Poetik ka ngjarë të jetë koncerti i parafundit në kuadër të Festivalit “PriVocal”. Mexosopranoja Carrère ka magjepsur me zërin e saj. Ajo futej në protagonistë veprash e karakteret që shfaqte përmes tyre ishin kontraste. Ngjyrat e zërit të mahnitshme, ndërsa paraqitja skenike e saj rrezatonte shumë emocione që shpaloseshin midis vargjeve të këngëve.
Koncertin e ka nisur me këngët “Chant Corses”, “Lamentu D'u Trenu” dhe “U Meru Pastore” të kompozitorit francez, Henri Tomasi. Ka qenë një nisje me vepra që dallojnë shumë midis tyre sa u përket melodive dhe gjendjes emocionale që shprehin ato. E para ka qenë serioze, e dyta melankolike dhe e treta humoreske e që duket se sjell një temë të lumtur.
Atraktive kanë qenë këngët “Ninina” dhe “Xilimbrina” nga cikli “Mélodies populaires corses” të këtij kompozitori. Tri këngë të italianit Lucioano Berio kanë qenë më delikate si “Dolce cominciamento” dhe “Ballo”, ndërsa “La Donna ideale” më virtuoze në vokal por edhe në lojë të pianos.
Liturgjike kanë ngjarë tri pjesë nga “Canzoniere op.17” të italianit Ermanno Wolf-Ferrari. Mexosopranoja Carrère ka interpretuar “Preghiera 'Quando a letto”, “Vado di notte” dhe “Preghiera 'Spirito santo”.
Mexosopranoja Albane Carrère ka thënë se ky repertor sjell emocione të ndryshme.
“Repertori ndryshon shumë, nganjëherë notat janë shumë të larta, pastaj shumë të ulëta, nganjëherë është më ngadalshëm e pastaj shumë shpejt. Janë emocione të ndryshme. Nganjëherë është një vajzë e ëmbël, e pastaj një grua e vërtetë që vuan nga jeta. Ka shumë emocione të ndryshme dhe është e vështirë teknikisht”, ka thënë ajo.
Më pas në program ka pasur pesë këngë popullore greke nga francezi Maurice Ravel duke zbërthyer vargje të këngëve “Chanson de la Mariée”, “Là-bas vers l'église”, “Quel galant m'est comparable”, “Chanson des cueilleuses de lentisques”, “Tout gai!”.
Këngë tejet e bukur e interpretim emocional ka qenë ai i veprës “Il est quelqu'un sur terre”. Ka diçka tejet të veçantë te kjo vepër përderisa i gjithë repertori koncertal i mexosopranos grumbullohet nën titullin e saj në një gjuhë më universale.
Mexosopranoja Albane Carrère ka thënë se vepra është përplot mesazhe.
“E dua këtë vepër, prandaj e ndërtova këtë program rreth saj. Është këngë britanike, shumë e dashur për mua. Rashë në dashuri me të, prandaj doja të bëja një program folklorik që sillej rreth kësaj vepre, të kishte vepra nga vendet mediterane. Doja të kishte diçka logjike rreth dashurisë dhe vetmisë. Vepra do të thotë se nuk jemi vetëm, është dikush dhe mund ta gjejmë dikë”, ka thënë ajo për KOHË-n.
Ka treguar se këtë program e ka punuar menjëherë pas pandemisë dhe e ka theksuar se është me përplot stile përbrenda.
“Është program të cilin e kam regjistruar menjëherë pas pandemisë në vitin 2021. Doja të bëja diçka prekëse me vepra të cilat i kam dashur gjithë jetën time. Janë këngë mediterane dhe folklorike, italiane, franceze dhe greke gjithashtu patëm në fund edhe veprat e kompozitorit belg për vokal, çello dhe piano. Ishin aranzhime, bëmë diçka klasike me pop ku e ndryshova zërin për këtë pjesë për të sjellë ngjyra dhe atmosferë më ndryshe”, ka thënë më tej mexosopranoja franceze, Albane Carrère, e cila është po aq e suksesshme në prodhime të mëdha operash sa edhe në projekte muzikore kamertale.
E lindur në Vjenë, Austri, ajo studioi sociologji në ULB përpara se të fokusohej në këndim në Konservatorin Mbretëror të Muzikës në Bruksel. Ajo është shfaqur rregullisht si soliste në festivale të ndryshme evropiane dhe në skenat e operave në Francë, Belgjikë dhe Itali, duke interpretuar një repertor që shkon nga Baroku në veprat bashkëkohore.
