Reagimeve që vënë në pikëpyetje nëse biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të duhej ta përfaqësonte shtetin në Panairin e Librit në Leipzig u është bashkuar edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.
Në ditën e fundit të këtij edicioni të Panairit – ndër më rëndësishmit në Evropë, Kraja ka reaguar duke ngritur disa pikëpyetje.
Akademik Kraja ka shkruar se beson që është “rasti i vetëm kur një shtet përfaqësohet nga një institucion ‘libërlexues’ dhe jo ‘libërbotues’”.
“Nuk e kam të qartë prej nga e merr mandatin Biblioteka Kombëtare të përfaqësojë letërsinë, fundja kjo nuk ka rëndësi, por nga pamjet në TV pashë një stendë të shëmtuar, me një renditje librash me pamje primitive, dhe me disa shkrimtarë (respekt për ndonjë përjashtim!) që nuk marrin vesh as nga i bie letërsia shqipe”, ka shkruar ai në Facebook.
“Pse nuk rrinë në shtëpi të vet këta njerëz, këtë nuk e kam të qartë dhe pse nuk i mbajnë këta libra të shëmtuar në bodrumet e Bibliotekës, por i nxjerrin atje ku na shohin të gjithë! Edhe një gjë për kolegët e mi shkrimtarë: hiquni ma patericave të ‘Traduki-t’”, ka shkruar Kraja.
Reagime të ngjashme ka pasur edhe para se të niste edicioni i sivjetmë i Panairit, që është mbyllur të dielën.
Edhe reagimet paraprake kishin ngritur pikëpyetje se përse institucioni më i lartë bibliotekar në vend duhet ta përfaqësojë Kosovën. Javën e kaluar drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, kishte thënë se bazuar në ftesën e Panairit ku është kërkuar që përfaqësimi të bëhet nga institucioni që ai drejton, është vendosur që institucioni që ai udhëheq të ketë shtand në këtë ngjarje.
Midis atyre që kishin reaguar ishte edhe botuesi Berat Dakaj, i cili udhëheq shtëpinë botuese “Armagedoni”.
Dakaj, i cili njëherësh është punonjës i BKK-së, kishte thënë se nuk do t’i dërgojë BKK-së asnjë titull për ta prezantuar në Panair.
“Cila bibliotekë kombëtare e shteteve evropiane i paraqet botimet e botuesve nëpër panaire ndërkombëtare? Asnjë. Sepse s’u përshkruhet ky aktivitet në ligj. As sonës s’i përshkruhet, po këtu kemi njerëz që s’e përfillin ligjin, që janë mbi ligjin, që paratë e veta përtojnë t’i shpenzojnë për të bërë një vizitë në Panairin e Librit të Tiranës e që s’përtojnë të shpenzojnë para të institucioneve”, ka shkruar, ndër të tjera, Dakaj.
Reagimet si ky, drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, i kishte quajtur “frustrime të paqëndrueshme”. Kishte përsëritur se më 2019 Panairi ka komunikuar direkt me MKRS-në dhe ka propozuar që prezantimi të bëhet nëpërmjet BKK-së.
“Ideja ka qenë se meqë ekzemplari i detyrueshëm vjen në BKK, asnjë shoqatë nuk mund të bëjë prezantim më të mirë se BKK-ja”, kishte thënë ai. Për reagimin e Krajës, Gajraku ka thënë se do të bëjnë një përgjigje si institucion.
Shtetet e rajonit përfaqësohen, po ashtu, nga institucionet shtetërore. Sllovenia përfaqësohet nga Agjencia e Librit, Serbia e Kroacia nga Ministria e Kulturës.
Më 27 prill BKK-ja në bashkëpunim me “Tradukin” – rrjetin e themeluar më 2008 me synimet për komunikim nëpërmjet librit duke përkthyer vepra, e në të cilin rrjet Kosova synon të anëtarësohet sivjet – ka organizuar promovimin e veprës “Libërthi i dashurisë” të Shpëtim Selmanit. Më pas në bashkëpunim me programin e Panairit është promovuar vepra “Një grua amerikane në Kosovë 1981–1997” i autores Janet Reineck. Diskutimi “Koleksioni historik: Diskutim historiografik i tetë grave të jashtëzakonshme në historinë e Ballkanit”, është mbajtur në kuadër të promovimit të veprës “No Man’s Lands: eight extraordinary ëomen in Balkan history” me autorë Elizabeth Goëing dhe Robert Wilton.
Në bashkëpunim me “Tradukin” të shtunën është promovuar edhe vepra “Kësulëkuqja (përrallë për të rritur)” e autorit Ag Apolloni. Kjo vepër u nderua me Mirënjohje të Veçantë nga Çmimi i BE-së për Letërsi.
E të dielën është promovuar romani grafik i Gani Jakupit, “Le Serpent à deux tetës”.
Me rreth dy mijë e 500 ekspozues nga më shumë se 40 vende, me mbi tre mijë e 400 pjesëmarrës, mbi 3 mijë e 600 ngjarje në 550 skena, Panairi i Leipzigut sivjet hapi portat të enjten për t’i dhënë fund këtij edicioni të dielën. Është ngjarja e cila edicionin e parë e mbajti këtu e 391 vjet më parë, në vitin 1632. Më 2021 e më 2022 nuk u mbajt për shkak të pandemisë.