“Tri herë opinga rrahu dheun/ sikur kërkoi leje prej tij/ pastaj shamia palët ndehu/ me qetësi dhe madhështi/”, janë disa nga vargjet e paharrueshme të Ismail Kadaresë që kishte poetizuar vallen shqiptare që, sipas tij, i çonte sinjal tokës e qiellit i jepte lajm.
Dy ushtarë të Gardës Ceremoniale Shqiptare hijerëndshëm të hënën vunë një kurorë lulesh pranë portretit të kornizuar të një burri në moshë me mustaqe të holla. Ndërsa qëndronin trupdrejtë përballë Muzeut Historik Kombëtar, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, erdhi për t’u përkulur lehtë përballë fotografisë të atij që vallet autoktone i bëri ikonë identitare.
As gati javë pas ndarjes nga jeta në moshën 84-vjeçare të dielën e 28 qershorit, cilësimet në superlativ për Besim Zekthin nuk kanë të mbaruar, transmeton KOHA.
Për gjysmëshekulli, ai kishte qenë “kryeshqiponja” kur i pari nga valltarët, me krahët e hapur si shqipe, ngjitej në skenë.
Me imazhin e tij prej valltari truplidhur e haplehtë, ai viteve të fundit paraqitej rrallë e më rrallë në publik. Në shtëpinë e tij, në rrugën “Mihail Grameno” në Tiranë, Zekthi po përballej me sëmundjen që po e kapiste gjithnjë e më shumë. E megjithatë ai mbeti i afërt me familjen e tij, me gruan që i shërbeu gjer në të fundit frymë, me tri vajzat e tij dhe me nipërit e mbesat që e shihnin me admirim e dashuri.
Bashkë me gjigandët e valles shqipe, si Shefqet Balla, Vlash Kallamata, Bashkim Braho e Rexhep Çeliku, Besim Zekthi ishte një nga interpretuesit më të mirë të valleve popullore.
“Valltar dhe koreograf. Artist i Popullit. Për rreth 30 vjet valltar i parë në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Interpretues i shquar, sidomos i valleve me motive të Veriut. Koreograf i disa valleve popullore”, është biografia e shkurtër e dhënë në “Fjalorin enciklopedik” me autor Pasho Bakun.
“50 vjet kërceva, duke filluar nga Çamëria deri në Kosovë”
Kur në vitet ’70 po frynin erëra të mbara për bashkëpunimin ndërshqiptar, në 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, valltari i shquar, asokohe 42-vjeç, do të merrte një përgjegjësi të madhe për të përpunuar një valle kosovare. Dhe përpunimi i tij koreografik doli i shkëlqyer duke i dhënë jetë valles “Dasma e Rugovës”, që i kushtohej kryengritjes së Rugovës.
Më 1971, Zekthin do ta takonin të emocionuar dhjetëra bashkatdhetarë kur një trupë valltarësh nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore performoi në Festivalin e Ohrit. Siç kujtonte vite më vonë, pjesëmarrësit në Festival kishin pranuar hapur se kultura dhe tradita artistike e popullit shqiptar ishte maja e kulturës së Ballkanit.