Kulturë

“Atlasi etnografik i fshatit…” përballë globalizmit ruan trashëgiminë

Projekti “Atlasi etnografik i fshatit në Kosovë” dokumenton dhe promovon thesare, studion sfidat, hap shtigje dhe perspektiva për ruajtjen e etnografisë rurale. Pikërisht ky projekt është bërë sebep i konferencës të mbajtur të martën në Institutin Albanologjik të Prishtinës. “Atlaset etnografike të fshatrave në Kosovë e Shqipëri: reflektim mbi kompleksitetin e fshatit bashkëkohor”, ka qenë tema e saj

Se globalizmi është kërcënim për trashëgiminë kulturore në zonat rurale, është një konstatim i kahershëm, por i domosdoshëm për ta rikujtuar me qëllim që pasuri si këto të mos zhduken fare. Ky ka qenë njëri prej konstatimeve edhe në tryezën shkencore të mbajtur të martën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku janë bërë bashkë studiues nga Kosova e Shqipëria dhe është projekti “Atlasi etnografik i fshatit në Kosovë” që e bën të kundërtën: dokumenton dhe promovon thesare, studion sfidat, hap shtigje dhe perspektiva për ruajtjen e etnografisë rurale. Pikërisht ky projekt është bërë sebep i konferencës. “Atlaset etnografike të fshatrave në Kosovë e Shqipëri: reflektim mbi kompleksitetin e fshatit bashkëkohor”, ka qenë tema e saj.

Nëpërmjet prezantimeve dhe diskutimeve të përfshira janë shpalosur sfidat dhe transformimet e fshatrave në Kosovë e Shqipëri, duke e bërë të mundur një analizë më të thelluar të dinamikave sociale, ekonomike dhe kulturore të vendbanimeve rurale.

Lumnije Kadriu, hulumtuese në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka thënë se si projekt i nisur në fund të vitit 2022 u konkretizua me punë në terren nga muaji mars i vitit 2023, për t’i hapur rrugë pastaj dhe tryezës në fjalë duke ndarë të dhënat e mbledhura gjatë hulumtimit. Hulumtim i cili filloi me fshatin Zym, vazhdoi edhe me vizita etnografike edhe në 17 fshatra të tjera në territorin e Kosovës, si në Brod, Letnicë, Jezercë, Babaj të Bokës, Prekaz, Shalë të Bajgorës, Vidishiq, në disa fshatra të Rugovës e të tjera.

“Fshati sot po ndryshon me shpejtësi dhe ne kemi shfrytëzuar rastin që të identifikojmë dhe regjistrojmë atë që në shumicën e rasteve mbetet e arkivuar vetëm në mendjet e njerëzve të cilët flasin dhe kujtojnë atë”, ka thënë Kadriu, duke theksuar edhe ndryshimin e fshatit si vendbanim, me tendenca të ashpra të modernizmit si thirrje kjo e urgjencës për të dokumentuar kompleksitetet tradicionale të fshatrave në Kosovë.

“Atlasi etnografik...” vjen si panoramë e pasur e jetës së fshatrave në Kosovë, duke sjellë në vëmendje sfidat dhe transformimet që këto komunitete kanë përjetuar nëpër kohë. Projekti është vlerësuar si hap i rëndësishëm në dokumentimin dhe kuptimin e trashëgimisë kulturore të fshatrave në Kosovë në aspekte si: historia e fshatrave përmes kujtesës, mënyra e jetesës, struktura e familjes, ritet e ndryshme që përcjellin jetën, ritet e motmotit, aspektet ekonomike, turizmi rural, trendet e migrimit e deri te degradimi i natyrës si një çështje komplekse.

Olsi Lelaj, kërkues shkencor në fushën e antropologjisë së modernitetit në Departamentin e Etnologjisë në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në Tiranë, ka ndarë përvojat e tij në punën mbi projektin kërkimor “Atlasi etnografik i fshatit shqiptar sot”. Projekti i realizuar mes viteve 2019-2021, si nismë kryesore të hulumtimit ka periudhën pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe manifestimin e këtij ndryshimi politik në fshatrat e Shqipërisë.

“Ngjizja e këtij projekti kishte ardhur si rezultat i nevojës për të mbuluar vakumin e krijuar pas rënies së regjimit komunist dhe mungesës së hulumtimeve të tilla”, ka thënë Lelaj teksa ka ndarë edhe disa video materiale nga terreni

Rëndësi u është kushtuar edhe aspekteve të ndryshme të jetës në fshatra, duke përfshirë ritualet specifike si festa e Shën Gjergjit. “Shën Gjergji, festa e kryemotit nëpër kohë dhe hapësirë: Brod dhe Babaj i Bokës”, ka qenë tema në të cilën ka referuar Leontina Gega-Musaj.

“Praktikat e reja në traditat e varrimit” ka qenë tema e Vlorë Berishës, ndërkaq Arbnora Dushi ka referuar në temën “E shenjta dhe e mbinatyrshmja në rrëfimet personale”. Pjesë e diskutimeve ishin edhe Nebi Bardhoshi me një trajtim të “Shndërrimeve të mëdha në kuadër të disa çështjeve të Atlasit”, Ervin Kaçiu me një debat rreth emigrimit dhe fshatit, si dhe Mikaela Minga e cila ofroi për këtë tryezë studimin e saj mbi peizazhin tingullor të fshatrave në Shqipëri.

Shtrirja e temave të diskutuara në këtë tryezë shkencore ka qenë si dëshmi e pasurisë dhe kompleksitetit të realitetit kulturor të fshatrave. Diskutimet dhe analizat rreth aspekteve të ndryshme, nga ritualet tradicionale deri te sfidat e modernitetit, pasqyrojnë një shkallë të gjerë të interesit dhe diversitetit të këtij studimi.

Për gjetjet etnomuzikore në fshatrat e Kosovës, Visar Munishi sjell qasjen e tij studimore, material etnografik si audio-incizime që përfshijnë peizazhe tingullore të fshatit Babaj të Bokës, e lojë me def nga zonja të Shalës së Bajgorës. Në tryezë ka hapur diskutim edhe rreth perspektivës së shfrytëzimit të këtyre materialeve. “Këto materiale duhet të bëhen të qasshme për të gjithë përmes formave të ndryshme digjitale”, ka thënë ai. Bubulinë Syla, hulumtuese e pavarur shkencore në IAP, ka sjellë vështrime antropologjike mbi ushqimin dhe mikpritjen në fshatrat e Kosovës përmes punës së saj në terren. Në temën “Bukë e kripë e zemër” ka analizuar praktikat e të ushqyerit dhe lidhjen me mikpritjen në fshatrat si Jezercë, Stankaj, Drelaj, e Shalë e Bajgorës. Ajo ndërthur bukën me vlerat kulturore dhe identitetin. Projektin e ka vlerësuar të vlefshëm dhe të rëndësishëm jo vetëm për Institutin, por edhe për studentët dhe hulumtuesit e jashtëm.

“Ky projekt duhet të shihet si një prijës për studimet e projektet e tjera rreth etnografisë, vështrimeve antropologjike dhe studimeve albanologjike në veçanti”, ka thënë ajo, duke treguar se për shkak të fondeve të pamjaftueshme nuk është vendosur ende mënyra e publikimit të “Atlasit”.