Kulturë

“Jeta dhe bota e artit” – rrëfimi inspirues e unik i Blerim Luzhës

Ka qenë maji i vitit 2020, kohë pandemie kur artisti Blerim Luzha do te vendoste ta shkruante tregimin mbi jetën dhe veprën e tij. Por monografia që e ka sjellë tash Luzha (86) është më shumë sesa një tregim në vetë të parë. Është rrëfim inspirues për një njeri që i ndjek ëndrrat e i realizon ato. Dëshmi e figurave të tilla që lënë gjurmë në ndërgjegjen shoqërore

Monografia “Jeta ime dhe bota e artit” është rrëfimi kronologjik i jetës dhe veprimtarisë së artistit Blerim Luzha. Një lloj ditari që nis me familjen, fëmijërinë, shkollimin e krijimtarinë e tij artistike. Aty janë edhe rrëfimet më personale si prapaskena të rrugëtimit drejt profesionit e pasionit.

Rrëfimi për trungun e familjes dhe dedikimi i veçantë për anëtarët, është fillimi i librit voluminoz. Zhvillimet e jetës së tij i prek që nga momenti kur profesori Eqrem Çabej ia kishte vënë emrin. Fëmijërinë e përshkruan të mbushur me përpjekje, entuziazëm, dëshpërime e vuajtje. Përshkruan kushtet e vështira të jetesës e problemet politike të familjes së tij.

“Jeta ime...” është edhe një lloj udhëpërshkrimi drejt Milanos, Bolonjas, Parisit. Me kalimin e disa prej sfidave, vijnë të tjerat. Ajo për të gjetur punë ishte, njëra prej tyre. Përjetimi i artit në Paris e jo vetëm përshkruhet në monografi. Trajtohet opera “Toska” e Puccinit e vizitat në ekspozita. Artisti Luzha ia shpalos lexuesit krejt jetën e tij. Ngjan në një bashkëbisedë joformale me të. Takimi me shkrimtarin Martin Camaj e bashkëpunimi me veprimtarin Ukshin Hoti e më pas edhe vizita te skulptori me origjinë shqiptare Vagelis Mustakis i paraprijnë kapitullit “Krijimtaria artistike”, ku përfshihet opusi i Luzhës. Veprat janë të ilustruara edhe me fotografi.

Paraqitjet në ekspozitat e tij personale në Prishtinë, Tiranë, Beograd dhe Paris i ka përshkruar si suksese të dëshmuara edhe nga kritika.

“Jeta dhe vepra”, “Bibliografia”, “Vlerësime kritike për veprimtarinë” dhe “Nga krijimtaria”, janë katër kapitujt që e ndërtojnë librin “Jeta ime dhe bota e artit “ të Blerim Luzhës.

Rexhep Goçi është recensent i librit. Ai shkruan se “Blerim Luzha e ka thurur një pëlhurë me dritëhije jetësore që nga fëmijëria, djalëria, burrëria e deri te mosha e thyer e tij. “Ai e ka nisur këtë shkrim si lindje në kaltërsinë e qiellit, por edhe me pak re të bardha, pa ngrehina tautologjike dhe pa teprime të dukshme”, ka shkruar ai.

Sipas tij, me gjuhë të natyrshme Luzha tregon për gëzimet, hidhërimet e synimet e tij drejt rrugëtimit si njeri e krijues i arteve të bukura.

“Në monografinë e tij janë paraqitur (në mes 88 njësive shkrimi) tri segmente me rëndësi të veçantë. Segmenti i parë e pasuron kodin (formulën) e traditës, që ai e shtjellon në shkrimin e tij kur flet me qasje njerëzore për miqtë e babës, të cilët i viziton, i nderon dhe i çmon ashtu si duhet”, ka shkruar Goçi derisa ka shpjeguar edhe kapitujt e tjerë.

Sipas tij, segmenti i dytë është “miqësia me njerëz të ndryshëm në Kosovë dhe jashtë. “Komunikimi me ta për jetën, artin dhe kulturën ka qenë jo vetëm njohje, por edhe një pasuri shpirtërore dhe një ngritje profesionale në shumë aspekte”, ka shkruar Goçi, derisa segmenti i tretë bën fjalë për përvojat krijuese si artist meritor.

