Gjashtëmbëdhjetë veprat e piktorit Kamuran Goranci tashmë kanë udhëtuar në Gjermani, kanë zënë vend në “Galerie im Alten Pfandhaus” në Köln dhe presin hapjen solemne sonte (e shtunë). “CODE” është titulli i ekspozitës dhe Goranci nuk fsheh gjë nëpërmjet saj, përkundrazi, me publikun ndan një botë shumëngjyrëshe me tis ekspresionist. Ani pse është ekspozitë personale – e para që ky artist hap jashtë vendit që nga paslufta – “CODE” vjen edhe si shpalosje e artit bashkëkohor të Kosovës, meqë artisti është figurë e shquar e gjeneratës së vet.
Përgatitjet për hapjen e ekspozitës veçse kanë përfunduar. Goranci bashkë me kuratorin e kësaj ekspozite, Zeni Ballazhi, tashmë gjenden në Gjermani dhe janë duke u marrë me detajet e fundit.
Në një bisedë për KOHËN, Goranci ka dhënë detaje për ekspozitën e tij dhe për peshën që ajo ka jo vetëm për të.
“Ekspozita i ka 16 piktura gjithsej. Janë piktura të karakterit ekspresionist, moderne dhe si të themi janë abstrakte. Kjo ekspozitë është jokonceptuale dhe jotradicionale. Pikturat janë kompozicione ekspresive, abstrakte dhe bashkëkohore. Ato u përkasin dimensioneve të ndryshme: dymbëdhjetë janë në një dimension, ndërsa katër të tjerat kanë dimension ndryshe”, ka thënë Goranci për ekspozitën e tij.
Planet për hapjen e saj kishin nisur qysh para një viti e gjysmë. Nëpërmjet një bisede telefonike Goranci ka folur për rrugëtimin deri te finalizimi i këtij projekti.
“Ftesa për ta hapur ekspozitën më ka ardhur nga ‘Ura Kult’, një organizatë kulturore e shqiptarëve që jetojnë në Gjermani në bashkëpunim me Galerie im Alten Pfandhaus. Ideja ishte para një viti e gjysmë, pastaj kam marrë ftesën dhe unë kam bërë kërkesë në Ministrinë e Kulturës së Kosovës. Ata e kanë përkrahur ekspozitën time, jo të tërën, por megjithatë i falënderoj sepse pa të ndoshta nuk do të mundesha ta realizoja. Megjithatë, këtu do ta falënderoja edhe mikun tim, Zeni Ballazhi, i cili më ka ndihmuar në shumë aspekte, si në përzgjedhjen e pikturave, dizajneve dhe çdo gjëje tjetër”, ka thënë ai. Ballazhi, ndër të tjera, ka dizajnuar edhe katalogun e ekspozitës.

Jo pa emocione ka qenë Goranci një ditë para vernisazhit të ekspozitës, teksa ka thënë se pret t’i dëgjojë kritikat që do të vijnë nga vizitorët e ekspozitës.
“CODE” përbën një eksperiencë të veçantë për vetë autorin e saj megjithatë, sipas tij, ajo do të ndikojë edhe në promovimin e artit dhe mënyrës se si krijohet arti në Kosovë.
“Është shumë e rëndësishme, sepse nuk është që unë po promovohem vetëm si artist i veçantë dhe një evoluim. Si të them, kjo është mundësi që edhe gjermanët, artistët gjermanë, ta kuptojnë që edhe ne ecim me trendët e artit bashkëkohor. Është një prezantim i artit kosovar jo vetëm individual i imi, edhe pse është personale. Domethënë që në Kosovë nuk ngec arti në zhvillimin e tij, në kuptimin e tij, qoftë bashkëkohor, qoftë abstrakt, qoftë trendët e tjerë që i zhvillojnë artistët në botë. Prandaj, e ka një rëndësi shumë të veçantë jo vetëm për mua”, ka deklaruar ai.
Sipas planit, në qershor të vitit të ardhshëm ekspozita do të shkojë edhe në Tiranë, ndërsa për ardhjen e saj në Kosovë nuk ka ende diçka konkrete. Në Gjermani do të jetë e hapur deri më 16 dhjetor.
Kamuran Goranci, i lindur në Prizren, është edhe producent. Fakultetin e Arteve e kreu në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Pikturës, në klasën e profesor Muslim Mulliqit. Magjistraturën e kreu në Beograd, në vitin 1981, dhe e fitoi titullin akademik magjistër i pikturës. Ka qenë producent në tre filma të metrazhit të gjatë: “Etjet e Kosovës” të regjisorit Sunaj Raça, “Anatema” të Agim Sopit dhe “Tri dritare dhe një varje” të Isa Qosjës. Në vitin 2017 bashkë me kolegët e tij Goranci ka themeluar edhe Asociacionin e Artistëve Vizualë të Kosovës”, ku tash mban pozitën e kryetarit.