Sezoni i kaluar, ajo u shfaq në “L'Enfant et les sortilèges” të Ravelit në Operën e Avignonit, në “Madame Butterfly” në “Festivalin e Aix-en-Provence”, dhe në shumë projekte të ndryshme, si “Le Miroir de Jesus” i Caplet me Orkestrën e Normandisë, koncerte me trio me violonçel, fizarmonikë, kitarëitarë dhe violinë, disa recitale me piano, dhe një turne në Belgjikë me programin e saj “Il est quelqu’un sur terre”. Në këtë sezon, ajo do të këndojë, mes të tjerash, “Carmen” në Kinë me muzikantët e Operës së Bastille në Paris, dhe “Zerlinan” në Operën e Catania-s në Itali.
Në tetor të vitit të kaluar, mexosopranoja Carrere ishte soliste në interpretimin e “Stabat Mater” të virtuozit italian, Gioachino Rossini, bashkë me sopranon Besa Llugiqi, tenorin Pablo Karaman e baritonin Julian Konstantinov nën përcjellje të Orkestrës e Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe Korit të Përzier të Selanikut. Koncerti ishte dirigjuar nga grekja Mary Konstandinidou në kuadër të programit të edicionit të gjashtë të “Prishtina International Vocal Festival”.
Sopranoja Besa Llugiqi ka thënë se në atë kohë kishin interpretuar në tjetër zhanër e stil. Koncertin e së shtunës mbrëma e ka konsideruar me vokale më intime e më afër publikut.
“Mënyra se si ajo i interpretoi dhe i solli te ne ishte jashtëzakonisht e ndjeshme, shumë e bukur, në një mënyrë jashtëzakonisht relaksuese, pa shtyrje, teknikisht shumë bukur e realizuar. Kishte shumë dritë në këndimin e saj, shumë emocion që shprehej edhe në mimikën e saj dhe këtë ia thashë. Ka qenë këndshëm ta dëgjosh gjithë këtë program, pasi kishte laramani të kompozitorëve dhe cikleve, një numër i madh i veprash. Por që erdhi bukur dhe që publiku e priti jashtëzakonisht mirë”, ka thënë sopranoja Llugiqi.
Carrere ka interpretuar edhe “Quand j'étais chez mon père” të Britten, ndërsa në pjesën e fundit të programit, dyshes Carrere dhe pianistit Duraku u është bashkuar edhe violonçelistja Donjeta Cërmjani.
Shtatë këngë nga belgu Jean-Luc Fafchamps kanë qenë aranzhime pop klasike, siç i ka quajtur në skenë mexosopranoja. Kanë qenë melankolike e relaksuese. Treshja në skenë ka interpretuar “Les amours de Madame Tchabaï”, “Le cœur dans un bocal”, “Belle abandonee”, “Madame rêve”, “Fuir le bonheur”, “Toutes les choses” dhe “Immortels”.
Violonçeli i ka dhënë ngjyra melankolike kryesisht, ndërsa pianoja ato dinamike e harmonike. Pianisti Andi Duraku ka thënë se gjithë programin e ka luajtur për herë të parë.
“Ishte mjaft sfiduese duke marrë parasysh se kërkojnë një tingull komplet ndryshe nga çfarë jemi mësuar të dëgjojmë, mirëpo ishte kënaqësi dhe sfidë. Sfidat gjithmonë i pëlqej, sidomos kur bëhet fjalë për një muzikë të mirë”, ka thënë Duraku.
E ka konsideruar përvojë të jashtëzakonshme bashkëpunimin me mexosopranon Carrere.
“Ishte kënaqësi të punoj me këtë program i cili ishte komplet ndryshe nga i gjithë repertori që kam luajtur më parë. Ishte koncert shumë sensitiv që përfshinte, pos etapave të ndryshme, kishte edhe regjione të ndryshme, muzikë mediterane, franceze, muzikë e cila ishte aranzhuar pikërisht për këtë koncert. Gjashtë pjesët e fundit ishin edhe premierë në Kosovë, janë luajtur për herë të parë. Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të bashkëpunonim për herë të parë”, ka thënë ai më tej.
Violonçelistja Donjeta Cermjani ka thënë se për të programi i koncertit ka qenë përvojë e re me vepra bashkëkohore.
“Kanë qenë gjashtë vepra për çello, piano dhe mezosopran. Albane ka qenë super person, jo vetëm super këngëtare. Ka qenë emocion shumë i mirë ta ndash skenën me të dhe shpresoj se do ta kem mundësinë prapë të luaj me të, sepse është muzikante shumë e mirë. Sa u përket përgatitjeve, kemi pasur një periudhë të shkurtër, diku një ditë e gjysmë prova, por besoj se ia kemi arritur dhe kemi sjellë më të mirën nga vetja. Publikut i pëlqeu, morëm fjalë të mira dhe besoj se kjo ka rëndësi”, ka thënë Cermjani.