Kulturë

“C0ntainp0rary” dokumenton përgjigjen e Kosovës se “si mund të jetojmë së bashku”

C0ntainp0rary, 7 prill, promovim

“Si mund të jetojmë së bashku?”, ka qenë tema e edicionit të 17-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, vitin e kaluar. Kosova u përgjigj me “C0ntainp0rary” të Maksut Vezgishit. Tash, gati një vit pas prezantimit, vjen katalogu i cili dokumenton këtë prezantim, por jo vetëm kaq. Aty shtjellohet edhe koncepti i veprës nëpërmjet shkrimeve të njëzet autorëve fushash të ndryshme

“Toka është shtëpia/roli i urbanizimit është të krijojë mjedise të qëndrueshme që lidhin njerëzit me natyrën”, është fjalia e parë në ballinën e librit. Shërben si një intro për krejt përmbajtjen 690-faqëshe. Arkitekti e artisti Maksut Vezgishi me gati njëzet bashkëpunëtorë janë bërë tok për të nxjerrë librin “C0ntainp0rary”. Mban titullin e veprës me të cilën ai përfaqësoi Kosovën në edicionin e 17-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia më 2021.

Vepra e promovuar të enjten në Galerinë Kombëtare të Kosovës rrumbullakon pikëpamjet e Vezgishit për urbanizimin e hapësirave e ndërthurjes që, sipas tij, duhet ta bëjnë urbanistët midis zhvillimit dhe natyrës. Shkon edhe përtej saj. Shpalosen edhe pikëpamje të rreth njëzet autorëve fushash të ndryshme, në botimin që redaktorë ka Vezgishin e kritikun e artit dhe filozofin Shkëlzen Maliqi.

Sa i përket përfaqësimit të Kosovës në Bienalen e Arkitekturës vjet, e cila qe shtyrë për një vit shkaku i pandemisë, Vezgishi gjithçka e kishte konceptuar me një kontejner, nga të shumtët që figurojnë në peizazhet urbane në Kosovë. Nëpërmjet tij dhe transfigurimeve të tij, reflektonte në dimensione globale për t’i gjetur përgjigje pyetjes: “Si mund të jetojmë së bashku?”

E tash në botimin e librit “C0ntainp0rary”, përgjigjet janë shtuar edhe më. Bashkëredaktori i veprës, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se sivjet bëhet një dekadë prej kur Kosova nisi të marrë pjesë në Bienalen e Venecias. Sipas tij, edhe pse ka pasur vërejtje publike se pjesëmarrja ka kosto të lartë, asnjëherë nuk shpenzohet shumë për një ngjarje në të cilën dita-ditës shumë vende po mobilizohen për pjesëmarrje.

“Besoj se kjo është një traditë e mirë që të dalin publikime nga pjesëmarrjet. Ne duhet të inkuadrohemi në vende të tilla dhe të kemi këmbime intensive kulturore. Ka tendenca edhe te ne për mbyllje të cilat vijnë nga një trashëgimi e mbylljes që e kemi pasur në kohë të kolonizimit nga Serbia dhe kjo tendencë nuk është e mirë”, ka thënë Maliqi. Sipas tij, këto pikëpamje duhet të tejkalohen dhe bienalja është një shembull ku mund të reflektohet për problemet e urbanizmit dhe të arkitekturës. Maliqi ka shkuar përtej duke elaboruar bashkëpunimet me ngjarje ndërkombëtare të së kulturës. Ka përmendur sukseset e filmave kosovarë dhe ka thënë se nuk bëhet fjalë vetëm për suksese që vijnë nga talentet individuale.

“Prapa kësaj qëndrojnë disa struktura që kanë mbajtur komunikim me botën. Ka qenë për shembull ‘Skena UP’ një festival shumë i mirë që ka krijuar kontakte shumë të mëdha dhe Arben Zharku nga aty ka pasur kontakte të mëdha që i kanë hyrë në punë edhe në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Ne duhet të jemi në komunikim me botën”, ka thënë ai në përurimin e veprës ku gjenden imazhe të veprave të Vezgishit e edhe pamje të pjesëve të ndryshme të qyteteve të Kosovës ndër vite.

Bashkëpunëtorja për botimin “C0ntainp0rary”, Sara Sylejmani, ka thënë se njëri prej qëllimeve kryesore të kuratorit Maksut Vezgishi ishte krijimi i hapësirave ku pjesëmarrësit do t’i shprehnin mendimet e tyre individuale. Ajo ka thënë se arti, shkenca, arkitektura e urbanizmi duhet të jenë udhërrëfyese për jetë të qëndrueshme dhe edukim në mënyrë që të ketë ndjeshmëri për ekosistemin me të gjithë kompleksitetin dhe diversitetin e tij pasi kolektivisht vihen pasojat e veprimit të individit.

