Shkrimtari e akademiku malazias Jevrem Brkoviq është kujtuar në Kosovë si intelektual i guximshëm. Brkoviq, i cili vdiq të dielën në moshën 88-vjeçare, kishte shumë miq shqiptarë. Por përtej kësaj, ai është vlerësuar si shkrimtari më i mirë i Malit të Zi në shekullin XX që i kishte vënë vetes detyrë që të reagonte ndaj së keqes.
Brkoviq të hënën është kujtuar nga zëvendësministri në detyrë i Kulturës, Halil Matoshi, e nga ambasadori i Kosovës në Podgoricë, Ylber Hysa. Krijimtaria dhe jeta e tij publike janë vlerësuar edhe nga kryetari i PEN-Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendi, dhe nga shoqata rajonale e shkrimtarëve “Teuta”.
Zëvendësministri i Kulturës në detyrë, Halil Matoshi, e ka quajtur Brkoviqin si një malazias të madh dhe trim. Sipas tij, akademiku ishte një poet i mirë dhe mbrojtës i paepur i mëvetësisë së Malit të Zi.
Ka kujtuar se ka qenë në shtëpinë e tij në Podgoricë më 1986. Asokohe Matoshi si gazetar i ri shoqërohej me Idriz Ulajn e Nysret Metarapin.
“Pata bâ nji intervistë me ‘Arqipeshkopin’ e poezisë malazeze të shekullit XX dhe që atëherë ai ishte rreshtu krah shqiptarëve të cilët po përjetonin reprezalje nga regjimi jugosllav i dominuem p’ej serbëvet!”, ka shkruar Matoshi në një tekst autorial të publikuar në portalin “Telegrafi”. Ka kujtuar se Brkoviq i kishte thënë se shteti serb kishte rënë në dorë të priftërinjve ortodoksë serbë dhe çetnikëve.
“Ishte antifashist i paepun dhe tânë jetën e tij e kaloi në frontin kundër tij, tue u rreshtu me sllovenët e kroatët fillimisht por edhe me boshnjakët dhe shqiptarët”, ka shkruar Matoshi.
Ambasadori i Kosovës në Podgoricë, Ylber Hysa, i ka nisur një telegram ngushëllimi familjes Brkoviq.
“Më lejoni, në emër të popullit të Kosovës, të shpreh ngushëllimet e mia më të thella dhe më të sinqerta për humbjen tuaj të madhe. Për të gjithë ne, Jevrem Brkoviq ishte më shumë se një poet, metaforë e një kohe, frymëzues i tolerancës e kundër urrejtjes, respektit reciprok, besimit në të mirën origjinale, guximit kundër së keqes, kulturës kundër primitivizmit ”, ka shkruar ai në telegram. Sipas tij, Brkoviq shoqërohej me poetët e Kosovës kur disa donin që armët të dëgjoheshin në vend të poezisë. Hysa ka shkruar se, si i tillë, poeti e akademiku u respektua, u shpërblye, u përkthye dhe u lexua me respektin më të madh. E ka futur atë në mesin e personaliteteve të respektuara si Mark Milani e Radovan Zogoviq.
“Le të marrim pjesë edhe një herë në dhimbjen tuaj, por edhe në krenarinë e një njeriu kaq të madh i cili me forcën dhe shpirtin e tij ka frymëzuar tërë rajonin tonë për një të nesërme më të mirë”, ka shkruar midis të tjerash Hysa.
Berkoviq e kishte një jetë aspak të lehtë. U lind në Seoce afër Podgoricës, më 29 dhjetor të vitit 1933. Në fshatin Kople kreu shkollën fillore. Gjimnazin e kreu në Titograd të asaj kohe, sot Podgoricë, dhe në Sarajevë, ku përfundoi edhe Shkollën e Lartë të Gazetarisë.
Poezitë e para i botoi në “Pobjeda”, “Omladinski pokret”, “Stvaranje” të Malit të Zi e në “Zora” të Sarajevës dhe në “NIN” të Beogradit. Prej Sarajevës u zhvendos në Beograd, ku ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në gazetat “Borba”, “Novosti” e “Rad”.
