Kulturë

Dy vjet pas zotimit, projektohet qendra kulturore “Nexhmije Pagarusha”

Prej tetorit të vitit 2018 kur është hapur thirrja publike deri në mars të këtij viti ka zgjatur përzgjedhja e një projekti ideor për qendrën kulturore “Nexhmije Pagarusha”, që do të konkretizohet në fshatin Pagarushë të Malishevës, në vendlindjen e Bilbilit të Kosovës. Ankesat ndaj vendimeve të Ministrisë së Kulturës kanë bërë që kjo nismë të ngecë e që projekti fitues të përzgjidhet tek tani. Sallë multifunksionale, është vetëm njëra prej atyre që parashihet të ketë ky objekt

Janë dashur më shumë se dy vjet që shteti ta bëjë hapin e parë në raport me planin për ndërtimin e një qendre kulturore, që do të mbajë emrin e këngëtares Nexhmije Pagarusha.

Prej tetorit të vitit 2018, kur është hapur thirrja publike deri në mars të këtij viti, ka zgjatur përzgjedhja e një projekti ideor që do të konkretizohet në fshatin Pagarushë të Malishevës, vendlindjen e “Biblilit të Kosovës”. Ankesat ndaj vendimeve të MKRS-së kanë bërë që ky projekt kapital të ngecë. Në ditën e 10 të këtij muaji, Ministria e Kulturës pas rivlerësimit të projekteve ka përzgjedhur që vendin e parë ta fitojë ai i “GM Architecture” me ofertë financiare prej 23 mijë e 950 eurosh. Kjo kompani do ta hartojë edhe projektin zbatues që përfshihet në këtë çmim. Se sa do të kushtojë konkretizimi i projektit, ende nuk ka përllogaritje.

Arkitekti Lulzim Gashi, i cili drejton kompaninë që ka fituar këtë tender, ka shpjeguar se formësimi arkitektonik është arritur duke ndërlidhur lokacionin në fshatin Pagarushë, respektin ndaj këngëtares dhe kërkesave për këtë qendër kulturore.

ImageNdërtesa e qendrës kulturore “Nexhmije Pagarusha” përmban sallën shumëfunksionale me kapacitet prej 360 ulësesh. Tërë hapësira e sallës dhe e skenës shndërrohet në një hapësirë të lirë për aktivitete të ndryshme kulturore. Janë paraparë edhe hapësirat për përgatitjen e artistëve, hapësirat për spektatorë, holli, kafe-bari e ambiente të tjera. Muzeu i trashëgimisë kulturore dhe administrata e kësaj qendre janë paraparë në katin e parë

“Dy volumet e ngritura nga planimetria (toka) janë më formë të pastër gjeometrike, materiale të harmonizuara dhe me formësim bashkëkohor. Kjo është arritur edhe me harmonizimin e qendrës kulturore me rrethinën, ashtu që ngritja vertikale e saj të jetë sa më humane në raport me shtëpitë e fshatit, vendlindjen e këngëtares dhe të ketë ndikim minimal në ambient”, shkruhet në konceptin në bazë të të cilit është hartuar projekti ideor. Aty sqarohet se terreni i pjerrët është shfrytëzuar në formë natyrale për shtrirjen e amfiteatrit të jashtëm dhe së bashku me ndërtesën përbëjnë një qendër shumëfunksionale e miqësore me ambientin.

Aty sqarohet se materialet e përdorura në fasadë janë të qëndrueshme dhe pa nevojë për mirëmbajtje, si guri natyror vendor i përdorur në pjesët kryesore të ndërtesës dhe volumet e sallës me panele metalike, të cilat ndërlidhen mes vete dhe gërshetojnë fasadë me karakter unik.

“Ndërtesa e qendrës kulturore përmban sallën shumëfunksionale me kapacitet 360 ulëse. Ulëset janë teleskopike, të cilat palosen dhe e tërë hapësira e sallës dhe skenës shndërrohet në një hapësirë të lirë për aktivitete të ndryshme kulturore”, shkruhet në koncept. Aty sqarohet se janë paraparë edhe hapësirat për përgatitjen e artistëve, hapësirat për spektatorë, holli, kafe-bari e ambiente të tjera.

