Etrita Abdullahu kur ishte pesë vjeçe e mban mend veten duke shikuar shfaqje baleti. Ishte fundjavë dhe babai i saj e kishte ftuar të shikonin bashkë shfaqjen “Bukuroshja e fjetur”. Abdullahu atëherë nuk e merrte me mend se magjepsja që po ndiente në ato momente për këtë profesion, pas më shumë se një dekade do ta shtynte që si adoleshente të kalonte oqeanin. Qëllim e kishte që të rritej profesionalisht pikërisht për balet. 23-vjeçarja është duke përfunduar studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për shkak të eksperiencës që po merr atje, thotë se është duke jetuar mundësinë që vjen një herë në jetë
Magjepsja pas “Bukuroshes së fjetur”
Duke mos pasur idenë se çfarë është baleti, por e magjepsur nga lëvizjet e balerinëve në shfaqjen “Bukuroshja e fjetur”, Abdullahu kishte kërkuar sqarime nga babai i saj. “Një art fisnik, shumë i vështirë, por edhe shumë i bukur e me vlerë”, kujton t’i ketë thënë i ati. E që në atë moment Abdullahu kishte nisur ëndrrat për t’u bërë mësuese, piktore, arkeologe duke kaluar si çdo fëmijë nga një profesion në një tjetër. Pasi kishte nisur ushtrimet për balet, i ishte rikthyer dashuria. Tani për të baleti është diçka e pandashme nga ajo.
“Është pjesë e identitetit tim, ka qenë pjesë e jetës sime qysh e vogël. Baleti më ka rritur dhe ka formësuar jetën time, kam bërë shumë sakrifica për këtë profesion, prandaj është pjesë imja”, thotë Abdullahu në një intervistë për KOHËN. Nga New Yorku, ku jeton që nga viti 2016, ka theksuar se baleti ka qenë gjithmonë një vend ku ajo e ka gjetur veten. “Një vend qetësie, inspirimi, krijimi, sfidimi, aventure, dashurie, ngushëllimi e edhe hidhërimi”, ka numëruar ajo një pas një.
E sfidë, sipas saj, brenda këtij profesioni mbetet vetëkritika. Këtë e sqaron duke shtuar se baleti është profesion ku tërë kohën balerinët mundohen të arrijnë një përsosmëri të paarritshme. E shpeshherë thotë se kjo mund të jetë e vështirë jo vetëm nga ana fizike, por edhe mendore.
“Është gjë e mirë kur ti punon shumë edhe tërë kohën e sfidon veten për të qenë më e mirë, është një nga gjërat që e bën baletin një profesion tërheqës që të jep sfida të reja çdo ditë dhe hapësirë për t’u rritur e zhvilluar, por është e rëndësishme që herë pas here edhe ta vlerësojmë punën tonë jo vetëm ta kritikojmë, gjë që është shumë e vështirë për shumë prej nesh”, thotë ajo.
“Giselle” – shfaqja që mbetet një ëndërr
Para se të shkonte në Amerikë për të vazhduar studimet, Abdullahu ishte ngjitur edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Bashkë me Baletin Kombëtar të Kosovës kishte luajtur në shfaqjet “My Liberty” nën koreografinë e Israel Rodriguez, “Coppelia” nën koreografinë e Ilir Kernit, “Flight to the light” nën koreografinë e Sylvia Tomova, “Your stories, my story” nën koreografinë e Darrel Toulon, “La Sylphide” nën koreografinë e Ilir Kernit, “Othello” nën koreografinë e Pullumb Agalliut, “Dasma” dhe “Ngjyrat e vallëzimit “ nën koreografinë e Mehmet Ballkan, si dhe “Recomposed” nën koreografinë e Jonathan Pranlas-Descours dhe Christophe Beranger.
Megjithatë, Etrita Abdullahu mendon se performanca më e mirë që ka, e ku është ndier me të vërtetë e përmbushur, ishte në dhjetor të vitit 2019, pak muaj para se pandemia ta pushtonte botën. Kishte vallëzuar me shkollën e baletit “Joffrey Ballet School” nga edhe ka diplomuar në vitin 2020 në “Ballet Trainee Program”.
