Në punë, krijim dhe veprim e kishte shkoqitur jetën aktive (vita activa) filozofja gjermane Hannah Arendt. Në ditët tona jeta është bërë një lloj vallëzimi mes punës dhe krijimit, duke mbetur në nivelin e qenieve ekonomike. Kështu, përkufizimi i vetes bëhet më tepër prej asaj çfarë bëjmë sesa prej asaj çfarë jemi.
Me këto përsiatje të filozofes gjermane, që i kishte dëgjuar gjatë një “podcasti” mbi filozofinë, shkrimtari dhe autori kanadez Chris Robinson ka shpalosur pikëpamjet e tij mbi botën e animacionit gjithnjë në evoluim.
Me prezantimin e tij online pasditen e së martës në kuadër të sesionit “Pyetje dhe përgjigje”, festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar” ka shënuar ditën e dytë të programit të sivjetmë.
I konsideruar prej kohësh si një prej ekspertëve stilistikë më origjinalë në historinë e animacionit, Robinson shquhet për qasjet e tij kritike e studimore në një varg temash.
Në bashkëbisedim me animatoren Flaka Kokolli, autori kanadez ka thënë se animacioni kurrë nuk ka qenë më shumë njerëzor sesa që është sot.
Fillin e rrëfimit të tij e ka kthyer 30 vjet pas në kohë. Për aq sa i shkonte mbamendja për vitet ’90, njerëzit asokohe seç kishin njëfarë fiksimi mbi përsosurinë teknike të mjeshtërisë së animacionit.
“Me ndonjë përjashtim të rrallë, plot filma dukej se ishin ngurrues apo edhe të paaftë për t’u marrë me jetën e vërtetë dhe botën që po e jetonim”, ka thënë Robinson.
Megjithatë, dikush do ta thyente këtë trend. Ai ishte miku i tij i studimeve, Andreas Hykade, i cili përmes filmit të shkurtër “Ring of Fire” do të etablonte artistikisht një pazar dëshirash seksuale. Po kaq histori në përqasjet e reja të animacionit do të sillte edhe J.J. Villard me “Son of Satan”.