Kulturë

Animacioni – mjet që duhet përfshirë në sistemin arsimor

Lidhja e fëmijëve me animacionin dhe ndikimi që ka ky art në formimin e tyre, duhet të përdoret jo vetëm në rrethana joformale. Sipas atyre që merren me sistemin shkollor, animacioni duhet të jetë pjesë integrale e edukimit formal. Në përfundime të tilla kanë ardhur folësit e panelit “Animacioni për të ardhmen” në kuadër të këtij edicioni të festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar” në Pejë. E një film si “Kill it and Leave this town” zhvendoset në një botë heronjsh letrarë dhe idhujsh të animacioneve të fëmijërisë

Shumica e fëmijëve kanë heronjtë e tyre nga filmat vizatimorë. Pos që i përmendin shpesh, heroi i tyre mund të ndikojë edhe në karakterin që ndërtojnë. Ndodh që edhe për veprimet që bëjnë, t’u shkojë mendja se si do të vepronte heroi i tyre në atë rast.

Por lidhja e fëmijëve me animacionet dhe ndikimi që ka ky art në formimin e tyre, duhet të përdoret jo vetëm në rrethana joformale. Sipas atyre që merren me sistemin shkollor, animacioni duhet të jetë pjesë integrale e edukimit formal. Në përfundime të tilla kanë ardhur folësit e panelit “Animacioni për të ardhmen” në kuadër të këtij edicioni të festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar” në Pejë.

Të mërkurën Krenare Lleshi, menaxhere e projekteve në organizatën zvicerane “Caritas”, dhe Shkëlqim Berisha, hulumtues në organizatën “ETEA” – e cila ka për qëllim edukimin publik dhe merret shumë me leximin te të rinjtë – kanë shpalosur pikëpamjet e tyre për animacionin si mundësi e një prej formave të edukimit të fëmijëve dhe të të rinjve.

Përballë “Kino Liqenit”, dyshja, bazuar në eksperiencat e tyre nga puna e deritashme, ka dhënë shumë rekomandime.

“Me përvojë e kam vërtetuar që nxënësit kanë kureshtje për dije. Animacioni ua bën më atraktiv mësimin”, ka thënë Berisha. Sipas tij, pas rifillimit të mësimit gjatë pandemisë, ankesat e mësimdhënësve ishin se nxënësit nuk kanë pasur përqendrim.

“Nëse kishin pasur animacion në kurrikulë do ta kishin kaluar këtë situatë më mirë”, ka thënë ai. Por Berisha, derisa është thelluar në këtë temë, ka thënë se para se të kërkohet kurrikulë më e mirë për sistemin shkollor, duhet të kërkohen edhe mësimdhënës të mirë.

“Vetëm 20 për qind e studentëve të Fakultetit të Edukimit e përdorin teknologjinë. Mësimdhënësit në Kosovë nuk hyjnë në kategorinë e pjesës së emancipuar. Vetëm 7 mijë nga 25 mijë mësimdhënës janë vaksinuar kundër koronavirusit”, ka thënë ai.

Sipas tij, animacioni e rrit ndjesinë sociale të fëmijët. Ka thënë se ata shpesh veprojnë ashtu siç do të kishte dëshirë superheroi i tyre. Ka thënë se dallimi është shumë i madh nëse një mësues u flet fëmijëve për dru në klasë dhe nëse të njëjtën gjë e bën në natyrë. Sipas tij, mësimdhënësit duhet të jenë me më shumë vetiniciativë pasi mësimi nuk bëhet vetëm me dëgjim, por edhe me shqisa të tjera.

Image
Filmi “Kill it and Leave this town” e çon publikun në botën e personazhit që ikën nga dëshpërimi pasi humb ata që ishin më të dashurit për të

Krenare Lleshi është pajtuar me Berishën dhe ka thënë se pos animacionit edhe lojërat ju ndihmojnë fëmijëve që t’i kenë më të qarta mësimet.

“Teknologjia ecë shumë më përpara në raport me mësimdhënien. Ne akoma kemi problem me e përfshi animacionin në shkolla”, ka thënë ajo. Disa herë ka përmendur nevojën për përfshirjen e animacionit në shkolla, jo si lëndë të veçantë, por si mjet shtesë për edukim në lëndë të caktuara.

