Thyerje xhamash e dritare të hapura, janë dëmet e fundit që i janë shkaktuar Hamamit të Madh të Prishtinës, në të cilin para gati një dekade në emër të restaurimit u derdhën 800 mijë euro e me projekt u betonua dhe iu humb autenticiteti. Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar se këtij monumenti do t’i rikthehet në mars, e kostoja e restaurimit dhe konservimit ka shifrën e një milion eurove
Ka gati një dekadë që duket si ndërtesë e braktisur, larg autenticitetit me ndërhyrjet që iu bënë në emër të restaurimit. Por degradimi i Hamamit të Madh të Prishtinës po vazhdon. I janë thyer xhamat e dritareve. Një prej tyre të hënën që shkoi. Bashkë me thyerjen është hapur edhe dritarja. Për atë që ka ndodhur është lajmëruar Policia, por nuk është iniciuar ndonjë rast. Kurse Komuna e Prishtinës, marsin e sheh si periudhë kur mund të rinisin punimet.
Në bazë të projektit të ri për konservimin dhe restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës, në këtë monument do të investohen edhe rreth 1 milion euro. Këtë planifikojnë ta bëjnë Komuna e Prishtinës dhe agjencia turke për zhvillim dhe rindërtim – TIKA. Para gati një dekade, për një tjetër projekt pikërisht për këtë ndërtesë të trashëgimisë kulturore – të ndërtuar në shekujt XIV dhe XV – ishin investuar rreth 800 mijë euro. Por ai proces kishte përfunduar me konstatime se Hamami nuk është restauruar, por dëmtuar.
Dritarja nga ana veriore me pamje nga Xhamia e Madhe e kryeqytetit është thyer. Pos kësaj, është gjetur e hapur në mëngjesin e së hënës. Përveç fotografive që e dëshmojnë këtë, rasti përshkruhet edhe në një raport të zyrtarëve të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë.
Dritarja nga ana veriore me pamje nga Xhamia e Madhe e kryeqytetit është thyer. Pos kësaj, është gjetur e hapur në mëngjesin e së hënës
“Gjatë vizitës në Hamam u kuptua se xhami i një dritareje të Hamamit ishte thyer dhe poshtë saj ishin vendosur shkallë të drurit”, shkruhet në raportin e hartuar nga zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Agim Halili, Dukagjin Dibra e Yllka Paçarizi. Sipas raportit, këta zyrtarë, më qëllim të parandalimit të dëmtimit të objektit dhe futjes në objekt të personave të paautorizuar, kanë mbyllur dritaren e thyer me materiale që gjendeshin brenda objektit, me dërrasa dhe gurë. Në raport shkruhet se gjatë qëndrimit në hapësirat e brendshme të Hamamit nuk është vërejtur ndonjë dëmtim apo parregullsi.
“Rreth orës 14:10 në vendin e ngjarjes është paraqitur edhe Policia e Kosovës dhe duke u bazuar që nuk ka vjedhje brenda objektit dhe konsiderohet si dëmtim i vogël, na informuan se nuk ka nevojë të hapet rast në Polici”, shkruhet në raportin njëfaqësh ku janë bashkëngjitur edhe fotografi.
Por sipas Komunës së Prishtinës, ka ardhur koha që Hamami t’i rinënshtrohet restaurimit.
Bazë për këtë është një memorandum i nënshkruar më 24 prill të vitit 2018 midis Komunës së Prishtinës, TIKA-s dhe Ministrisë së Kulturës. Marrëveshja dyfaqëshe ishte lidhur pesë vjet pasi u ndërprenë punimet në këtë monument, tek u konstatua se ai që u quajt restaurim ia ka humbur autenticitetin. Prej marrëveshjes së fundit kanë kaluar më shumë se dy vjet pa u bërë asnjë hap konkret.
TIKA nëpërmjet përgjigjeve me shkrim në nëntor i kishte thënë KOHËS se procesi i projektimit ka përfunduar, si dhe projekti në fjalë është aprovuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Por, sipas kësaj agjencie, tash duhet një memorandum i ri.
