen e jetës.

Image
Ekspozita e Esat Vallës është përkthyer edhe si simbolikë e memories

“Na sinjalizon ikjen dhe shndërrimin e atij oborri në shkretëtirë”, ka shkruar Basha.

Me pak lëvizje nëpër ekspozitë vizitorët “prekin” hamendësimet e autorit të përkthyera në pikturë. Por pak mund ta dinë se ky cikël kishte nisur të lindë para disa vjetësh në Prizren. Asokohe Valla ishte pjesë e një kolonie artistike. Ishte 5 maji. Një ditë para festës pagane të Shëngjergjit. Do t’i bënte përshtypje dekorimi me gjethe i dyerve të oborreve të qytetit jugor.

“Qëllova atë ditë dhe i pashë portat ku ishin vendosur edhe gjethe. Më doli shumë interesante ajo pikturë”, do të rrëfente Valla në shkurtin e vitit 2015 për “Kohën Ditore”. Asokohe i ishte përkushtuar fort ciklit “Portat”.

“Prapë po vazhdon avazi i dyerve të mbyllura me shtëpi të boshatisura”, shpjegonte ai. Kishte nisu të thellohej goxha duke ilustruar braktisjen e vendit.

Image
“Këto vepra janë të lindura në studion time. Por sot fillojnë të jetojnë”, ka thënë Esat Valla

“Ajo portë është duke u shkatërruar, është rrjepur e ka mbetur e varur. Këto janë shenja që aty s’banon kush”, sqaronte ai përballë një prej pikturave.

Në hapje të ekspozitës, anëtari korrespodent i ASHAK-ut, skulptori Luan Mulliqi, ka thënë se Valla është laureat i shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare për gjashtë dekadat e krijimtarisë së tij.

“Kjo ekspozitë ka një koncept të veçantë. Ka të bëjë me një simbolikë të memories. Është një ndër studiuesit më të mëdhenj të artit bashkëkohor Dan Cameron që thotë se ‘dyert më të forta janë në memorien tonë historike që zakonisht shënojnë ngjarje të rëndësishme individuale, të qyteteve, shteteve...”, ka thënë ai. Ka përmendur se në botë ka porta historike. E në rastin e portave të Vallës, ka thënë se ai pikërisht këto dyer i kthen në një formë të dëshmitarit që në shumë raste mund të kenë shumëkuptimësi.

Artisti e kuratori Zeni Ballazhi, veprat e Vallës i shesh si tablo që kanë pikë referimi eksperiencën e vetë artistit, atë profesionale dhe jetësore, dhe raportimin midis të shkuarës dhe të tashmes.

“Me kohë ai e thellon mjeshtërinë, por bota e tij fantastike mbetet po ajo. Gjithmonë ngrohtësia e tij njerëzore u jep jetë pamjeve që pikturon”, shkruhet në tekstin e Ballazhit të botuar në katalog. Krijimtarinë e Vallës e ka vlerësuar si një tingëllimë të veçantë në artet vizuale në Kosovë.

I lindur në Gjakovë më 1944, pas shkollës fillore Valla do të përfundonte shkollën e mesme të artit në Pejë. Më 1971 do të diplomonte në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd si student i klasës së profesorit Zoran Petroviq. Duke qenë student i të njëjtit profesor do të merrte edhe titullin magjistër. Prej vitit 1976 do të punonte si ligjërues në Universitetin e Prishtinës, ku edhe ka marrë titullin profesor ordinar.

Në hapje të ekspozitës Esat Valla ka thënë se bëhet fjalë për punime të viteve të fundit.

vepra janë të lindura në studion time. Por sot fillojnë të jetojnë”, ka thënë ai. Për disa dyer që janë pak më të mirëmbajtura, ka thënë se tregojnë se ka vend për shpresë. E për ato që duken krejt të harruara ka një përshkrim goxha pesimist: “Nuk është se ka edhe shumë vend për shpresë”.