E bukura nuk i mjafton dhe estetika nuk është qëllimi i saj. Shfaqja “Bodas de Sagre” e cila në festivalin “MonoAkt” vjen nga Spanja, futet në histori tragjike dhe prej aty nxjerr rrëfimin jetësor, që jo përherë është me plot ngjyra. Është “Dasmë gjaku”, siç përkthehet në shqip. “Në art duhet t’i përlyejmë duart, në të njëjtën mënyrë se si jeta shpeshherë të trajton. Ajo duhet të zbërthehet nëpërmjet artit”, ka thënë autori dhe regjisori i shfaqjes, Pati Domenek. Për aktoren Maria Vidal shfaqja ka peshë të shumëfishtë
Skena është e errët kur nis shfaqja “Bodas de Sangre”. Kontrasti i parë në monodramë është aktorja spanjolle, Maria Vidal, veshur në të bardha. Skena ndriçohet fare pak dhe drita që i ndezët përballë ia skalit fytyrën e trishtuar. Në këtë shfaqje ndërdisiplinore ndërthuren tri histori tragjike: ajo e nënës, të dashurës dhe vetë Federicos, i cili përfundon me vdekje tragjike.
Edhe pse shfaqja konceptohet si monolog, Vidal duke ndërruar veshjen u jep jetë personazheve të tjera. Atyre me të cilët flet, të cilët i shan e që u lutet. Mes skenave këndon e vallëzon me këngë e nën tinguj të ndryshëm. Kësaj shumëllojshmërie, Vidal e vetme i jep butësi, pasion, lot, pafuqi e keqardhje. Nga këndimi i një ninulle te mallkimi i hënës shfaqja kthehet në një rrugëtim nëpër histori duke shpalosur vuajtjet e martesës, që më së paku për bazë e ka dashurinë.
Shfaqja erdhi në gjuhën spanjolle dhe për publikun nuk pati përkthim. Por emocionet e gjalla që Vidal i përçoi i takojnë çdonjërit, përtej secilit kufi, qoftë edhe atij gjuhësor.
Regjisori spanjoll, Pati Domenek, ka thënë se shfaqja me tekst dhe regji të tij është e inspiruar nga “Bodas de Sangre” e poetit dhe regjisorit spanjoll, Federico Garcia Lorcas.
“Është një shfaqje e cila është e inspiruar nga ‘Bodas de Sangre’ e Federico Garcia Lorcas, që do të thotë ‘Dasmë gjaku’”, ka thënë Domenek.
Drama origjinale e Lorcas ishte shkruar në vitin 1932 dhe u inskenua për herë të parë një vit më vonë. Do të mendohej se teksti i Domenek nuk do të përputhej me atë origjinal, duke marrë parasysh ndryshimet nëpër të cilat ka kaluar shoqëria gjatë kësaj kohe. Domenek ka thënë se fenomenet që drama i shpalos janë bartur me shekuj në shoqëri.
“Ka ndryshime të rëndësishme, sepse teksti i Lorcas është i shekullit të kaluar, që do të thotë se shoqëria e kohës kur Lorca ka qenë gjallë i ka takuar një periudhe tjetër, shoqëria tash është në shekullin XXI. Në këtë aspekt ka shumë ndryshime. Edhe pse edhe sot shumë probleme me të cilat shoqëria është përballur atëherë, janë të njëjta edhe në kohën tonë. Që nga e kaluara e deri në ditët e sotme problemet me barazi gjinore janë të njëjta”, ka thënë ai. Sipas tij, ky ka qenë një fenomen shumë i rëndësishëm, të cilin ka dashur ta adresojë në këtë kohë, përballë shoqërisë së kësaj kohe.
Regjisori spanjoll ka thënë se në art nuk mjafton vetëm e bukura. Sipas tij, duhet pasur aftësinë që publikut t’u mundësohet reflektimi dhe adresimi i problemit që prek shfaqja.
