Në “DokuTalks” është diskutuar për filmat e shfaqur në kuadër të programit të “Manifesta 14”. Catherine Nichols, ndërmjetësuese kreative e bienales nomade “Manifesta” që po mbahet në Prishtinë, ka vlerësuar programin si kontribut për ta ndaluar dhunën, ndërsa diskutimin si dialog informues
Tema “How to Survive?” e “DokuFestit” ka qenë pyetje në diskutimin për riparimin dhe rezistencën e hapësirave nën temën “Landscapes of Repair and Resistance”. Në “DokuTalks” është diskutuar për filmat e shfaqur në kuadër të programit të “Manifesta 14”. Catherine Nichols, ndërmjetësuese kreative e bienales nomade “Manifesta” që po mbahet në Prishtinë, ka vlerësuar programin si kontribut për ta ndaluar dhunën, ndërsa diskutimin si dialog informues.
Nën hije të pishave dhe pemëve të oborrit të qendrës komunale për kulturë dhe art “Shani Efendi” është destinacioni ku po mbahen bisedat në kuadër të “DokuTalksit”. Dy tenda mbahen me këmbë metali. Njëra nga to është rezervuar për folësit në kuadër të diskutimeve të njërit nga programet e festivalit ndërkombëtar të dokumentarit dhe filmit të shkurtër “DokuFest”. Prapa tavolinës ku figurat e kinematografisë ulen për të sjellë përvojat e tyre janë vendosur pëlhurat me logon e Festivalit, me mbishkrimet e temës e në përgjithësi programi i “DokuTalksit”.
Të dielën pasdite diskutimi ka qenë i orientuar në programin “Landscapes of Repair and Resistance Manifesta 14 Prishtina Special Programme” dhe prezantimi i tre filmave. Janë filmat “Uyra - The Rising Forest” i regjisores braziliane Juliana Curi, “Landscapes of Resistance” i regjisores serbe Marta Popivoda dhe “Wild Relatives” i regjisores nga Palestina, Jumana Mana.
Kjo e fundit ka qenë njëra nga të ftuarat për të biseduar rreth filmit të saj, mbi të cilin edhe është bazuar i gjithë diskutimi. Jumana Mana përveç regjisë, merret edhe me skulpturë. Filmi i saj është si ndërlidhje e shteteve si Siria dhe Libani.
“Jam e interesuar për këto ngjarje historike dhe shoh sesi ‘Manifesta’ kujdeset për të. Instalacioni është ndërlidhje direkte me produksionin, por gjithashtu në film është një fermer që ruan farat, është paksa abstrakte. Është lidhje direkte me hapësirën ku mbahen farat dhe me kthimin e hapësirës. Ndërlidhen edhe elemente infrastrukturore”, ka thënë regjisorja Jumana Mana.
Thellë në tokë nën ngricën e përhershme norvegjeze farat nga e gjithë bota ruhen në Kasafortën Globale të Farave, për të siguruar një rezervë nëse godet fatkeqësia. Për herë të parë ndonjëherë, farat e mbajtura atje nga një bankë e madhe në Aleppo tani ato riprodhohen, pasi zotërimet e saj u lanë pas kur institucioni u desh të zhvendosej në Liban për shkak të luftës civile. Filmi paraqet refugjatët nga Siria që kryejnë këtë punë të mundimshme në fushat e një lugine. Kushtet e thata dhe fuqia e korporatave bujqësore globale janë sfida më e madhe, ndërsa në Rrethin e Arktikut - ku kasaforta e farave supozohej të përballonte çdo gjë - është temperatura në rritje dhe shkrirja e akullnajës. Ky është edhe mesazhi i filmit që përkon me temën “How to Survive?” për mbijetesën ndaj kushteve klimatike sot.
Ndërmjetësuesja artistike në “Manifesta 14”, Catherine Nichols, është shprehur se që kur ka ardhur për herë të parë në Kosovë, pasi miqtë i kanë treguar për “DokuFestin”, kishte vlerësuar se Bienalja duhet të marrë pjesë disi në Festival. Kështu vlerëson se ka ardhur deri te programi “Landscapes of Repair and Resistance”. Shprehet se njerëzit i përjetojnë gjërat ashtu se si i bëjnë.
“Ne duhet të mendojmë të paimagjinueshmen që mund të ndodhë, pasi e imagjinueshmja vetëm se po ndodh. Njerëzit duhet të minimalizojnë sjelljet e tyre të dhunshme e të ndërmarrin hapa individualë e grupor si ‘How to Survive?” e ‘DokuFestit’”, ka thënë Nichols.
Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, është shprehur se audienca është ajo që zgjedh filmat që dëshiron t’i shohë, t’i vlerësojë ata, si edhe temën, e të dëgjojë diskutimet e “DokuTalks”. Ka vlerësuar se çdo gjë ndryshon me kohën dhe se bashkë me peizazhin ka ndryshuar edhe vetë Festivali.
“Po i shijojmë ndryshimet në peizazhet e filmbërjes në përgjithësi. Nëse shikojnë programin e para 20 vjetëve dhe tash, mendojmë se është një festival ndryshe. Por mendoj se është normale, është në interesin e rritjes sonë dhe ne kërkojmë për filmbërës të rinj”, ka thënë Nurkollari.
Në lidhje me filmin, regjisorja palestineze ka vlerësuar se 80 për qind e rendimenteve ruhen nga individët dhe fermerët dhe jo nga institucionet.
Dy filmat e tjerë që janë shfaqur në Festival në kuadër të programit të “Manifesta 14” janë “Uyra – The Rising Forest” dhe “Landscapes of Resistance”. Filmi i parë portretizon Uyran, e cila është artiste dhe ekologe me origjinë indigjene që jeton në Manaus të Brazilit. Fjalë për fjalë, e margjinalizuar si person indigjen, queer dhe trans, që jeton në periferi të qytetit, ajo kërkon të dëgjohet dhe të shihet. Këtë e synon përmes transformimeve me ngjyrosjen e fytyrës e me veshjet e krijuara prej gjetheve e degëve të pemëve. Me këtë sjell edhe mesazhin për mbrojtjen e mjedisit dhe për të promovuar vlerat e komunitetit LGBT+.
Ndërsa filmi “Landscapes of Resistance” paraqet figurën e Sonjës, e cila ishte një nga partizanet e para femra në Serbi dhe ndihmoi në udhëheqjen e rezistencës në kampin e përqendrimit nazist Auschwitz. Në film ajo është një zonjë e moshuar miqësore me një mace në prehër. Ky është fillimi i një udhëtimi të jashtëzakonshëm përmes kujtimeve të saj për librat revolucionarë nga ditët e saj studentore, dasma e saj me një komunist, rezistenca kundër pushtuesit gjerman dhe torturat e saj pas kapjes si luftëtare komuniste dhe antifashiste, pikërisht në rrugën drejt arratisjes së saj nga kampi i përqendrimit.