Kulturë

Orkestra Frymore e FSK-së dhe Filharmonia “marshojnë” me muzikë

Nëpërmjet tingujve është rrëfyer një ngjarje lirie që nxit ndjenjën e krenarisë e që zgjon dhimbjen e kujtimet për të kaluarën. Duket se mesazhet vijnë nga secila notë dhe kjo është edhe fuqia e artit muzikor. Ka qenë dirigjenti skocez, Dario Salvi, ai që i ka dhënë urdhra “armatës” së muzikantëve në një rrëfim muzikor në Ditën e Forcës

Nuk do të kishte ngjarje më të përshtatshme sesa koncerti i përbashkët i Orkestrës Frymore të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës për ta shënuar Ditën e Forcës. Nën dirigjimin e skocezit Dario Salvi, formacioni ka sjellë repertorin botëror të veprave solemne. Me to janë gërshetuar edhe kompozimet shqipe. Të hënën mbrëma historia është sjellë nëpërmjet tingujve, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

Anëtarët e dy orkestrave dallohen lehtë. Disa kanë qenë me uniforma ushtarake, të tjerë në të zeza. Por në tingull janë bërë një. Loja e tyre mjeshtërore e zhvillimi i pjesëve muzikore ka bërë të tingëllojnë si trupë e vetme. Programi i larmishëm, shumicën e veprave i ka pasur premierë. Që nga kompozimet solemne, kolonat zanore të filmit, e deri tek ariet operistike e kanë pasuruar programin me të cilin është shënuar Dita e Forcës.

Dirigjenti Salvi e ka kompletuar “ushtrinë” e muzikës. Është shfaqur në uniformë ushtarake skoceze. Koncerti ka nisur me “Light Cavalry” (Kalorësia e lehtë) të kompozitorit austriak Franz Von Suppe. Tingujt e theksuar në nisje i kanë paraprirë veprës. Nëpër zhvillime dramatike sa ka shkuar e është shkrirë në tingull të lehtë. Rritja e intonacionit ka qenë e shpejtë e përplot zhvillime dramatike kulmuese.

Ndonëse koncerti ka qenë tejet serioz e solemn, dirigjenti Salvi ka qenë tejet i afërt dhe komunikativ me publikun siç rrallë ngjan në koncertet me muzikë klasike. Me humorin e tij e ka bërë koncertin edhe më atraktiv. Për çdo pjesë ka dhënë shpjegime para nisjes së interpretimit.

“Mirë se erdhët në koncert. Është kënaqësi dhe nder të udhëheq bendin tuaj. Vitin e kaluar i kishim në Londër nëpërmjet Ambasadës së Kosovës atje. Doja t’i thosha disa fjalë të cilat veçse i kam harruar”, ka thënë dirigjenti Dario Salvi pasi ka përfunduar pjesa e parë.

Në qershor të këtij viti, Orkestra Frymore e FSK-së kishte interpretuar në Londër ku koncerti ishte dirigjuar nga Salvi. Për KOHËN ai ka thënë se ishte mrekulluar nga profesionalizmi i anëtarëve të ansamblit.

“Ishte surprizë e madhe për mua. I njoha instrumentistët nga koncerti që kemi pasur gjashtë muaj më parë në Angli kur interpretuam së bashku. Edhe atëherë edhe tash, isha i befasuar me nivelin profesional të tyre”, ka thënë dirigjenti Salvi.

“Colonel Bogey March”, vepër e mjeshtrit britanik të marsheve, Kenneth J. Alford, ka qenë më pak dinamike, e gërshetuar me tinguj ekspresivë. Vepra e kulturës skoceze ka qenë më e butë dhe kanë dominuar flautet me tinguj shumë të lehtë tupani. Rritjes së intonacionit i kanë paraprirë tupanët dhe çinellat.

Në përgjithësi, nëpërmjet tingujve është rrëfyer një ngjarje lirie që nxit ndjenjën e krenarisë e që zgjon dhimbjen e kujtimet për të kaluarën. Duket se mesazhet vijnë nga secila notë dhe kjo është edhe fuqia e artit muzikor.

