Kulturë

“Arkivi i Arkivuar” me zërat e përjetimeve të luftës që thërrasin paqen

Vepra e kompozuar prej Memli Kelmendit, njëherësh dirigjent e themelues i “Siparantumit” të njohur botërisht, ka jehuar të shtunën në Institutin e Artit Bashkëkohor në Pejë – “Arkiv”. “Arkiv i Arkivuar” u jep zë përjetimeve të luftës, i thërret kujtesës e kulmon me thirrjen për paqe

Në lexim të parë, titulli tingëllon paradoksal. Paradoksale është edhe zbehja e kujtimeve të luftës, dëshmive të saj. Por “Arkivi i Arkivuar” është kontrapunkt. Kori i njohur tashmë botërisht, “Siparantum”, nëpërmjet kësaj vepre, bën të kundërtën: u jep zë përjetimeve të luftës dhe jo vetëm. Kulmon me paqe dhe ky është kontrasti i fuqishëm i saj.

Vepra e kompozuar prej Memli Kelmendit, njëherësh dirigjent e themelues i Korit, ka jehuar të shtunën në Institutin e Artit Bashkëkohor në Pejë – “Arkiv” i cili prej verës së vitit të kaluar që zë vend në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Vaso Pashë Shkodrani”.

Krejt në fillim, lajmet e trishta të luftës, janë dëgjuar si në çarkodim nga dritarja e hapur e objektit shkollor. Në ballkonin e katit të sipërm kanë dalë tre anëtarët e “Siparantumit” me britmat që vijnë si dëshirë për të thyer muret në të cilat gjenden. Ritmi i muzikës elektronike që ka përcjellë në sfond sikur e ka trazuar gjithë situatën, e ai i lajmeve e bënte ngjarjen çdoherë më dinamike. Katër anëtarë të Korit kanë qëndruar në të njëjtën kohë në dritare. Me letra të bardha të pashkruara sikur kërkojnë paqe a rrugëdalje nga situata në të cilën janë të izoluar. Letrat janë edhe si lidhje emocionale midis audiencës dhe asaj që ngjanë në objektin përballë tyre. Pas pak çastesh, në dritare gjen kurajën të bashkohet në këto thirrje edhe një tjetër anëtare e Korit. Në fakt, vepra eksploron temën e luftës së Kosovës e koncepti i saj përqendrohet në kujtesën kolektive dhe rëndësinë e ruajtjes së të kaluarës.

Tingujt e thirrjet janë simbolikë e tendencës për të dalë nga atmosfera e zymtë e dikurshme që çonte drejt ankthit. Në oborr janë vendosur shirita të verdhë, ku shkruhet “do not cross” si sinonim i skenave të krimit të kryera mbi popullatën civile gjatë luftës.

Me të hyrë brenda objektit, ndryshon konteksti i këtyre shiritave. Flasin për izolimin, frikën e dëbimin nga vendi. Mbi të gjitha, për izolimin e aktivitetit intelektual në brendinë e secilit që u dëbua nga profesioni që ushtronte.

“Meloditë” e luftës publiku i ka përjetuar 24 vjet prej përfundimit të saj e gjeneratat më të reja janë njoftuar me ndjesinë e shenjat që lë ajo.

Memli Kelmendi ka thënë se “Arkivi i Arkivuar” është paraqitur paraprakisht në skena të tjera ndërkombëtare. Ka konsideruar se vepra mbetet një prej më të pëlqyerave dhe unike. Për këtë sipas tij, është fat që është pjesë e repertorit vendor.

“Vepra përmban elemente të arkivit tonë, prandaj e kemi quajtur ‘Arkivi i Arkivuar’ me idenë se brenda saj dëgjohen vuajtjet në të cilat ka kaluar populli ynë gjatë shekujve e veçanërisht gjatë luftës së fundit në Kosovë. Jemi munduar ta shprehim përmes letrës së bardhë të cilën e kemi përdorur si simbol të paqes, përmes vokalit, elegjisë, thirrjeve për paqe e dedikim për të vrarët e luftës së fundit në Kosovë. Vepra është paraqitur paraprakisht në skena të ndryshme, përfshirë edhe atë të Filharmonisë së Berlinit vitin e kaluar”, është shprehur kompozitori i veprës pas performancës.

Image
Me letra të bardha të pashkruara, anëtarët e “Siparantumit” sikur kërkojnë paqe a rrugëdalje nga situata në të cilën janë të izoluar...

