Do të çmohej si hulumtues trajtash dhe strukturash të pastra skulpturale, qoftë kur gdhend drurin a kur skalit granitin. Figurat historike kombëtare zinin vend qendror në artin e Aziz Islamajt, i cili vdiq të mërkurën në moshën 71-vjeçare. “Ne duhet të konkurrojmë në Evropë me vlera arti, që paraqesin kulturën shqiptare. Ne duhet t’i tregojmë botës që shqiptarët kanë etnografi e kulturë të pasur”, kishte thënë ai në shtatorin e vitit 2017
Atelieja e tij i ngjante një mini-galerie të personazheve historike shqiptare. Për t’ia dhënë këtë pamje ambientit ku punonte, Aziz Islamaj për vjet të tëra kishte gdhendur në dru e gurë. Ishte një lloj dokumentuesi pa lënë anash edhe vepra të tjera ku demonstronte talentin. Profesori universitar e skulptori Islamaj vdiq të mërkurën. Ai ishte 71-vjeç. Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë familja.
I lindur me 20 prill 1952 në fshatin Murgë të Skenderajt, Islamaj ishte i lidhur me natyrën. Format natyrore e kishin provokuar gjithnjë imagjinatën e tij. E pas shkollimit fillor e të mesëm, do t’ia mësynte Universitetit të Prishtinës. Në pjesën e dytë të viteve ’70 si student i Fakultetit të Arteve do të thellohej më shumë në skulpturë. Më 1980 edhe do të në klasën e maestros Agim Çavdarbasha. Shkallën e dytë të studimeve do ta përfundinte menjëherë pas luftës së fundit.
Si mësimdhënës arti do të punonte në disa shkolla të Skenderajt, Drenasit e deri në fshatrat e Klinës. Për 8 vjet në vitet ’90 shkaku i nevojës për të siguruar të ardhura për familjen kishte punuar si gurëgdhëndës në një kompani private në Pejë. Gdhendte shkronjat, figurat e bënte gravura në pllaka të memorialëve e varreve.
Si kujtim nga ajo kohë kishte një pëllumb të zi në mermer. Shpendit të pazakontë sa i përket ngjyrës në skulpturë, ia shtonte edhe rrëfimin që kishte prapa tij. Një e moshuar nga rajoni i Istogut e kishte porositur si element varri për të nipin.
“I kam thënë se pëllumbi bëhet i bardhë, por ajo më pyeti nëse e kam dëgjuar ndonjëherë këngën: ‘Ku po këndon ai zogu i zi përmbi varr të djalit të ri’. Nuk ka ardhur ta porosisë përmendoren, por unë nga kureshtja e kam punuar edhe për shkak të trashëgimisë shpirtërore si vargu i asaj këngë”, do të rrëfente Islamaj në shtator të vitit 2017 për “E diela me Kohën Ditore”. Punimi lidhet shumë edhe me kohën e zymtë për shqiptarët. Thoshte se vërtet pëllumba të zinj kanë fluturuar në dekadën e fundit të shekullit të kaluar sa i përket popullit shqiptar të Kosovës.
E pas luftës shpejtë do të bëhej ligjërues universitar. Prej vitit 2002 e deri në pensionim ligjëroi lëndën e përpunimit të materialit në Degën e Artit Figurativ në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Kolegu i tij, profesori i artisti Adem Rusinovci e ka përshkruar Islamajn si modelues të mirë, njohës të mirë të drurit e skulptor të mirë.
“Ka dhënë një kontribut të mirë në lëndën e tij në Fakultetin e Arteve. Ka qenë i lidhur shumë me figurat kombëtare. Ngjarjet e viteve ’80 kanë ndikuar shumë për nga atdhetarizmi. Pastaj ka pasur edhe profesorë të Shqipërisë që i kanë shtyrë të punojnë figurat kombëtare. Në vitet ’70 kanë ndikuar profesorët e Shqipërisë”, ka thënë Rusinovci. E ka përshkruar si skulptor që është përcaktuar më shumë nga aspekti kombëtar sesa nga ai ndërkombëtar.
“Si koleg ka qenë shumë i qetë e i urtë. Ka shikuar punët e veta dhe ishte i përkushtuar që studentët t’i bëjë të njohin materialet. Ishte koleg i mirë e i dashur për studentë”, ka thënë Rusinovci, ish-dekan i Fakultetit të Arteve.
Në një tekst të gjatë të titulluar “Tendenca të reja në artet pamore të Kosovës”, profesori e grafisti Shyqri Nimani kishte përmendur edhe Islamajn.
“Aziz Islamaj është krijues që hulumton trajta dhe struktura të pastra skulpturale, qoftë kur gdhend drurin, qoftë kur skalit granitin”, shkruhet në kapitullin e skulpturës në tekstin e botuar më 2008.
Islamaj numëronte dhjetë ekspozita personale në qytet të ndryshme të Kosovës e dhjetëra ku punimet e tij ishin ekspozuara bashkë me të kolegëve, po në qytet e Kosovës.
Figurat qendrore të historisë shqiptare i kishte bërë bashkë në atelienë e tij. Në skulpturë prej graniti kishte punuar shenjtoren shqiptare Nënë Tereza. “Nënë Tereza mban një fëmijë të vogël, të uritur e të sëmurë”, thoshte Islamaj, i cili fliste në superlativ për nobelisten shqiptare.
Në një punim prej graniti, ku dominojnë figura të çrregullta gjithçka është në rrëmujë dhe aspak e lehtë të deshifrohet.
“Këtë e kam titulluar ‘Përleshja’, ku paraqitet përleshja e forcave serbe me studentë në demonstrata. Është një rrëmujë e viteve të paraluftës”, shpjegonte vetë ai në atelie.
Ngjarjet historike nuk i shpëtonin. E për një masakër kishte punuar një skulpturë ku paraqitej një grua.
“Është një nënë me fëmijën e saj. Këtë ia kam kushtuar ngjarjes së shtatorit 1998 kur është bërë masakra ndaj Deliajve të fshatit Obri. Është një grua që mundohet ta mbajë fëmijën në gjendje lufte. Prandaj figura e saj vjen pak më e çrregullt, pasi njeriu humb gjatë luftës”, thoshte Islamaj.
Portretet shqiptare e kanë preokupuar në vazhdimësi. Sidomos ato të burrave të moshuar. Një të tillë e ka punuar në dru. Thoshte se pos tjerash ia ka kushtuar edhe gjyshit të tij. E për të kishte një rrëfim të veçantë.
“Gjyshi im dhe tri buste në parkun e Pejës, si fëmijë janë bërë shkas që unë të bëhem skulptor”, thoshte Islamaj
Si krijues Islamaj thoshte se merret me veten, në kuptimin e asaj që trajton temat e popullit të tij.
“Ne duhet të konkurrojmë në Evropë me vlera arti, që paraqesin kulturën shqiptare. Ne duhet t’i tregojmë botës që shqiptarët kanë etnografi e kulturë të pasur. Tashmë është duke u bërë një art ditor që bie brenda ditës. Aty unë nuk shoh vlera”, thoshte ai. Sipas Islamajt, në jetë njeriu mëson më shumë nga vuajtjet sesa nga gjërat e mira. Kishte thënë fati ka dashur që ai ta njohë mirë shqiptarinë.
“Si krijues, nëse nuk jam në gjendje të bëj diçka për traditën shqiptare është gjë e tmerrshme. Artistit duhet t’i interesojë çdo gjë. Gjërat autoktone duhet të ruhen”, thoshte skulptori që gjithçka në punën e tij e lidhte me traditën shqiptare.