Shumë prej veprave reprezentojnë kulturën skoceze. Programin e ka përzgjedhur dirigjenti Salvi. Ka thënë se pasioni më i madh i tij është muzika e vendit të tij.

“Doja të sillja muzikën tradicionale klasike me një shije të muzikës skoceze. Jam shumë krenar dhe i pasionuar të arkivoj muzikën e vendit tim në një formë. Jemi shumë me fat që jemi një vend i vogël sikurse edhe Kosova, por kemi kulturë të madhe muzikale të cilën dua ta përcjell në çdo vend që shkoj”, ka thënë ai për KOHËN.

Në kuadër të “Vitit të Rexho Mulliqit” të cilin Filharmonia e Kosovës e kishte shpallur në mars të këtij viti, është luajtur “Baresha” ikonike e kompozitorit shqiptar. Si solist në vepër ka interpretuar klarinetisti Shkumbin Bajraktari. Salvi e ka vlerësuar “Bareshën” si pjesë të mrekullueshme muzikore.

“’Baresha’ ishte e mrekullueshme. Madje as nuk e dirigjova, sepse doja ta shijoja, ka një kuptim të thellë. Ishte hera e parë që e dëgjova”, ka thënë dirigjenti skocez me prejardhje italiane.

Ai është dirigjent me repertor muzikor të gjerë dhe eklektik. Kjo bëri që atij t’i akordohet globi i artë “Riccardo Drigo” për muzikë baleti këtë vit, çmimi “Landjuëeel” për produksionin më të mirë teatror në Belgjikë dhe u nominua për Çmimin Ndërkombëtar të Muzikës Klasike për incizimin premierë të veprës “Waldmeister” të austriakut Johann Straus. Diskografia e tij përfshin rreth 20 incizime.

Të pranishëm kanë qenë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari të cilët kanë ndarë medalje për dirigjentin. Atij i është dhënë harta e Kosovës.

“African Simphony” e amerikanit Van McCoy ka qenë me tinguj autentikë afrikanë me një fillim argëtues.

“Tani po zhvendosemi në Amerikë, në të 70-at e hershme. McCoy e shkroi për simfoninë amerikanë që quhet "African Simphony" dhe nëse nuk doni të vallëzoni, mos vallëzoni”, ka thënë dirigjenti Salvi nga skena.

Tingujt e perkusioneve janë krejt kohën pjesë e veprës teksa frymorët luajnë me tingullin i cili është shumë më i fuqishëm.

Uvertura nga baleti “Shotë e Azem Galica” e Nikolla Zoraqit, aranzhuar nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj, ka qenë fillim i fuqishëm e cila që në tingujt e parë identifikohet si pjesë e krijimtarisë shqipe. Ka strukturë që sa shkon e ulet dhe rrëfen një ngjarje të dhimbshme, tragjiken e vendit. Ngjan në homazh solemn. Një vepër lirike që zhvillohet në dy pjesë, në të njëjtën kohë luhen edhe tingujt harmonikë. Në krejt veprat, jashtë instrumenteve frymore kanë qenë dy kontrabasë që e kanë pasuruar tingullin dhe disa instrumente me goditje si tupanët, çinellet e ksilofoni.

“Nabucodonosor”, arie operistike e kompozitorit italian Giuseppe Verdi ka qenë tejet delikate e sfiduese. E ka paralajmëruar edhe dirigjenti Salvi.

“Duke interpretuar duhet gjithashtu edhe të marrësh frymë. Kjo arie është shumë më e vështirë”, ka thënë dirigjenti. “Veçmas që unë jam duke dirigjuar. Unë i komplikoj gjërat”, ka vazhduar ai duke qeshur.

Edhe në dëgjim është e dallueshme se pjesa e Verdit është sfiduese. Janë tinguj të gjatë dhe me shumë zhvillime brenda sekondash. Ato që i interpretojnë instrumentet frymore në këtë arie vijnë më zëshëm nga tupanët që përcjellin ato. Një rrëfim sa harmonik e dinamik, aq i dhimbshëm. Janë tinguj të prerë, të saktë, të vendosur shpesh pranë njëri-tjetrit.