Vepra është e stilit bashkëkohor dhe brenda saj mban elemente koreografike të cilat i japin qasje më ndryshe prej atyre që japin rëndom formacione të tilla. “Siparantumi” ka kohë që është dëshmuar si unik dhe për këtë ka marrë çmime të njohura ndërkombëtare.

“Është mirë që Kori vazhdimisht tenton të dalë prej konturave të zakonshme klasike dhe solistike. Kjo atmosferë i përket direkt pjesës sonë dhe të korit ‘Siparantum’, ndonëse jemi edhe fitues të shumë shpërblimeve ndërkombëtare, pikërisht në kategorinë e muzikës bashkëkohore”, ka thënë Kelmendi.

Në 15 minuta vepra ngërthen edhe shpresë. Zërat e mbi 40 anëtarëve të Korit kanë shërbyer për të treguar historitë e atyre që përjetuan luftën. Për ditë të tëra ata ishin përgatitur për performancën, në mënyrë që mesazhi te publiku të vijë fuqishëm.

“Këshillat e kompozitorit janë që në çdo vepër që e interpretojmë të përcillet mesazhi sa më i saktë tek audienca, sidomos në këtë rast, kur e kemi pasur edhe elektroniken si përcjellëse për çfarë është ideja e saj. Vepra përcjell paqen, natyrisht se edhe neve na ka ndikuar sadopak, sepse e dimë nga historia se çfarë ka ndodhur nga lufta në Kosovë”, ka thënë Kujtesa Nimanaj, anëtare e korit “Siparantum” derisa është shprehur se detyrë thelbësore ka qenë që në vepër të gjendet paqja.

Koristi Shaban Behramaj, ka thënë se paraqitjes së peformancës i kanë paraprirë provat disaditore dhe se bashkëpunimet janë rrjedhojë e punës së përditshme në koncertet brenda e jashtë vendit, por edhe në performanca si “Arkivi i Arkivuar”.

“Pa diskutim se është bërë një punë e jashtëzakonshme për të cilën jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e saj dhe që kemi pasur mundësi sado pak që përmes artit të këndimit, të artit të korit, ta paraqesim atë se çfarë ka dashur autori të paraqesë para publikut pjesëmarrës. Një vepër që paraqet përjetimet e luftës dhe ardhjen e paqes në vendin tonë. Një vepër e cila paraqet përjetimet e luftës dhe ardhjen e lirisë në vendin tonë”, është shprehur Behramaj.

Performanca ka kulmuar kur të gjithë anëtarët e Korit kanë thyer barrierat e vendosura shkallëve për në katin e sipërm. Bashkërisht kanë kërkuar edhe paqen në letrat e bardha në duart me interpretimin çdoherë më intensiv. Zërat paralelë të krejt atyre kanë jehuar në krejt hapësirën brenda objektit në përfundim të veprës. Paqen sikur e kanë gjetur e formulën e saj e kanë hedhur në dysheme. Janë ngjitur prapë aty ku gjithçka filloi me veprën, por tashmë pa barriera e lajme të trishta.

Me rastin e performancës “Arkivi i Arkivuar”, është përuruar edhe katalogu i ekspozitës “Silence Took a Hold of the Rooms”, i artistit Artan Hajrullahu i cili më 23 korrik të vitit të kaluar kishte shënuar aktivitetin e parë të Institutit të Artit Bashkëkohor “Arkiv”. Qysh në inaugurimin e vitit të kaluar, ishte bërë i ditur synimi që objekti i shkollës “Vaso Pashë Shkodrani” të bënte bashkë memorien kolektive dhe artin bashkëkohor dhe veçse e ka marrë këtë funksion. Adaptimi i objektit në Institut të Artit Bashkëkohor kishte qenë nismë e artistit të njohur Sislej Xhafa dhe ishte përkrahur prej autoriteteve komunale. Artisti Xhafa ishte shprehur se ideja e tij është një projekt që i takon komunitetit. Ai kishte negociuar me Komunën, në mënyrë që ndërtesa e ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore – që kishte shërbyer si spital e më pas shkollë – të vihej në shërbim të artit bashkëkohor. “Arkivi i Arkivuar” si thirrje për kujtesën kolektive, ka qenë fort i përshtatshëm edhe me objektin, edhe me funksionin e synuar për të.