Në Titograd u kthye në vitin 1958 dhe deri në pensionim punoi në Radio-Titograd. Qe themelues dhe udhëheqësi i parë i teatrit “Pionier” në Titograd, në vitin 1951.
Nismoi dhe qe redaktor i bibliotekës “Grlica”, ku u botuan librat e parë të poetëve malazez. Ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Malit të Zi, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, dhe si i pari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Malit të Zi nisi dhe redaktoi edicionin “Doclea”. Ishte iniciues i themelimit të PEN-Qendrës së Malit të Zi.
Për shkak të përplasjeve të tij me politikën, Brkoviq më 1991 emigroi në Kroaci, ku jetoi e punoi deri më 1999. Si anëtar me korrespodencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve u zgjodh më 18 dhjetor të vitit 2015 e anëtar i rregullt u bë më 18 dhjetor 2018.
Është fitues i një serie çmimesh të njohura në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Është nderuar disa herë edhe në Kosovë, ku më 2005 si i pari shkrimtar u nderua me çmimin “Kepi i shpresës së mirë” në takimet letrare “Fahredin Gunga”, që mbaheshin në Mitrovicë. Pas tij u nderuan Ismail Kadare e shkrimtari amerikan John Updike. Po ashtu, më 2013 mori çmimin “Teuta”, e më 2015 çmimin “Ali Podrimja”.
Kryetari i PEN-Qendrës së Kosovës, shkrimtari Binak Kelmendi, ka thënë se Brkoviq ishte poet trim dhe trim poet. Sipas tij, me fjalën e vet publike dhe me veprën letrare, por edhe shkencore, Brkoviq kishte paralajmëruar rrezikun nga hordhitë fashiste të Slobodan Milosheviqit.
“Ka qenë mbrojtës i lirisë së të gjithë të shtypurve në këto hapësira. Ka ngritur zërin për vendin e vet dhe për Kosovën. Ka luftuar për lirinë e këtyre dy vendeve deri në rrezikimin e jetës se vet. Dhe i ka shpëtuar këtij rreziku me ndihmën e popujve për lirinë e të cilëve nuk kurseu asgjë”, ka thënë Kelmendi. Sipas tij, Brkoviq ishte zë i fuqishëm i lirisë në kohët më të vështira. Për qëndrimet e tij Brkoviq u sulmua dy herë, më 2006 dhe 2014. Të parën herë u vra shoqëruesi i tij.
Për guximin e tij u vlerësua edhe më 2015 kur u shpall laureat i çmimin “Ali Podrimja”. Asokohe juria me kryetar studiuesin dhe poetin Agim Vinca dhe anëtarët Basri Çapriqi dhe Ilir Tafa e kishte përshkruar Brkoviqin si person forca e të cilit duhet admiruar në kundërvënie të falangës shoviniste serbo-madhe.
“Të rrallë janë shkrimtarët që kanë lënë kaq shumë dëshmi të shkruara për luftërat dhe krimet që janë bërë veçanërisht në dy shekujt e fundit në këtë hapësirë, që kanë demaskuar gënjeshtrat dhe mashtrimet si Jevrem Brkoviqi, duke ngritur lart njëkohësisht qëndresën, bujarinë, krenarinë dhe burrërinë që i ka karakterizuar në shekuj njerëzit e vërtetë, burra e gra, të painfektuar nga virusi shovinist, në këtë udhëkryq gjuhësh, popujsh e qytetërimesh që i thonë Ballkan”, kishte arsyetuar çmimin juria. Asokohe ishte thënë se vepra letrare e Brkoviqit, e gjerë dhe e frytshme, si në poezi, ashtu edhe në prozë, ndonëse niset kryesisht prej situatash dhe mjedisesh konkrete historike, ngërthen në vete, në strukturën e saj shumështresore.
Shoqata rajonale e shqiptarëve “Teuta” ka shprehur ngushëllime, por edhe një zotim. “Fryma e shpirtit të tij njerëzor dhe krijuesit të vërtetë do të shtrihet duke vazhduar rrugëtimin e përbashkët që e patëm nisur me të në emrin e mbretëreshës sonë ilire”, ka shkruar shoqata “Teuta”.