Kulturë

Burbuqe Berisha – artistja frymëzuese në zhvillimin e kulturës

Në njëvjetorin e vdekjes së regjisores Burbuqe Berisha – e cila la gjurmë në shumë institucione kulturore të vendit, krijoi filma, shfaqje teatrore e dokumentarë artistikë – kujtimi për të erdhi nën emërtimin “Një vit pa Buqen...”. Miq, kolegë, familjarë e studentë të saj gjetën vendtakim në teatrin “Faruk Begolli” në AAB, për të dëshmuar boshllëkun që ka lënë humbja e regjisores së parë të diplomuar, e cila u bë edhe pararendësja për një frymë të re në botën e filmit shqip

Në çdo fjalim portretizohet gati njësoj. Të gjithë e njihnin si gruan e pandalshme, regjisoren me ide pafund e mbi të gjitha si një karakter tejet fisnik e njerëzor, gruan që përherë ka përkrahur gratë e tjera. Kur rikthejnë prapa shiritin e kujtimeve, miqtë e familjarët e saj e kuptojnë vetë esencën e qenies së saj: ajo s’u ndal as atëherë kur ballafaqohej me një sëmundje të rëndë. Kishte prioritet artin, studentët e saj, familjen e komunitetin artistik. Gjithnjë ishte në një udhëtim të ri, kudo bënte përpjekje për të mbjellë ndonjë fidan kulturor.

Në njëvjetorin e vdekjes së regjisores Burbuqe Berisha – e cila la gjurmë në shumë institucione kulturore të vendit, krijoi filma, shfaqje teatrore e dokumentarë artistikë – kujtimi për të erdhi nën emërtimin “Një vit pa Buqen...”.

Pararendëse e frymës së re, e pandalshme në sfida

Miq, kolegë, familjarë e studentë të saj gjetën vendtakim në teatrin “Faruk Begolli” në AAB, për të dëshmuar boshllëkun që ka lënë humbja e regjisores së parë të diplomuar, e cila u bë edhe pararendësja për një frymë të re në botën e filmit shqip.

Nga arkivat televizive në ekran u shfaq një përmbledhje e jetës dhe veprimtarisë së saj. Berisha shfaqej e qeshur në çdo angazhim. Në fillim ishin filmat që kishte bërë ata që flisnin për të, ndërkaq as trofetë nuk i kishin munguar.

Njëri nga ta kishte qenë me “Kosova 9/11”, ku në vitin 2003 kishte marrë çmimin kryesor dhe çmimin nga mediat në Festivalin e Tiranës.

“Ky film është qashtu”, kishte thënë ajo duke bërë shqiponjën. “Ka emra Agron, Teuta, Samir, Donat. Krejt tingëllojnë shqip dhe po më vjen mirë që ky film është produksion i Kosovës. Këta njerëz më kanë krijuar siguri që këto personazhe të jetojnë qysh kam dashtë”, kishte thënë ajo teksa afër vetes kishte kastën e aktorëve.

Për shfaqjen “Bretkosa” kishte thënë që ka qenë kujtimi më i madh në relacion me teatrin.

“Është një shfaqje që korrespondon shumë mirë me realitetin tonë kosovar, sidomos të pasluftës, të njerëzve që kanë zgjedhë me jetu ndershëm”, kishte thënë ajo në një studio televizive.

Në përmbledhje janë shfaqur sekuenca prej dokumentarit “Hope conquers all”, i cili është punuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Nefrologjisë. Nga rrëfimi i përditshmërisë së saj dokumenton edhe sfida të personave që vuajnë nga sëmundjet e veshkave.

“Ditën e përfundoj në një objekt tjetër të ri për mua, ka më shumë se pesë muaj që vuaj nga një sëmundje e veshkave dhe jam në dializë. Më e keqja e këtij vendi prej nga unë vij është se s’ka ligj për transplantim dhe mjekët që janë pjesë e Nefrologjisë në Prishtinë mundohen ta bëjnë të pamundurën”, ishte shprehur ajo. “I gëzoj rezultatet e mia deri në momentin që do të arrij t’i gëzoj rezultatet e shëndetit”.

Image
Burbuqe Berisha është frymëzim edhe për krijime artistike pas vdekjes. Venera Pulaj, studentja e profesoreshës Zake Prelvukaj, e ka jetësuar në pikturë portretin e saj

Artdashëse e pakompromis

Në takimin përkujtimor pianistja Lule Elezi luajti “Nocturne” nga Frederic Chopin. Anëtarja e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Shkurtë Aliu, në emër të ministrit të kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se Berisha ka qenë një prej figurave më të rëndësishme të artit në Kosovë.

“Ishte artdashëse e pakompromis, me vlera të larta njerëzore, njeri me shumë takt, person me frymën e nismëtares dhe pioniere e shumë strukturave në Kosovë”, u shpreh Aliu.

E ka cilësuar si të papërsëritshme për kontributin që ka dhënë. Ka theksuar se ka qenë një prej luftëtareve për të drejtat e komunitetit artistik.

“Burbuqen përherë do ta kujtojmë për këmbënguljen e saj të madhe për zhvillimin e kulturës”, ka thënë ajo.

