Kulturë

Adelina Ismaili si rast studimi zbërthen thyerjen e kodeve shoqërore

E qartë, nuk ka shkencë në paraqitjet e Adelina Ismailit, por studiuesja Aurela Berila e dëshmon se ato mund të zbërthehen nëpërmjet teorive shkencore. Ose së paku këtë e synon, duke hulumtuar aktivitetin artistik të saj. Me punimin studimor “Adelina – një tregim i qenies pa kompromis”, ajo do që subjektit të saj “t’i ofrohet hapësira meritore në kontekst akademik për të reflektuar mbi ndikimin e saj shoqëror e kulturor”. Nëse ia del, është tjetër çështje

Për ta zbërthyer një tregim mbi qenien e pakompromis dhe jo vetëm, studiueses Aurela Berila i mjafton që këtë ta bëjë duke vështruar empirikisht qoftë me vetëm një subjekt dhe veprimtarinë e saj. I pazakonshëm është edhe rasti i studimit: këngëtarja Adelina Ismaili. Njashtu sikurse edhe karriera e Ismailit, edhe studimi i kësaj studiueseje të teorive kritike në Universitetin e New Yorkut, së paku tash për tash nuk është fort i zakonshëm. Është kategorizuar si “publikim shkencor në formë të një eseje kërkimore” dhe ato me të cilat Berila bën shkencë janë paraqitjet publike të Adelina Ismailit, që “shërbejnë si gjurmë të një procesi strategjik të përmbysjes së vlerave shtypëse të shoqërisë përmes një kodi të performancës që nuk është menjëherë i dukshëm, por fuqimisht prezent në një formë të modifikuar”, siç prezantohet projekti. Titullohet: “Adelina – një tregim i qenies pa kompromis”.

E qartë, nuk ka shkencë në paraqitjet e Ismailit, por Berila e dëshmon se ato mund të zbërthehen nëpërmjet teorive shkencore. Ose së paku këtë e synon, duke hulumtuar aktivitetin artistik të saj përballë atyre që Berila – e cila ka studiuar edhe rrëfimtarinë në multimedia – i quan rrethana problematike shoqërore gjatë viteve ’90 e 2000 dhe synon ta lexojë atë përmes teorisë kritike dhe feministe. Synimi është i qartë: Adelina Ismailit “t’i ofrohet hapësira meritore në kontekst akademik për të reflektuar mbi ndikimin e saj shoqëror e kulturor”. Nëse ia del, është tjetër çështje.

Me ligjëratë publike e ka prezantuar Berila studimin e saj, të mërkurën mbrëma në Auditoriumin e vogël të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Rasti i studimit, Adelina Ismaili, nuk ka qenë aty. Ka ardhur nëpërmjet videove, që në hapje të ligjëratës, kur Berila ka shfaqur nja dhjetë minuta prej emisionit “Pa dorëza” të aktorit e deputetit Adem Mikullovci, tashmë të ndjerë. Është intervista e Mukullovcit me Adelina Ismailin. Pikërisht videoja kishte shërbyer edhe si bazë e studimit të saj, sepse aty Adelina fliste qartë për mënyrën se si ajo e krijonte muzikën e saj. Në video Adem Mikullovci kritikon mënyrën e paraqitjes së këngëtares Ismaili, teksa i sugjeron asaj që në videoklipet e ardhshme të vishet “ashtu siç e ka dhënë Zoti” apo pse jo edhe me dimi. Në anën tjetër, Adelina shpjegon se si veshja e saj nuk kishte për qëllim shpalosjen e formave trupore, por revoltën ndaj shoqërisë patriarkale shqiptare. Berila ka folur edhe për këndvështrimet e ndryshme me të cilat e kishte shikuar këtë intervistë.

“Kam dashur ta shoh në një tjetër dimension. Është një përplasje në mes të një burri të moshuar dhe një vajze të re dhe dy roleve të kodifikuara gjinore, një përballje. Rrjedhimisht ky është edhe një ballafaqim ideologjik mes rrjedhave patriarkale, që janë të personifikuara nga Adem Mikullovci – një dimension gati performativ, sepse është duke e luajtur rolin e mbrojtësit të djallit – domethënë është duke i vokalizuar këto mendime që mund t’i ketë një burrë i rëndomtë. Jam e sigurt që diku aty është edhe duke u shfaqur direkt mendimi i tij i vërtetë. Në anën tjetër është Adelina, e cila është duke artikuluar revoltën ndaj këtyre vlerave në mënyrën e saj”, ka shpjeguar artistja multidisiplinare Aurela Berila.