“Merriment Polka” (Valle gëzimi) e amerikanit Geo D. Barnard ka ngjarë në pjesë për tri klarineta e orkestër.

Koncerti për saksofon dhe orkestër “Four pictures from New York” i italianit Roberto Melinelli ka qenë me tinguj tejet atraktivë të saksofonit të interpretuar nga Dardan Gjinolli, anëtar i Orkestrës Frymore të FSK-së, që nisin të parët dhe përcillen nga Orkestra. Mes vete ndërveprojnë shpesh. Janë edhe të ndjeshëm.

Saksofonisti Gjinolli ka thënë se vepra ka qenë premierë në vend e në rajon. Ka thënë se koncerti ka qenë sfidë më vete.

Image
Dirigjenti Salvi e ka kompletuar “ushtrinë” e muzikës. Është shfaqur në uniformë ushtarake skoceze. Koncerti ka nisur me “Light Cavalry” (Kalorësia e lehtë) të kompozitorit austriak, Franz Von Suppe (Foto: Arben Llapashtica)

“Kjo ka qenë një sfidë e madhe, ka qenë një koncert shumë i lodhshëm ku kemi pasur prova intensive dyjavore me Darion. Është dirigjent i mrekullueshëm. Kam pasur nderin të bëj muzikë me të edhe në Londër në muajin qershor, kemi pasur disa koncerte së bashku. Një njeri i mrekullueshëm së pari dhe muzicient shumë i madh”, ka thënë Gjinolli derisa ka vënë theksin edhe në avancimin e Orkestrës së FSK-së.

“Është kënaqësi e madhe, sepse ne si TMK qysh prej vitit 2004 e kemi filluar me shtatë vetë dhe deri tani jemi 50 e diçka. Ku ka më mirë se në Ditën e Forcës të bëhet një koncert i tillë, kështu që është kënaqësi e madhe dhe privilegj po ashtu”, ka thënë ai.

Kolona zanore e filmit “Braveheart” e kompozuar nga Johnnie Vinson ka qenë bashkim i muzikës romantike e asaj të luftës.

Në repertor janë përfshirë edhe marshi “Holyrood” e Kenneth Alford që është dirigjuar nga Lirjona Sylejmani, dirigjente e dy Orkestrave dhe një arie nga opera “Hansel and Greta” e britanikut Engelbert Humperdinck. Koncerti është përmbyllur me Marshin e FSK-së të kompozuar nga Baki Jashari, Mendi Mengjiqi dhe Valton Beqiri.

Ndihmësdirigjenti i Filharmonisë së Kosovës, Hajrullah Syla, i cili gjithashtu ka drejtuar Orkestrën, ka thënë se veprat kanë qenë më ndryshe, ngase ka ngjarë me bashkëpunimin me Orkestrën Frymore të FSK-së.

“Kryesisht ishin vepra që i përkasin ushtrisë, marshe, por sigurisht kishte edhe vepra të tjera me një program më ndryshe sesa që jemi mësuar të kemi në kuadër të bashkëpunimit me Orkestrën Frymore të FSK-së. Besoj se i gjithë programi e ka arritur atë çfarë edhe kemi dashur të sjellim para publikut”, ka thënë Syla.

Bashkëpunimi i dy orkestrave ka nisur në nëntor të vitit 2021.

“Filharmonia e Kosovës dhe Orkestra Frymore e FSK-së kanë pasur bashkëpunime edhe në të kaluarën. Ky ishte një vazhdim i bashkëpunimeve që kemi pasur edhe më herët. Programi ishte i përzgjedhur në detaje, vepra që u pritën mjaft mirë nga publiku. Një punë intensive që është bërë gjatë dy javëve për këtë koncert. Besoj që u arrit niveli i interpretimit të veprave që ishin në program”, ka thënë Syla.

Orkestra Frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës është themeluar në vitin 2003 në kuadër të ish-Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Pas transformimit në FSK, Orkestra Frymore filloi të veprojë në Togun ceremonial të Komandës së Forcave Tokësore (KFT) me kapacitete të plota profesionale me gjithsej 36 muzikantë. Koncerti i përbashkët debutues u mbajt në kuadër të programit të sezonit 2021/2022.