Kulturë

BE-ja në distancë për artefaktet e Novobërdës në Serbi

Kontrabandimi potencial i artefakteve të Novobërdës për në Serbi, për Zyrën e BE-së në Kosovë është çështje e agjencive ligjore. Për rastin ka mbajtur distancë. Në një përgjigje me shkrim, BE-ja e, cila me një milion euro ka financuar projektin restaurues e konservues të Kalasë në Novobërdës, thotë se nuk është e informuar për këtë çështje, përgjegjësinë e kthen tek institucioni mbikëqyrës, Instituti Arkeologjik i Kosovës, të cilit thotë se kompania serbe që kreu punimet ia dorëzoi disa gjetje arkeologjike

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është distancuar nga publikimet shkencore që nxjerrin në pah dërgimin e artefakteve të Kalasë së Novobërdës në Beograd. Si financues të projektit për restaurimin e Kalasë së Novobërdës, Zyra e BE-së në Kosovë ka shpjeguar kronologjinë e projektit. Sa i përket kontrabandimit të materialit arkeologjik për në Serbi, BE-ja këtë e konsideron si diçka që potencialisht duhet trajtuar nga institucionet e thirrura për këtë punë.

KOHA të hënën ka raportuar se një punim shkencor i botuar në dhjetor të vitit të kaluar në numrin e 40-të të revistës arkeologjike “Journal of Archaeological Science” nxjerr në dritë marrjen ilegale të artefakteve nga Kalaja e Novobërdës. Më 2015 kompania beogradase “KOTO”, e përzgjedhur nga UNESCO-ja, kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse implementimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO-ja. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar. Studiuesit serbë kanë nisur publikimin e rezultateve të studimeve të artefakteve të nxjerra në atë periudhë, të cilat janë marrë pa dijeninë e institucioneve vendore.

Në një përgjigje për KOHËN, Zyra e BE-së në Kosovë ka sqaruar se zbatimi i kontratës “Rivitalizimi i Novobërdës / Kalaja e Novobërdës” filloi në qershor të vitit 2013 dhe UNESC-ja ishte ngarkuar me zbatimin dhe monitorimin e aktiviteteve për rikonstruktimin e Kalasë. Zyra e BE-së ka përmendur kronologjikisht historinë e restaurimit, duke treguar se partneri zbatues, UNESCO-ja, kishte përzgjedhur kompaninë “KOTO” për kryerjen e punimeve në përputhje me rregullat e tyre të prokurimit publik. Zyra e BE-së ka sqaruar se gjatë punimeve u zbuluan mbetje të rëndësishme arkeologjike si dy objekte banimi, një ndërtesë për komandantin e asaj hapësire, një kishë, më pas një hamam i vogël me oxhak e po ashtu edhe sistemi i ngrohjes prej hipokausti.

“Gjithashtu, gjatë punimeve të kryera nga viti 2015 deri në vitin 2017, janë zbuluar një numër i madh objektesh dhe artefakte prej qelqi, qeramike, metali, eshtra kafshësh, si dhe gjyle topi e armë mesjetare”, shkruhet në përgjigje. Aty bëhet me dije se projekti është monitoruar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe kontraktuesi ia ka dorëzuar Institutit gjithsej 56 çanta dhe kontejnerë me gjetje arkeologjike. “Kontraktuesi ka siguruar edhe restaurimin e objekteve të caktuara dhe ia ka dorëzuar Muzeut të Kosovës”, shkruhet në përgjigje. BE-ja, deklarativisht, del të jetë e painformuar për parregullsi.

“Ne nuk jemi në dijeni të ndonjë shkeljeje që ka ndodhur gjatë zbatimit të kontratës. Çdo kontrabandë e mundshme është çështje e agjencive të zbatimit të ligjit”, shkruhet në përgjigjet e përcjella nga zyrtarja për komunikim, Enisa Rashlanin-Kasemi.

Në anën tjetër, të martën MKRS-ja është përgjigjur duke thënë se ky institucion e ka të rëndësishme që të konfirmojë me saktësi dokumentare faktin e nxjerrjes jashtë territorit shtetëror të artefakteve që janë gjetur gjatë zbatimit të projektit të restaurimit të Kalasë së Novobërdës. Në përgjigje shkruhet se MKRS-ja konsideron se ky projekt, nisur nga mënyra se si është dizajnuar dhe aprovuar nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, ka shumë paqartësi dhe mund të thuhet se është përcjellë me përplot dritëhije.

Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, mbikëqyrëse e projektit restaurues, ka thënë nuk është korrekte të merret materiali nga punëkryerësit.

“E dimë se në bazë të marrëveshjes – kontratës për punë – kompania ‘KOTO’ nga Beogradi nuk ka pasur të drejtë të realizojë gërmime arkeologjike. Nuk ka realizuar gërmime arkeologjike. Ka pasur për detyrë pastrimin e depozitimit të materialit të rënë shekullor brenda Kështjellës, për të realizuar konservime-restaurime në ‘Qytetin e Epërm’ të Kështjellës”, kishte thënë Rexha, të martën. Por punimi shkencor e konfirmoi se jo krejt materiali arkeologjik i është dorëzuar IAK-ut.

Një pjesë ishte marrë në Beograd. Grupi i autorëve i përbërë nga Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinskin, e dy ligjërueset në Universitetin e Novi-Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, kanë publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)” (Lëkura e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani nga Kalaja e mesjetës së vonë e Novobërdës (Ballkani Qendror). Punimi është publikuar në revistën “Journal of Archaeological Science”.

Zyra rajonale e UNESCO-s në Sarajevë as të mërkurën nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS, ashtu sikurse as kompania “KOTO”.

Studimi i pesëshes nga Serbia është përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik dhe nga Ministria e Kulturës dhe Informacionit në Serbi.

“Dëshirojmë të falënderojmë gjurmuesin e Novobërdës, dr. Marko Popoviq, nga Instituti i Arkeologjisë, Beograd, për krijimin e qasjes dhe mbështetjen në analizimin dhe publikimin e materialit”, kanë shkruar autorët. Arkeologu Marko Popoviq, i cili vdiq në vitin 2020, ishte studiues i arkeologjisë mesjetare. Ai ka qenë i ngarkuar si mbikëqyrës në punimet që janë zhvilluar në Kalanë e Novobërdës.

Një grup arkeologësh nga Kosova dhe Shqipëria që kishin vizituar punishten në tetor të vitit 2015 kishin konstatuar shumë parregullsi. Për këtë kishin përgatitur një raport, i cili nuk ishte marrë parasysh nga institucionet e Kosovës.