“Arti duhet të zgjojë vëmendje. Çfarëdo lloj arti që nuk është i hapur drejt progresit të njerëzimit është bosh. Pa asnjë kuptim. Kështu është shumë e rëndësishme që arti të bëjë që spektatori të mendojë për gjëra dhe t'i kuptojë ato. Të reflektojë për problemin i cili i adresohet. E bukura nuk është e mjaftueshme. Në art duhet t’i përlyejmë duart, në të njëjtën mënyrë se si jeta shpeshherë të trajton. Ajo duhet të zbërthehet nëpërmjet artit”, ka thënë Domenek.
Shfaqja “Bodas de Sangre” erdhi në skenën e teatrit “Dodona” në kuadër të edicionit të 15-të të festivalit ndërkombëtar të monodramës, “MonoAkt”.
Drejtori i festivalit, Mentor Zymberaj, ka thënë se këtë shfaqje për herë të parë e ka parë para 3 a 4 vjetëve dhe që atëherë ka filluar bisedimet që ta sjellë në festivalin e tij.
“Këto udhëtimet tona, përpos anës së promovimit të kulturës sonë, po na e mundësojnë edhe neve që të shohim shfaqje të bukura. Këtë shfaqje e kam parë në Ukrainë para 3 a 4 vjetësh, kur kam qenë me shfaqjen ‘Andrrat e Hamletit’ dhe më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Kështu që tani i erdhi radha, sepse unë që atëherë kam biseduar edhe me regjisorin dhe me aktoren, të cilët kanë një mori suksesesh nëpër botë. Jeta e tyre është vërtet shumë artistike, secila shfaqje e tyre është më e mirë se tjetra. Tani e kam edhe ofertën nga Spanja që të bashkëpunoj me ta, kështu unë vërtet isha i nderuar që gjetën kohë dhe besoj se edhe këta janë ndarë të kënaqur edhe me pritshmërinë e shikuesve, të cilët e besoj se e patën rastin të shohin një lojë specifike, një zhanër e kulturë të veçantë”, ka thënë Zymberaj.
Aktorja Maria Vidal te shfaqja veçon temën dhe natyrën e saj si një lloj aktivizmi.
“Flet shumë për barazinë gjinore dhe mbi të gjitha për gruan, vendin në të cilin gruaja do të duhej të ishte. Për mua është shumë e fortë dhe e rëndësishme, sepse mbi të gjitha në skenë unë bëj atë çfarë dua të bëj, kështu që për mua është dyfish e rëndësishme”, ka thënë Vidal.
Me këtë shfaqje regjisori Pati Domenek ka shkuar nëpër vende të ndryshme të botës. Jo çdokund kuptohet gjuha spanjolle dhe në fillim kjo mund të jetë një pengesë për publikun. Në momentin që Vidal fillon lojën, ndjeshmëria që ka shfaqja në tërësi, sipas regjisorit, i përshtatet secilit.
“Mund të flas për përvojat me audiencën e rajonit dhe pjesëve të tjera të botës. Edhe pse mund të jetë një barrierë shumë e madhe, që është gjuha, shfaqja e sotme është shumë emocionale, shumë vizuale dhe mendoj se përshtatet edhe me audiencën”, ka thënë Domenek.
po i njëjti regjisor, me aktor Sergoi Novo, të mërkurën pjesë e programit të festivalit “MonoAkt” është shfaqja “Parajanov, a celebration of life”. Në këtë shfaqje Novo ka thënë se shikuesi do të ketë mundësi të mësojë për jetën dhe punën e filmbërësit të njohur armen Sergei Parajanov.
“Është një tekst që Pati e ka shkruar dhe po ashtu është regjisor i shfaqjes me titull ‘Parajanov, festë për jetën’. Ka të bëjë me kontekstin e jetës që ai e ka jetuar, sepse shfaqja flet për jetën e Parajanovit dhe punën e tij si regjisor filmash e gjithashtu edhe për një lloj specifik të artit që ai e ka kultivuar kur ishte arrestuar. Ai filloi të punonte koka të personazheve të Shakespeareit", ka thënë Novo.
Pati Domenek, shfaqjen “Bodas de Sangre” e kishte shkruar në vitin 2010 dhe që atëherë bashkë me gruan e tij, aktoren Maria Vidal e kanë shfaqur nëpër vende të ndryshme të botës.