Për këtë e kanë marrë edhe përkrahjen e atyre pak të rinjve që kanë dëgjuar diskutimin, kryesisht staf dhe vullnetarë të “Anibarit”.

“Ekologjinë e kemi pasur lëndë zgjedhore dhe profesori nëpërmjet një animacioni na pati treguar se si po dëmtohet shtresa e ozonit shkaku i ngrohjes globale, përfshirë edhe efektet që prodhon ky fakt”, ka kujtuar një nga ata që kanë përcjellë panelin. Ka shtuar se nga lënda e ekologjisë kjo është e vetmja gjë që i kujtohet. Më këtë ka dashur ta dëshmojë fuqinë e animacionit në sistemin shkollor. Nuk është thënë shprehimisht nga pjesëmarrësit, por diskutimi ka çuar në atë se sistemi shkollor në Kosovë është goxha i izoluar.

Kjo i ka shkuar për shtat edhe temës së sivjetme të “Anibarit”. Festivali në edicionin e 12-të ka temë qendrore “izolimin”. Por këtë nuk e ka izoluar thjesht vetëm te pamundësitë e krijuara nga pandemia, por izolimi është duke u shoshitur gjerë e gjatë në Pejë nga e premtja e javës së kaluar.

Të mërkurën janë shfaqur dhjetëra filma në kuadër të kategorive të ndryshme. Midis tyre edhe “Kill it and leave this town” me regji të Mariusz Wilczynsk. Prodhimi i vitit të kaluar është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, ndër të cilat edhe Çmimin Special të Jurisë në “Annecy International Animated Film Festival” e i nominuar ishte edhe në kategorinë “Best First Feature” në “Berlinale”. Drama prej 1 orë e 28 minutash e shëtit publikun nëpër realitet, por edhe në botë imagjinare. Izolimi është atypari gjatë gjithë kohës.

Një prej personazheve – plaku i trenit – është zëruar nga zëri i regjisorit dhe aktorit Andrzej Wajda, i cili, midis të tjerash, është edhe fitues i çmimit BAFTA” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj me “Danton” në vitin 1984.

Filmi “Kill it and Leave this town” e çon publikun në botën e personazhit që ikën nga dëshpërimi pasi humb ata që ishin më të dashurit për të. Ai fshihet në një vend të sigurt kujtimesh, ku koha nuk ecën dhe i duket se të gjithë të dashurit e tij janë gjallë. Me kalimin e viteve, imagjinata i shkon deri në atë nivel, saqë një qytet rritet në imagjinatën e tij. Bile, një ditë, heronjtë letrarë dhe idhujt e animacioneve të fëmijërisë vijnë të jetojnë po në atë hapësirë. Por kur heroi zbulon se ata të gjithë realisht janë plakur dhe se rinia e përjetshme nuk ekziston, ai vendos të kthehet në jetën reale.

Të enjten në “Anibar” do të mbajë ligjëratë një prej pjesëmarrëseve më të rëndësishme në kuadër të këtij edicioni, Brooke Keesling. Artistja nga Los Angeles, e cila është e përfshirë edhe në filma të njohur që ishin fitues të çmimeve “Oscar” e “Emmy”, si “Inception”, “The Dark Knight” dhe “Pirates of the Caribbean”, do të ligjërojë mbi temën “Hyrja në industrinë e animacionit”. Keesling është drejtuese e “Animation Talent Development” në “Bento Box Entertainment”.

Animatorja 52-vjeçare për dekada me radhë ka punuar si artiste në animacion dhe industrinë VFX, në produksion, edukim, si dhe në zhvillimin e talenteve. Para se të bëhej pjesë e “Bento Box Entertainment”, ajo ka rekrutuar talente të animacionit për “Cartoon Network”, “Disney” dhe “Warner Bros”. Pos ligjëratës së saj, pjesëmarrësit do të mund të shohin edhe filma në tri kategori garuese. Me krejt programin, “Anibar” synon çizolimin. Se sa do të arrihet të bëhet kjo, mbetet të shihet edhe në edicionet që vijnë.