Dardan Zhegrova ka vendosur që t’i ndajë me publikun kujtimet e tij. E këtë e bën nëpërmjet katër etapave jetësore, që janë katër kapituj të ekspozitës së tij “Brand New Ancients”. Kthehet në të kaluarën, eksploron fëmijërinë, por nuk ndalet aty. Është një lloj autobiografie, ku fjalët janë veprat e artit. “Është si një udhëtim nëpër hapësirë, ku e kaluara është duke e formuar të tashmen, duke e drejtuar të ardhmen...”, ka thënë Zhegrova
“Brand New Ancients” është rrëfimi jetësor i Dardan Zhegrovës me art. Një lloj monografie artistike e shkrirë në instalacione tekstilesh, tingujsh e skulpturash nëpërmjet të cilave ndërtohen kujtime. Skenografia e ekspozitës vjen kronologjikisht, prej fëmijërisë e deri më sot. Periudha e fundit është hapësira boshe në të cilën reflekton etapat e deritanishme. Veprat i bëjnë të gjalla dhe i nënshtrojnë në transformim kujtimet.
Ekspozita – njëra prej dy të fundit të programit vjetor që vijnë paralelisht – fut në Galerinë Kombëtare të Kosovës qasje të reja artistike. Praktika e artistit Zhegrova është produkt i veprave unike të ekspozuara aty.
“Maze” është e para vepër me të cilën vizitori bie në kontakt. I kushtohet eksplorimit të kujtimeve të para të artistit. Materiali pëlhurë i vendosur në formë të perdeve të errëta me ngjyrë vjollcë është instaluar për të formuar korridore zigzage. Ngjan në një lloj labirinti. Secili nga kujtimet avancohet me efektet zanore duke intensifikuar ndikimin e tregimeve me art, që sikur flet për ndjeshmërinë e artistit në kuptimin e jetës dhe gërshetimin e ngjarjeve të saj.
Është edhe poetika aty e përjetimin e bën edhe më të thellë instalimi zanor. “How to save all of this, not just like a memory but as a place” janë fjalët e shkruara me ngjyrë ari, që në shqip do të thonë se: “Si ta ruajmë krejt këtë, jo vetëm si një kujtim, por si një vend”. Ndalesë për të ndryshuar kahun është njëra prej skulpturave që gjenden në pjesën tjetër.

Kuratorja e ekspozitës, austriakja Catherin Mayer, ka thënë se gjithçka lidhet me kujtimet e artistit.
“Labirinti është simbolikë e kompaktit të kujtimeve. Ato nuk janë koherente. Mund të shkosh në një drejtim, të kujtohet diçka, por ajo fshihet. Por nganjëherë të duket se është një kujtim, por është diçka e momentit. Ka të bëjë më shumë me mendimin se në çfarë mund të kthehen kujtimet, të shkruara në material”, ka thënë ajo.
Me t’u larguar nga labirinti i krijuar nga instalacioni me tekstil dhe audio, vjen ndeshja me një varg skulpturash. “The Entities” (Entitetet) janë veprat që sjellin një përjetim më mistik. Konstruksionet prej druri dhe metali u ngjajnë gjymtyrëve dhe duken si simbole për lehtësimin e lëvizjes. Artisti është frymëzuar nga lodrat e fëmijërisë. Ato janë zbukuruar me materiale dekorative dhe pëlhura. Disa vijnë në formë të siluetave. Me praninë e audios gjithandej, tek “Entitetet” krijohet iluzioni se ato komunikojnë me shikuesit. Nga një sy vështron në secilën prej tyre në çdo cep të hapësirës ekspozuese.
Për këtë pjesë, kuratorja Mayer ka thënë se këto skulptura janë shoqëria e artistit, bazuar në boshllëkun e tij si fëmijë. Sipas saj, mund të lexosh shumë në këto vepra dhe se ato nuk janë njerëz e as nuk kanë specifika që ndërhyjnë në këtë relacion.
“Ai mundohet të kthehet në kujtimet e së kaluarës, në kujtimet e fëmijërisë. Kur e takova ishte moment shumë i ndjeshëm kur tha se është artist autodidakt. Ai nuk është trajnuar si artist, por si gazetar. Duke u ndërlidhur me aftësinë e tij për të mësuar dhe kuptuar gjërat, m’u duk shumë frymëzuese dhe kuptimplote. Për këtë ngjarje ai do të eksplorojë kujtimet e fëmijërisë dhe specifikisht skulpturat në dhomën e dytë. Ato quhen entitete. Janë si personifikim për miqtë, sepse ai ndihej shumë i vetmuar në shkollë”, ka thënë Catherin Mayer, në vernisazhin e ekspozitës të enjten mbrëma.
Zhegrova ka treguar se skicat për këto vepra janë shkruar në vitin 2007. I kishte përshkruar si krijesa që mundësonin ikjen dhe si çelësa për një botë tjetër.
“Është si një udhëtim nëpër hapësirë ku e kaluara është duke e formuar të tashmen, duke e drejtuar të ardhmen, pasi vizatimet janë prej 2007-s, janë transformuar në skulptura në të tashmen. Me rëndësi për mua është që shikuesi ta shohë si eksperiencë intime nëpër krejt ekspozitat për shkak që edhe ajo ‘Maze’ labirinti derisa vjen këtu, mandej i takon ‘Entitetet’, mandej është ‘Kështjella’ me vizatime të caktuara që janë prej momenteve të së kaluarës. Janë momente tepër të rëndësishme në jetën time”, ka thënë artisti Zhegrova.