“Veprimi i artistit Maksut Vezgishi është një gjendje e gatshme e sjellë në një hapësirë ku ne pasqyrohemi, kështu si jemi me të vërtetën. Kjo gjendje ka thellësi dhe gjerësi që na prek të gjithëve”, ka thënë ajo.

E bashkëpunëtorja tjetër e botimit, Vildane Maliqi, ka thënë se konsideron që në aspektin teknik njëra prej vlerave më të rëndësishme që ka pasur grupi është të qenët divers në kuptimin e përfaqësimit, ku pjesë e bashkautorëve kanë qenë studentë, artistë, hulumtues e të tjerë.

“Tri dimensionet që kemi tentuar t’i prekim përmes instalacionit artistik të sjellë me objektin e kontejnerit, janë dimensionet si ai ekologjik, social dhe ekonomik”, ka thënë ajo. Sipas saj, duke punuar në temën e përgjithshme “How will we live together” ishte i pashmangshëm trajtimi i veprës në rrafshin klimatik, ku kontejneri përfaqëson strehën e mbetjeve të konsumit ditor.

“Ne parim, stacioni i fundit në zinxhirin ekonomik, kurse në anën tjetër është burim që gjeneron mënyrën e jetesës për grupe te margjinalizuara në shoqërinë tonë. Kontejneri i vendosur nën ndriçim në mënyrë metaforike tregon për nevojën e trajtimit të ambientit si prioritet duke synuar progres dhe vetëdijesim shoqëror”, ka thënë ajo në promovimin e veprës që vjen me dizajn shumë bashkëkohor dhe mund të përdoret si “recetë” urbane e njëkohësisht katalog i veprave të artit.

Jehona Shyti, komisionerja e vitit të kaluar e Pavijonit të Kosovës në Bienale, ka thënë se shteti e shoqëria kosovare me përkushtimin e angazhimin e kuratorit, ekipit dhe bashkëpunëtorëve kanë pasur një prezantim të suksesshëm e të dinjitetshëm, i cili u vlerësua lart edhe nga kritika vendore e ndërkombëtare.

“Lirisht mund të themi që ka qenë viti më sfidues i pjesëmarrjes në këtë ngjarje, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Është me rëndësi të thuhet se puna nga distanca, e masat shtrënguese nuk e kanë cenuar aspak cilësinë e përfaqësimit tonë në Bienalen e Venedikut”, ka thënë ajo. Sipas saj, promovimi i katalogut të Pavijonit të Kosovës është një moment solemn e i rëndësishëm, por më e rëndësishmja është që hulumtimi i bërë në të do të mbetet si një dëshmi e provë e një përfaqësimi të dinjitetshëm.

Vetë autori Maksut Vezgishi në rolin e kuratorit është ndalur veçanërisht në punën me bashkëpunëtorët, ideja por edhe te hulumtimi për autor të rinj dhe neutralë. Ka treguar se me shumicën e bashkëpunëtorëve ka komunikuar online dhe për herë të parë i kishte parë në Venecia. Edhe në përurim ai ka qenë “i pranishëm” nëpërmjet lidhjes online.

“Objekti përbën vetë bazën e instalacionit...”, ka thënë ai. Ka ndërlidhur edhe interesimet e tij të mëhershme për art. “’Estetika sterile' dhe bardhësia reflektuese janë kërkuar qëllimisht të formësuara si reflektim i kohës”, ka thënë ai. Ka treguar se rrugëtimi tejet i veçantë i këtij edicioni është arritur bazuar në vështirësitë e ndërtimit dhe në bazë të reagimeve dhe interesimit të publikut të gjerë në Venecia. Tashmë ajo që është paraqitur në Venecia në mënyrë edhe më të zgjeruar vjen në botimin e Ministrisë së Kulturës. Pikëpamjet e paraqitura hapin shumë horizonte që njerëzit të jenë më miqësorë e në harmoni me natyrën. Tërthorazi kritikohet urbanizimi i viteve të fundit në vend. Më drejtpërdrejt jepen zgjidhje. Nëse ato do të merren parasysh zor të dihet, por ekipi nuk e ka ndërmend të heshtë sa u përket kritikave e opsioneve.