Kulturë

Drejtori i Institutit Arkeologjik i dënuar me kusht – në “verifikim”

Mosdeklarimi i një veture të të birit dhe ndryshimet ligjore janë bërë shkas që Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, të dënohet me 7 muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë. “Nuk besoj që vendimi i gjykatës paraqet ‘problem’ juridik a aq më pak, për mua, ‘problem moral’, sepse nuk ka qëllim. Sikur të vërtetohej ‘qëllimi’, do të kisha pranuar të jetë ‘problem moral’”, ka thënë Rexha. Megjithatë, Ministria e Kulturës do “shqyrtimin e bazës ligjore në fuqi, respektivisht dispozitave përkatëse të Ligjit për zyrtarët publikë dhe Ligjit të Punës për të konstatuar nëse ekziston apo jo bazë ligjore që e obligon MKRS-në për masa të tjera administrative ndaj zyrtarit publik në këtë rast”

Krejt vitin 2014 Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, e kishte kaluar në përballje me Ministrinë e Kulturës. Asokohe, pasi i kishte kaluar mandati i parë në këtë pozitë, kërkonte aktemërim. Kishte drejtuar një numër ankesash e MKRS-ja kishte hapur katër konkurse – të cilat kishin dështuar – derisa në fund të vitit ia dha aktemërimin për pozitën që mban.

Por tash MKRS-ja do t’ia bëjë edhe një “verifikim”. Shkas është bërë dënimi që Rexhës ia ka shqiptuar Gjykata Themelore në Prishtinë.

Është shpallur fajtor dhe është dënuar me 7 muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë. Kishte bërë vepër penale duke mos e paraqitur në formularin e deklarimit të pasurisë një veturë që është në emër të birit të tij.

Aktgjykimi i shpallur në janar nga gjyqtarja Anita Krasniqi-Prenaj sqaron se dënimi me burgim dhe gjobë që i është shqiptuar Rexhës nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk do të kryejë vepra të tjera penale në periudhën verifikuese prej dy vjetësh.

Rexha e kishte pranuar fajësinë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ajshe Ferati.

“Nuk isha i informuar se ka ndryshime në ligj”, kishte thënë ai derisa kishte pranuar fajësinë.

Rexha rastin e deklarimit të pasurisë në mars të vitit 2019 nuk kishte paraqitur saktë të dhënat duke mos e shënuar veturën e tipit “Mercedes Benz C 200 CDI”, e cila është në emër të djalit të tij. Kësisoj ai ishte bërë subjekt i prokurorisë së shtetit për “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, siç përcaktohet në nenin 437 të Kodit Penal të Republikës. Kjo vepër është e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Por tash Rexha do të ketë punë me Ministrinë e Kulturës. Ky institucion ka bërë të ditur se për rastin është informuar nëpërmjet mjeteve të komunikimit teksa kohë më parë kishte njoftuar se me shkresë zyrtare “do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë për t’u njohur me përmbajtjen e dosjes së gjykuar në rastin e z. Rexhës dhe do të nisë shqyrtimin e bazës ligjore në fuqi, respektivisht dispozitat përkatëse të Ligjit për zyrtarët publikë dhe Ligjit të Punës për të konstatuar nëse ekziston apo jo bazë ligjore që e obligon MKRS-në për masa të tjera administrative ndaj zyrtarit publik në këtë rast”.

Por sipas MKRS-së çështja nuk përfundon vetëm te zbatimi i ligjit në lidhje me këtë rast. MKRS konsideron se në parim, përveç përgjegjësisë juridike, ekziston edhe ajo publike dhe morale “në kuptimin e ushtrimit të një detyre kaq të rëndësishme drejtuese të njërit nga institucionet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës”. “Sidoqoftë, është e nevojshme të kemi njohje të afërt me rrethanat e rastit në mënyrë që të shmangen gjykimet e parakohshme dhe pa njohur bazën e zhvillimit të rastit”, shkruhet në përgjigjet e MKRS-së.

Në nenin e 60-të të Ligjit për zyrtarët publikë sqarohet se kur përfundon marrëdhënia e punës për zyrtarët që dënohen nga gjykatat. Pika 1.5 përcakton se marrëdhënia e punës përfundon kur zyrtari “dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale me dashje” dhe në pikën 1.6 kur zyrtari “dënohet me vendim të formës së prerë për çfarëdo vepre penale, për mbajtjen e burgut efektiv për tre (3) muaj e më tepër”.

Drejtori i IAK-ut, Enver Rexha, ka thënë se nuk e ka ditur se duhet bërë deklarim për familjarët e ngushtë.

“Ka ndërruar Ligji për deklarim, të cilin s’e kam ditur (edhe Gjykata e ka vërtetuar se është ndërruar Ligji). Makinën për të cilën ngrihet çështja, s’e kam pasur me asnjë qëllim ta ‘fsheh’ si pronë të djalit. Nuk mund të ndihem ‘fajtor’ për këtë çështje, sepse fakti është se nuk e kam ditur që duhet lajmëruar”, ka thënë ai. Ka shtuar se nuk i komenton deklarimet e MKRS-së për faktin se nuk është në dijeni për qëndrimin e institucionit më të lartë kulturor në vend.

“Nuk besoj që vendimi i Gjykatës paraqet ‘problem’ juridik a aq më pak, për mua, ‘problem moral’’, sepse nuk ka qëllim. Sikur të vërtetohej ‘qëllimi’, do të kisha pranuar të jetë ‘problem moral’”, ka thënë Rexha.

Por historia e betejave të Rexhës me MKRS-në është e vjetër.

Vitin 2015 Rexha e kishte nisur si drejtor i këtij institucioni nëpërmjet aktemërimit, të cilin MKRS-ja ia kishte dhënë në fund të dhjetorit të vitit 2014. Rexha, që e kishte akuzuar MKRS-në për tri shkelje ligjore, kishte marrë dritën jeshile për të riudhëhequr IAK-në në bazë të performancës së tij pozitive në mandatin e parë prej katër vjetësh. Shkresat e tij se MKRS-ja po e shkelte ligjin kishin arritur deri te Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Kishte akuzuar MKRS-në për shkelje të Ligjit për shërbyesit civilë, atë mbi institucionet e kulturës, dhe atë për institucionet shkencore-profesionale. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2014 kishte udhëhequr IAK-në pa kurrfarë dokumenti zyrtar. Si drejtor ishte paguar edhe pse nuk kishte asnjë vendim për pozitën që mbante. E më pas deri në aktemërim ishte ushtrues detyre i drejtorit.