Bëhet fjalë për shfaqjen “Arrëthyesi” ku ajo kishte pasur dy role kryesore, “Sugar Plum Fairy” që është roli kryesor i shfaqjes dhe “Snow Queen” që është një “pas de deux” (kërcim me partner). “Arrëthyesi” njihet si shfaqje tradicionale shumë e dashur për publikun në të gjithë botën, meqë lidhet me Krishtlindjet dhe me festat e fundvitit. “Ato dy role kanë qenë shumë të rëndësishme për mua dhe kam dhënë më të mirën nga vetja. Mezi pres të kem mundësinë që t’i vallëzoj përsëri këto role e të kem rastin të punoj edhe më shumë me to”, ka shtuar Abdullahu. Asaj vallëzimi i ndihmon që të ketë vetëbesim që të shprehet përmes lëvizjeve e pa fjalë. Megjithatë, ka edhe shfaqje të tjera që i ka për zemër, e “Giselle” i mbetet një ëndërr.
“Kam shumë dëshirë që një ditë të kërcej rolin e Giselles. Është një rol shumë delikat, teknikisht shumë sfidues, por edhe dramatik”, ka thënë ajo. Sipas saj, arti i bashkon njerëzit, thyen shumë barriera shoqërore. “Njohim njëri-tjetrin jo vetëm sipërfaqësisht, por në një mënyrë më të thellë, që të bën t’i vlerësosh më shumë njerëzit për atë që janë, për punën që bëjnë, arritjet e tyre dhe vështirësitë që kalojnë”, ka shtuar ajo.
Rëndësia e shkollimit të hershëm
Etrita Abdullahu e lindur në Prishtinë, por e rritur në Ferizaj, tregon se hapat më të rëndësishëm për një balerinë janë shkollimi i hershëm dhe përkushtimi në teknikë, në mënyrë që kur të arrihet një moshë e caktuar ata që e kanë për zemër e profesion baletin të mund të fokusohen edhe në zhvillimin artistik. Puna më e madhe çdoherë duhet të bëhet në studio duke ushtruar.
“Baleti nuk është vetëm art, është edhe sport në kuptimin që balerini ose balerina duhet të jetë fizikisht shumë e fuqishme për të përballuar vështirësitë fizike që ka ky profesion e provat shumorëshe. Siç thashë më herët baleti është profesion që kërkon përsosmëri, prandaj kërkon shumë punë, përkushtim e sakrificë”, thotë Abdullahu. Për të rrugëtimi deri te shkollimi në Amerikë nuk ishte i lehtë. Sidoqoftë, ajo ia ka dalë duke pasur përkushtim dhe pasion të madh për profesionin e saj, por edhe falë atyre që besuan në talentin e saj.
Duke qenë sa Abdullahu e njeh edhe skenën e baletit në Kosovë, ku akoma mungon një shkollë profesionale, ka theksuar se dallimi është i madh sidomos tek kushtet. Përderisa studentët kanë hapësirat e veta të ushtrimeve, ka staf e mësues të mrekullueshëm, ka theksuar se Kosova akoma nuk ka asnjë akademi apo shkollë profesionale të baletit për të rinjtë, edhe pse është premtuar me vite të tëra nga çdo qeveri. Ka theksuar se Kosova ka shumë potencial, fëmijë e të rinj shumë punëtorë e të talentuar, por që nuk iu ofrohen kushtet për ta zhvilluar këtë talent e potencial.
“Shpresoj shumë që sa më shpejt të vijë ajo ditë që edhe Kosova të ketë një themel për edukimin e balerinave e balerinëve”, ka thënë ajo. Përkundër vështirësive, ajo u lë si porosi të gjithë të rinjve që të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre.
“Besoni në vetvete dhe luftoni për atë që doni, për ëndrrat tuaja. Asnjëherë nuk do jetë e lehtë, gjithmonë do të keni pengesa përpara por çelësi është që të mos hiqni dorë”, ka thënë ajo. E për vajzat si ajo që duan të marrin botë për të ndjekur pasion ka shtuar se nuk duhet lejuar të tjerët që t’u tregojnë se ku përkasin, por duhet ta gjejnë vetë vendin e tyre
Larg vendlindjes, Abdullahu gjen ndjenjën e shtëpisë tek muzika. Shpesh në projektet e saj ka krijuar koreografi pikërisht me këngë shqipe. Abdullahu tani është afër diplomimit në studimet bachelor në Degën e vallëzimit në Universitetin publik të New Jerseyit. Eksperienca dhe përvoja që është duke marrë këtu beson që do ta dërgojnë me afër rolit që e ëndërron.