Aktori dhe profesori Ilir Tafa e nisi kujtimin për Berishën me një prej fjalëve të saj. Ka thënë se ajo ka qenë kolege dhe mike e dalluar për të gjithë.

“Buqja këto pllaka s’i ka dashur shumë dhe një ditë më tha: gjeje dikë le t’i ngjyrosë ja po i marr shkallët edhe po i ngjyros vetë”, ka thënë ai për të treguar zellin e saj. “Pasi ishte me gjendje të rënduar shëndetësore, gjithmonë e rregullt në prova, merrte angazhime, edhe pse s’donim ta ngarkonim”.

Themeluesja e qendrës për luftimin e kancerit të gjirit “Jeta – Vita”, Nafije Latifi, ka thënë se nuk do ta kishte menduar që pas bashkëpunimit 15-vjeçar do të fliste për Burbuqen.

“Ky tetor sivjet më gjeti të papërgatitur, u ndjeva e pakrah, pa fjalën e Buqes: ‘Hajt tezja Nafije se e rahatum edhe këtë punë’”, ka thënë ajo me shumë emocion, duke vazhduar për të treguar për kampanjat e vetëdijesimit kundër kancerit të gjirit.

“Askush, asnjëri nuk ia ktheu fjalën, asnjë artist, asnjë regjisor, poet, kompozitor, sportist, politikan, asnjërit që iu drejtua Buqja, sepse ftesa e saj kishte peshë”, ka thënë ajo.

Si artiste e përshkroi gjithnjë në vrap për filmin e teatrin, në familje përkujdesej për vëllain e motrën.

“Me zemrën e madhe që pati, i rehatoi të tjerët pa pasur kohë për vete”, ka thënë Latifi.

Por, ajo është frymëzim edhe për krijime artistike pas vdekjes së saj. Venera Pulaj, studentja e profesoreshës Zake Prelvukaj, e ka jetësuar në pikturë portretin e saj. Ajo shfaqet artistikisht e qetë, me një shikim të hollë. Ngjyrat e përshkruajnë më së miri botën e regjisores së ndjerë: laramani dhe një frymë tejet e gjallë.

Motra e regjisores, Trëndelina Berisha, nëpërmjet dokumentarit “Hope conquers all” dha mesazh për qeveritarët.

“Sikurse Buqja ka mjaft që hjekin e s’kanë mundësi me gëzu shëndetin, me pasë sukses në fund si nëpër vende të tjera. Ndoshta ata i shohin këto dhe bëjnë më shumë për njerëzit e këtij vendi”, u shpreh ajo. “Një herë e kam pa (dokumentarin) dhe s’kam dashur ta shoh kurrë, se gjithë jetën shohim filma e shfaqje që na prekin, por (jo) kur vetë personazhi është i një hjeke të vazhdueshme”.

Regjisorja Parta Kelmendi ka thënë se në këtë përkujtim të gjithë ishin mysafirë të Berishës e që sillte nëpër mend pritjen që do t’ua bënte ajo.

“Ishte plot vullnet për jetë edhe në ditët më të vështira, gjithmonë kam menduar që edhe kjo do jetë një sfidë që do ta kalojë me sukses”, u shpreh Kelmendi.

Regjisorja Berisha u lind në Shkup, ndërsa shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Prishtinë. Si fëmijë do të përjetonte burgosjen e të atit për arsye politike, do të jetonte larg tij për shumë vjet. Në moshë të re kishte humbur nënën. Studimet për regji filmi dhe teatri i kreu në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ajo ka qenë drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Kosovës për një mandat katërvjeçar dhe anëtare e Këshillit Drejtues të këtij institucioni. Po ashtu ishte anëtare e Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës e të ansamblit “Shota”. Në karrierën e saj ishte po ashtu menaxhere në Kino ABC dhe ka qenë prodekane në Fakultetin e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Kolegjin AAB. Atje ishte edhe bashkëthemeluese e Degës së Dramës. Në krijimtarinë artistike, ndër të tjera, bëjnë pjesë produksionet televizive: “Lexi në qytet”, “Ashensori”, “Suxhuk Open”, “Kosova 9/11”, “Ëndrra”, “Nanë”, “Dimri i shpirtit”, “Bunari”, “Viti 2000”, “Diçka po zihet”, “Gratë” dhe “Çelësi”. Nga filmat e saj dokumentarë shquhen: “Për Jusuf Gërvallën”, “Universiteti nëpër vite”, “Harmonika”, “Të rritur në rrugë”, “Kinematë” e të tjerë. Ka realizuar disa shfaqje teatrore, prej të cilave veçohen: “Një çaj me Hillaryn”, “Revolveri”, “Darka private” “Bryma e vdekjes” e “Bretkosat”. Regjisorja e ndjerë ka qenë fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar dhe në vitin 2019 ishte fituese e çmimit kombëtar për kinematografi, për filmin “Një tregim Prishtine”. Lajmi për vdekjen e Burbuqe Berishës më 27 tetor të vitit të kaluar do të trondiste botën kulturore të vendit. Vdiq në moshën 51-vjeçare, në ambientet e Ministrisë së Kulturës, ku kishte shkuar për takime pune në kuadër të koncertit inaugurues të Operës së Kosovës.