Berila ka folur për performativitetin i cili, sipas saj, e shpjegon se si në njëfarë mënyre vetë identiteti i njeriut dhe agjencia e tij janë duke u zhvilluar në mënyrë diskursive. Ka treguar se si ky fenomen mund të vërehet edhe tek Adelina.

“Për mua Adelina ka qenë shembull i mirë që e demonstron fuqinë transformative të këtij orientimi të brendshëm ndaj forcave të jashtme dhe impaktin që mund ta ketë në nivel kulturor sidomos kur është performative. Ajo e ka bërë këtë gjë ne skenë dhe ne jemi duke folur për strategji të përditshme, por që i shohim në një mënyrë shumë më të theksuar, përmes performancave të saj”, ka konstatuar Berila.

Ndër të tjera Berila, e cila po ashtu merret edhe me projektet hulumtuese arkivore, ka konstatuar se paraqitjet publike të Adelinës janë dëshmi e një projekti për përmbysjen e vlerave shtypëse të shoqërisë sonë.

“Subjekti refuzon të kushtëzohet nga pritshmëritë e një shoqërie patriarkale në kohë emergjente historike dhe rrjedhimisht përgatit kushtet për një kod të ri performativ – jo vetëm në skenë, por edhe përtej saj si një ‘premtim politik’ dhe si shembull i lirisë së vetëpërmbajtur”, është shprehur ajo.

Por, procesi i hulumtimit kishte ndikuar që Berila ta kuptonte edhe më shumë rrugën nëpër të cilën kishte kaluar këngëtarja gjatë asaj kohe.

“Vetë procesin e hulumtimit e kam parë si një mostër të vogël të eksperiencës të cilën e ka pasur Adelina për shkak se në proces të gjetjes së materialeve kam pasur punë me të njëjtit njerëz, pak a shumë, të cilët i kanë menaxhuar të gjitha produksionet e asaj kohe. Për t’i marrë këto materiale kam pasur një proces të ngjashëm në një aspekt. Jam përballur me paragjykimet e njerëzve taktikat e ndryshme diskreditive, në baza të kodeve sociale, si ‘vajzë e re që po vjen ta bëjë një projekt’”, ka thënë Berila.

Në rolin e një vajze, e cila për çdo ditë përballet me problemet e shoqërisë, Berila ka theksuar se vështirësitë me të cilat Adelina ishte përballur ekzistojnë ende veçse janë paska më të maskuara.

“Ndonëse gjuha që përdoret sot është më e zbutur dhe vështirësitë janë më të maskuara. Unë mund të them se si një vajzë e re në një shoqëri, si person i margjinalizuar në shoqëri, gjithmonë je duke u kundërpërgjigjur ndaj prohibicioneve që veç ekzistojnë dhe vetëm pas kësaj kundërpërgjigjeje e ke mundësinë të shprehesh vullnetarisht, ashtu siç ti ndihesh”, ka thënë Berila.

Duke u nisur nga përvoja e saj, studiuesja Berila ka folur edhe për habinë se si, pavarësisht mënyrës se si Adelina Ismaili ishte paraqitur nëpër videoklipet e saj, ajo ishte pranuar nga shtresat e gjera të shoqërisë. Lidhur me këtë ka treguar se si kur kishte qenë e vogël gjyshi i saj, i cili nuk e kishte lënë as t’i lyente thonjtë dhe kishte qenë tejet patriarkal, nuk e kishte ndërruar asnjëherë kanalin në momentet kur ishin shfaqur këngët e Adelinës.

Gjithë këtë studim Berila e kishte bërë nisur nga aspekti sociologjik i performancës së Adelina Ismailit, ndërsa me vetë artisten nuk kishte vënë ndonjë kontakt. Për ta dëshmuar edhe më qartë mënyrën e veçantë se si performonte Adelina, në fund të ligjëratës Berila ka shfaqur edhe videoklipin e këngës “Mos ma gjuaj diellin me gur” të realizuar në vitin 1993, kur ajo kishte qenë vetëm 13 vjeçe.

“Adelina: një tregim i qenies pa kompromis” është realizuar në kuadër të platformës “Heritage Space” zbatuar nga CHwB Kosova (Trashëgimia kulturore pa kufij), financuar prej Qeverisë Suedeze dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Image
“Adelina – një tregim i qenies pa kompromis”, ka titulluar Aurela Berila atë që e ka kategorizuar si “publikim shkencor në formë të një eseje kërkimore”