Zgjedhja e Galerisë Kombëtare të Kosovës për ta promovuar librin është domethënëse. Luzha kishte punuar aty për afro dy dekada.

Image
Me monografinë “Jeta dhe bota e artit” – e përuruar të mërkurën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës – Blerim Luzha ia shpalos lexuesit krejt jetën e tij. Ngjan në një bashkëbisedë joformale me të. Aty ka shumë personazhe, kapituj kontrastesh në jetë, rrëfime sfidash e suksesi. Është rrugëtimi i një artisti në kuptimin e plotë të fjalës

Ai ka thënë se me monografinë i është plotësuar tabloja jetësore e krijuese dhe se ky botim mund të jetë inspirim për pasardhësit e tij.

“Gjithmonë kam dashur të lë një trashëgimi familjare, informata apo rrëfime mbi jetën time dhe përjetimet që i kam pasur gjatë kësaj periudhe kohore. Shpresoj që rrëfimi im intrigon të gjithë ata që kanë dëshirë për të mësuar mbi ngjarjet e asaj kohe dhe përjetimet e një artisti, i cili me gjithë sfidat, kryesisht politike, megjithatë ia doli t'i realizojë disa ëndrra. Shpresoj që rrëfimi im të jetë inspirim për katër nipat dhe tri mbesat e mia”, ka thënë ai.

Në promovim kanë qenë të pranishëm figura të artit e ato të politikës. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj i ka ndarë medalje artistit pionier.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, derisa e ka vlerësuar kontributin e Luzhës në skenën artistike, ka thënë se do të vazhdojnë të mbështesin format e tilla të dokumentimit dhe nderimit të veprës së figurave të shquara të artit e kulturës.

“Po takohemi në një intermezzo të shumë ekspozitave që zhvillohen në Galeri për ta nderuar Blerim Luzhën, një prej personaliteteve të veçanta të botës së artit, që përveç krijimtarisë edhe fushës shumë unike, ka qenë pionier, e ka nisur. Nuk ka pasur shumë të tjerë pas tij, vazhdon të jetë unik dhe shumë i veçantë edhe sot e kësaj dite në artin, krijimtarinë e tij, edhe në kontributin që ka dhënë për institucionet kulturore të artit aplikativ në vendin tonë”, ka thënë ministri Çeku.

Profesoresha e muzikës, Besa Luzha, familjare e artistit, ka thënë se hapësira e zgjedhur për përurim përkon edhe me një pjesë të veprës jetësore të artistit Blerim Luzha.

“Blerimi ka qenë një kohë të gjatë punëtor në Galerinë Kombëtare të Kosovës, deri në pensionim dhe ka qenë shumë e natyrshme që këtë përurim, që ndoshta është e ngushtë për të gjithë ju që jeni të ftuar, por një prej arsyeve kryesore ka qenë që përurimi po ndodh në shtëpinë e tij të dytë që e ka pasur afër edhe ku ka jetuar”, ka thënë Luzha.

Zëvendësuesja e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojani, ka thënë se gjurmët e kontributit të Blerim Luzhës janë kudo në Galeri.

“Duke filluar nga materiale të ndryshme arkivore, të cilat tregojnë bashkëpunime të ndryshme me rajonin dhe ndërkombëtarët, që keni pasur me artistët në atë kohë. Pastaj strukturimin e institucionit në tërësi dhe fillimin e themelimit të koleksionit shtetëror dhe pasurimin e tij, pjesë e të cilit jeni edhe ju vetë profesor”, ka thënë Gojani.

Luzha ka diplomuar në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd në vitin 1963, ndërsa ato pasuniversitare në Shkollën Superiore Kombëtare të Arteve të Bukura në Paris, të cilat i përfundoi katër vjet më pas. Po në Paris kreu specializimin në atelienë e njohur të dizajnit të tekstileve dhe të modës “Opera Dessins”. Ka punuar dy vjet në kombinatin e tekstileve në Gjakovë e më 1970 ka punuar si bashkëpunëtor profesional për krijimtarinë artistike në Bashkësinë Krahinore të Kulturës, ndërsa në vitin 1986 është pranuar në Galerinë Kombëtare si kurator për artet aplikative dhe për koleksionin e institucionit.