Muzeu i trashëgimisë kulturore dhe administrata e kësaj qendre janë paraparë në katin e parë.

“Muzeu është paraparë të jetë hapësirë e hapur me ekspozime në mure dhe tavolina. Ndriçimi është dizajnuar në kombinim të ndriçimit natyror dhe atij artificial. Kjo qendër kulturore ka hapësirat për inventarin e skenës, depot dhe të gjitha hapësirat teknike në funksion të saj”, sqarohet në koncept.

Burim Reçica, i cili udhëheq Zyrën e prokurimit në Ministrinë e Kulturës, ka thënë se afati i ankesave ka përfunduar dhe tash duhet të bëhet nënshkrimi i kontratës.

“Në ditët në vazhdim do të bëhet nënshkrimi i kontratës e pas hartimit të planit të detajuar, do të hapet thirrja për ndërtim”, ka thënë ai.

Lulzim Gashi, që udhëheq kompaninë projektuese, ka thënë se pa u bërë dy muaj nga nënshkrimi i kontratës do të jetë i gatshëm plani i detajuar.

“Pas nënshkrimit të kontratës neve na duhen 45 ditë”, ka thënë ai.

Ky projekt është shndërruar në një prej proceseve më të gjata të prokurimit publik në MKRS. Një varg ankesash janë bërë në Ministri dhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Kanë konkurruar tri kompani. Por, shpejt kishin nisur ankesat.

Sipas të dhënave të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, procesi është pezulluar pesë herë. Për herë të fundit kjo ka ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar.

Në shkurt të vitit 2019, Ministria e Kulturës kishte përzgjedhur një projekt. Po atë muaj një kompani kishte bërë kërkesë për rishqyrtim të projekteve e më pas ishte ankuar edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Pas dy muajsh, në prill të atij viti, OSHP-ja e kishte kthyer lëndën në rishqyrtim. Në qershor të 2019-s, MKRS-ja do të dilte me rezultat të ri, duke e përzgjedhur një tjetër projekt. Kishte pasuar edhe një ankesë që do ta shtynte MKRS-në ta pezullonte aktivitetin e prokurimit. Por ankesat nuk përfunduan me kaq.

Në korrik të 2019-s është ankuar në OSHP kompania “GM Architecture SH.P.K”. Akuzonte Ministrinë e Kulturës për shkeljen e katër neneve të Ligjit për prokurim publik. Pas një tjetër rivlerësimi është ankuar një tjetër kompani.

Qendra ishte nismë e organizatës “Troja” nga Malisheva. Albana Hoti, që është drejtoreshë e organizatës, në janar të këtij viti, kishte thënë se Pagarusha ishte entuziazmuar me idenë.

“Kur ia kemi shpalosur projektin ka qenë e entuziazmuar. Na ka treguar se do që të varroset në Pagarushë. Jemi drejtuar në MKRS dhe na kanë përkrahur. Pastaj edhe Komuna e ka përkrahur idenë dhe ka ndarë parcelën”, kishte thënë ajo.

Qendra planifikohet të ndërtohet afër truallit ku është lindur Pagarusha e po ashtu edhe afër kroit, që ajo e ka përmendur shpesh nëpër intervista kur përshkruante fëmijërinë në fshat. Kur kjo qendër të inaugurohet do të jetë nja 80 metra larg shtëpive të kushërinjve të këngëtares. Shtëpia e saj e lindjes ka kohë që është rrënuar. Për këtë projekt kabineti i ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, kishte planifikuar 200 mijë euro për vitin 2018.

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të vitit 2020, ishin paraparë 100 mijë euro. Kurse për vitin 2021 për këtë projekt janë ndarë vetëm 30 mijë euro.

Këngëtarja Pagarusha, që ka vdekur në moshën 86-vjeçare, është varrosur në fshatin e saj 10.3 kilometra larg Malishevës. Ajo është vlerësuar si ikonë e artit, yll frymëzues e zë i papërsëritshëm.