Veprat shihen si shoqëruese imagjinare, ndërkohë “Voodoo Dolls” janë frymëzuar nga format e kukullave të vendosura në tjetër dhomë ekspozuese. Aty has në një shabllon të shpalosur që merr formën e një kështjelle me anë të mureve prej druri. Një hapësirë më komode ngjan me jastëkët e shtruar. Komoditeti aty shkon përtej me projeksionet e vizatimeve. Të punuara në material të tejdukshëm, drita e shënjestruar në të e bën të reflektojë në mur me krejt ngjyrat e veprave. Të punuara në dimensione më të vogla, pasqyrimi i dritës në to i bën më madhështore.
“The Castle” në përgjithësi ndërthur imazhe dhe lidhjen personale me to te vizitorët e galerisë artistike të Zhegrovës.
Kapitulli i fundit është dhoma boshe, me shumë ndriçim dhe ku krejt çfarë përjetohet janë kujtimet që vijnë të projektuara në audioinstalacion. Qëllimisht ajo është më minimaliste duke krijuar kontrastin drastik me hapësirat e tjera. “Oneness” përfshin një dritë të fortë me ngjyrë të bardhë të orientuar drejt dyshemesë, që e ndriçon këdo që ecën nëpër rrezen e saj.
Sipas artistit aty është hapësira e reflektimit për krejt ngjarjet, ndodhitë, përjetimet në jetë. Aty është edhe fillimi i një kapitulli të ri të tij.
“Jam duke punuar qe 15 vjet si artist. Por këtë ekspozitë jam duke e ndier dhe përdorur si një formë për ta ndërruar një faqe, kapitull të ri. Një fazë e re, më duket se për atë edhe përfundon me një dhomë të bardhë ku ti je një entitet”, ka thënë Zhegrova.
Audioinstalacionet i quan si gjuhë e shpirtit të cilën të gjithë e dinë, por nuk e përdorin. Ato i ka bërë në bashkëpunim me muzikantin Tomor Kuçi, i cili është bazuar në incizimet dhe poezitë e artistit.
“Është si njëfarë udhëtimi që lidhet edhe me kujtimet e Dardanit, shumë elemente që ai i ka shprehur, por edhe me kujtimet që i ka shprehur edhe nëpërmjet poezisë. Këto poezi m’i ka dërguar dhe unë nëpërmjet tyre jam inspiruar për t’i bërë këto, që po i quaj si kompozime me tinguj të kësaj forme që ngjasojnë më muzikën e ambientit. Ka plot audioincizime që Dardani m’i ka dërguar ato çfarë ka xhiruar me telefon, por kemi punuar edhe në studio”, ka thënë Kuçi derisa ka shpjeguar mënyrën e punës me tingullin.
“Ndoshta prej të vetmeve momente muzikore ndodh bash këtu ku jemi te ‘Kështjella’, por të tjerat kanë të bëjnë me Dardanin kur i ka shkruar poezitë dhe i ka përmendur disa tinguj kyç që e lidhin me atë storie. Më pas me atë moment kemi luajtur. Më shumë janë tinguj që i dëgjojmë në përditshmëri, të trajtuar me efekte të ndryshme”, ka thënë ai.
Ekspozita “Brand New Ancients” është e parafundit në programin e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ajo e Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës e hapur të premten mbrëma është e fundit për sivjet.
Kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Hana Halilaj, e ka vlerësuar ekspozitën si prurje e narrativave të reja në këtë institucion.
“Kjo është ekspozita e parë institucionale e Dardanit, që është një hap i rëndësishëm në praktikën e tij, mirëpo edhe për ne është e rëndësishme që përmes tij të sjellim narrativa të reja e më ndryshe, të tematikave që Dardani i trajton. Kësaj radhe inspirimi i shumë punëve ka ardhur prej fëmijërisë duke nisur nga aty, por është edhe vazhdimësi e punëve të tij”, ka thënë Halilaj.
Ajo ka thënë se fokusi sivjet ka qenë në prodhimin e ekspozitave personale dhe veprave të reja krahas ekspozitave retrospektive dhe kolektive.
“Për Galerinë dhe programin e saj për vitin 2023 fokusi ka qenë në mbështetjen e realizimeve të reja dhe sidomos artistëve të rinj. Përveç ekspozitave grupore dhe atyre retrospektive që kemi pasur, të gjitha ekspozitat e tjera kanë qenë komisione apo prodhime të porositura për ekspozita personale në Galeri. Jo vetëm për ne është e rëndësishme që puna e tyre prezantohet për herë të parë, por kjo mbështetje dhe këto bashkëpunime shkojnë përtej prezantimit në Galeri”, ka thënë kuratorja Halilaj. Ekspozita qëndron e hapur deri më 4 janar.
Me krejt shpalosjen e botëkuptimeve dhe të kaluarën, artisti lë pyetje pa përgjigje në kapitullin e fundit të ekspozitës. Atë që ende nuk e ka shkruar në serinë e rrugëtimit që ringjall kujtimet.