Këtu e para një çerekshekull, në kohë të turbullta për shqiptarët, një grup veprimtarësh do të bëheshin tok që t’i jepnin zë historisë e fakteve, duke ftuar albanologë e shkencëtarë eminentë nga të katër anët e botës. Në Arbon të Zvicrës, nga këndvështrime të ndryshme, do të dëshmohej autoktonia e lidhja e shqiptarëve me botën perëndimore. U deshën 25 vjet që materialet e atij simpoziumi të dalin në dritë me përurimin e librit “2000 vjet krishterim te shqiptarët”, siç u titullua edhe ngjarja e bujshme
Më 5 dhe 6 shtator të 1998-s në qytetin historik Arbon të Zvicrës, do të mbahej simpoziumi i parë shkencor për krishterimin ndër shqiptarë. “2000 vjet krishterim te shqiptarët”, do të pagëzohej ngjarja e cila qëllimisht ishte vendosur në shënimin e njëvjetorit të vdekjes së Nëna Terezës. Vlerësohej simpozium me peshë për shkak të idesë, vizionit dhe qëllimit. Është dashur një çerekshekull që materialet e prezantuara asokohe të përmblidhen në librin voluminoz me të njëjtin titull si simpoziumi. Libri vjen tash ndonëse ishte planifikuar të botohej më së largu dy vjet pas ngjarjes, dhe ka disa arsye për këtë.
Në përurimin e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, të hënën paradite, “2000 vjet krishterim te shqiptarët” është konsideruar libër me vlera shkencore, kulturore e historike. Si burim e literaturë e rëndësishme për studiuesit e studentët e për ata që duan të mësojnë për historinë e kulturës dhe të traditës së krishterë te shqiptarët.
Libri është përmbledhje e artikujve shkencorë dhe referimeve të shpalosura para 25 vjetësh. Në simpozium kishin marrë pjesë studiues e historianë të njohur të kohës, jo veç shqiptarë. Ishin emra të dëshmuar në fushën e albanologjisë si: Noel Malkolm, Robert Elsie, Peter Bartl, pastaj Kristo Frashëri, Jahja Drançolli, Ramadan Sokoli, Mark Krasniqi, Engjëll Sedaj, Bejtullah Destani dhe jo vetëm.
Kristë Coli që e ka përgatitur librin ishte kryetar i Këshillit të simpoziumit. Para të pranishmëve ai ka vlerësuar se “krishterimi është besim, kulturë, civilizim dhe shtyllë e identitetit evropian”.
“Në këtë manifestim sot po shprehim edhe krenarinë tonë, sepse bibliotekës botërore po ia ofrojmë një pjesë shumë të rëndësishme të historisë sonë dymijë vjeçare të krishterimit te shqiptarët që lidhet me autoktoninë e lidhjen tonë me botën perëndimore. Krishterimi dy mijë vjeçar yni duhet të na shërbejë si argument historik se populli ynë me vlerat e shumta kulturore e historike ka dhënë kontribut të madh, sidomos lufta që bëri Gjergj Kastrioti në mbrojtjen e civilizimit evropian”, ka thënë autori Coli.
Ka thënë se fryma krishtere properëndimore vazhdon të jetë edhe sot ndërgjegje e tyre sepse, sipas tij, “orientimet e tjera perëndimore janë shkatërrimtare për kombin dhe shtetin e Kosovës”.

Libri ka marrë formë me redaktimin e profesorëve Jahja Drançolli, Papas Antonio Belushi, gjuhëtari Alfred Beka, si dhe nga Këshilli Organizativ i simpoziumit të 1998-s: Kristë Coli dhe Ahmet Asani.
Asani ka thënë se ata janë përballur me sfida të mëdha të cilat i kishin identifikuar si “veprime të drejtuara dhe të sponsorizuara nga Beogradi zyrtar dhe mjerisht nga disa individë e organizime të kohës, të cilët para çështjes kombëtare kishin nxjerrë ideologjitë apo interesat e tyre personale”.
“Se ky organizim kaloi nëpër sfida, u pengua dhe nuk u përkrah sa duhej e si duhej, flet edhe fakti që këto materiale të cilat ishin planifikuar të botoheshin një deri dy vjet pas simpoziumit, pra të dilnin si libër më së voni deri në vitin 2000, ato për 25 vjet ngelën të pabotuara”, ka thënë Asani derisa është shprehur se organizimin e simpoziumit e kishte parë si nevojë shpirtërore.
“Idenë e organizimit të një simpoziumi të tillë shkencor me përmasa të tilla internacionale, unë personalisht atëkohë si veprimtar, e kam kuptuar dhe përkrahur si nevojë shpirtërore, së pari për ta njohur të vërtetën tonë historike si komb dhe së dyti për të na njoftuar më mirë e më drejt bota përparimtare perëndimore nga e cila atëkohë edhe prisnim përkrahje në rrugëtimin tonë për liri. Përkrahje të cilën edhe e morëm, kur e kishim më së vështiri dhe vazhdojmë ta kemi edhe sot e kësaj dite”, ka thënë Ahmet Asani, i cili bashkë me Kristë Colin e kanë përgatitur librin “2000 vjet krishterim te shqiptarët”.
Në promovim është kujtuar edhe sfida e përpunimit të materialeve. Ishte dashur të bëhej punë restauruese. Fillimisht ishte menduar që libri të shtypej me materialet origjinale, por më pas materialet në gjuhë të huaja ishin përkthyer.
“Me sistemimin, digjitalizimin dhe përgatitjen teknike të materialeve kam filluar të punoj para dy vjetësh, ka qenë kjo një punë mjaft e vështirë për arsye se prej të gjitha punimeve të dorëzuara vetëm dy kanë qenë të dorëzuara në disketa, të gjitha punimet e tjera kanë qenë të shtypura në makina shkrimi të kohës e disa prej tyre të dërguara me fax të cilat ishin bërë të palexueshme”, ka thënë Asani.
Alfred Beka nga ekipi redaktues i librit, e ka nisur fjalën e tij duke cituar vargun profetik: “Prej Jerusalemit e përqark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit”.
Sipas tij, kjo është dëshmia më e mirë dhe më e vjetër e asaj se si dhe kur ka filluar krishterimi te shqiptarët.
“Këto vargje dëshmojnë më së miri se krishterimi te shqiptarët ka filluar qysh ne kohën apostolike. Prandaj, me të drejtë dhe me plot gojën mund të themi se krishterimi te shqiptarët është 2000-vjeçar dhe kjo e përligj titullin e simpoziumit të mbajtur para 25 vjetëve e po ashtu edhe titullin e librit që po e promovojmë sot në të cilin kanë marrë pjesë studiuesit dhe historianët më të njohur të kohës, të huaj dhe shqiptarë, emra të dëshmuar në fushën e albanologjisë”, ka thënë Beka.
Libri ka tri pjesë. E para përfshin kumtesat në gjuhën shqipe, pjesa e dytë, ato në gjuhë të huaja, ndërsa e treta përbëhet nga arkivi i dokumenteve dhe fotografive, si ilustrim i simpoziumit shkencor.
Pos studiuesve nga Kosova e Shqipëria si dhe atyre ndërkombëtare, libri pasurohet edhe me kumtesat e studiuesve arbëreshë si Erkole Lupinaqi, Antonio Bellushi dhe Zef Kiaramonte.