“Projekti në fjalë është në procesin e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës, me anë të së cilës planifikohet që projekti në fjalë të implementohet në bashkëpunim dhe bashkëfinancim me Komunën e Prishtinës. Po ashtu, jemi në fazën e tenderimit për punët zbatuese, e që sipas planifikimeve tona punimet do të fillojnë gjatë vitit 2021”, shkruhet në përgjigjet e TIKA-s. Kjo agjenci e ka konsideruar joetike të japë informata për koston e projektit, përderisa ende nuk ka përfunduar procesi i tenderimit.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, të martën i ka thënë KOHËS se pas përpilimit të projektit do të bëhet bashkëfinancim me TIKA-n. Sipas tij, pritet që të nënshkruhet marrëveshja dhe pastaj të tenderohet projekti.
“Besoj se deri në mars fillon”, ka thënë ai. Në nëntor të vitit 2020 kishte thënë se është vlerësuar kostoja e projektit.
“Në shumicën e projekteve ne kemi bashkëfinancuar 50 me 50 për qind me TIKA-n. Restaurimi i Hamamit vlerësohet të kushtojë rreth një milion euro, kostoja totale”, kishte thënë Ahmeti. Sipas tij, Komunës i bie që të bashkëfinancojë me rreth 500 mijë euro. Kjo shumë është caktuar edhe në buxhetin e Komunës së Prishtinës për këtë vit, që figuron si “bashkëfinancim me TIKA-n për Hamamin e qytetit”.
Për Hamamin e Prishtinës, gjatë viteve 2007-2009 ishte punuar hartimi i planit të konservimit dhe restaurimit - fazë kjo e financuar nga CHwB/Sida, duke angazhuar një ekip ekspertësh nga Turqia. Projekti i hartuar me ndihmën e ekspertëve turq konsiderohej se jo vetëm që nuk përkonte me vlerat autentike të monumentit, por edhe ishte një përkthim i keq prej turqishtes.
Kompania “Arda Rei” kishte nisur punët restauruese. Madje, përfaqësuesit e saj gjatë përgatitjes së monumentit për restaurimin në muret e brendshme kishin zbuluar një pikturë murale me përzierje të dy ngjyrave themelore - kaltër e verdhë.
“Pas përzgjedhjes së kompanisë fituese për zbatimin e këtij projekti, është parë që kjo kompani nuk ka asnjë përvojë në punë konservuese/restauruese”, thuhej në një raport të datës 12 dhjetor të 2013-s të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Komisioni i monitorimit përbëhej prej institucioneve qendrore dhe komunale të kulturës, si dhe nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës.
Hamamit të Prishtinës autenticitetin ia humbi krejtësisht me ndërhyrjet e vrazhda kompania “Daja Rrah”, kur i betonoi muret e jashtme.
Me urdhër të ish-ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, punimet në Hamam janë ndërprerë tri herë. Për herë të fundit në mars të vitit 2013, dhe nuk kanë rinisur më. Gjendja e tanishme e këtij objekti është e rëndë. Përveç problemeve me të çara në fasadën që ia mbuloi autenticitetin, ky monument pesëshekullor ka probleme edhe në hapësirën brenda.
Në shtatorin e vitit 2012, Isa Mustafa, si kryetar i Komunës së Prishtinës, do ta vizitonte Hamamin e Madh të Prishtinës dhe do të thoshte se pas përfundimit të punimeve objekti do të shndërrohej në muze neolitik.
“Trashëgimia kulturore pa kufij” ishte tërhequr nga projekti për restaurimin e Hamamit tre muaj pasi kishte nisur puna.
Sali Shoshi kishte thënë se kur kanë parë që nuk ka seriozitet në proces, kanë vendosur të tërhiqen.
“Komuna në atë kohë filloi që të angazhonte kompani që nuk kishin lidhje me këtë punë. I lajmëruam institucionet dhe u tërhoqëm. Në fund u dëshmua që gjërat nuk ishin në rregull”, kishte thënë Shoshi vitin e kaluar.