Filharmonia e Kosovës ka vënë në skenë veprat e literaturës botërore të interpretuara për herë të parë për publikun vendës. Një shëtitje nëpër epoka prej periudhës romantike ka sjellë violonçelistin virtuoz, rusin Konstantin Manaev, dhe frymën e re të kompozimit. Premierë ka qenë edhe “Attempt” e Ersan Jonuzit, me të cilën është dëshmuar krijimtaria e gjeneratës së re, e Filharmonia në tërësi është vlerësuar për ngritjen në një tjetër nivel. “Reprizë” janë kushtet e sallës
Filharmonia e Kosovës ka akorduar tingujt për vepra të romantizmit e ato moderne. Secili koncert i institucionit është premierë për publikun, kapitull tjetër me emrat e shquar të muzikës klasike, por jo edhe hapësira ku interpreton.
Rrugëtimi muzikor i radhës në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet megjithatë nuk e ndikon cilësinë e interpretimit dhe profesionalizmin e Orkestrës. Është imazhi i njëjtë çdoherë me dritat me ngjyra dhe skena e improvizuar në hapësirën krejt boshe. Rendi i gjatë i karrigeve të renditura distancon kontaktin e instrumentistëve me publikun në rendet e fundit. Pamja është e pamundur, por tingujt jehojnë. Fillimisht lokacioni i paralajmëruar ka qenë Salla e Kuqe, por se akustika aty, sipas organizatorëve, nuk është aspak e përshtatshme.
Të dielën mbrëma koncerti nisi me veprën “Attempt” të kompozitorit të ri Ersan Jonuzi. Tingujt e saj u zbërthyen për të parën herë para publikut. Vepra e shkruar për orkestër harqesh karakterizohet me ritme konstante, tinguj të lehtë dhe lidhja e partiturave me tinguj tejet të ulët. Ato nisin nga një pikë tejet e ulët. Shpesh ndërpritet interpretimi dhe melodia krejt e lehtë e një violine e mban të lidhur veprën midis pjesëve të saj.
Filharmonia e Kosovës ka interpretuar veprën e cila, bashkë me atë të Hajrullah Sylës, ishte fituese e Çmimit për vepër kamertale në kuadër të çmimeve tradicionale të Ministrisë së Kulturës në fushën e muzikës në qershor të 2021-s.
Për kompozitorin e gjeneratës së re, Ersan Januzi, interpretimi i veprës nga Filharmonia e Kosovës është privilegj.
“Vepra është e kompozuar në vitin 2021, është shpallur fituese me Çmimin vjetor nga Ministria e Kulturës, kështu që për mua është nder dhe kënaqësi që premiera të jepet pikërisht nga Filharmonia e Kosovës. Unë si kompozitor mitrovicas e kam kompozuar veprën me qëllim të zhvillimit të përpjekjes së Orkestrës harkore”, ka deklaruar Januzi, i cili ka thënë se vepra anon nga post-modernia.
Vepra e tij është kontrasti me pjesën tjetër të programit. “Cello Concerto” no.1 në E-dur, Op.107”e kompozitorit rus Dmitri Shostakovich me kontraste të mprehta ka sjellë tjetër frymë në skenë. Violonçelisti Konstantin Manaev, me prejardhje ruse, e ka bërë tejet virtuoze lojën e cila dominon në të katër kohët e veprës.
“Allegretto” nis me interpretimin e një pjese të frymorëve. Tingujt e shpeshtë dhe tejet ritmikë të violonçelit dominojnë derisa loja e Orkestrës që shoqëron në prapavijë është tejet minimale. Përcillet me tinguj trumbete e flaute. Roli i harqeve është kryesisht loja me gishtërinj.
Derisa në sfond zhvillohen ngjarje të ndryshme, violonçeli e mban ritmin konstant që pavarësisht zhvillimeve, prapë pozicioni i tij është kryesor në “Moderato”.
Në “Cadenza (Attaca)” një seri e tingujve të violinave, violonçelave dhe kontrabasëve me gishtërinj i paraprin interpretimit të violonçelistit rus. Fillimisht tingulli bëhet një në lojë me pjesën tjetër të orkestrës me një tingull të butë, por tejet dominues, me vibracionet e theksuara. Orkestra ka tendencë të çakordojë tingullin e violonçelit kryesor duke i dhënë kahe të tjera.
Në “Allegro con moto” violonçeli gradualisht rrit tensionin me tinguj të shpejtë. Një i tupanit hap rrugë për ata të harkorëve e ksilofonit. Midis zhvillimesh, një pjesë goxha e mirë i kushtohet interpretimit solo të Manaevit.
Duartrokitjet e publikut e kanë kthyer disa herë në skenën, ku në shenjë falënderimi ka interpretuar një pjesë të Bachut.
Violonçelisti Manaev, që jeton e vepron në Gjermani, e ka vlerësuar koncertin në kryeqytet si një prej më të mirëve ku ka interpretuar.
“Për mua ishte kënaqësi e madhe të luaja këtu, është vizita ime e parë në Kosovë. Jam ndier si në shtëpi, sepse kam shumë miq në Orkestër, janë shumë profesionalë. Jam ndier shumë mirë të interpretoj me ta muzikën kamertale. Atmosfera ishte e mrekullueshme. E di se nuk e keni tani sallën koncertale me të cilën do të bëheni, por ju veçse e keni publikun e mrekullueshëm, Orkestrën dhe muzikantët fantastikë”, ka thënë Manaev.
“Ky koncert ishte një prej më të mirëve në të cilin kam interpretuar”, ka thënë më tej violonçelisti i njohur ndërkombëtarisht, i cili ka interpretuar në vende si New York, Los Angeles, Moskë, Paris, Berlin, Zürich, Vjenë, Milano e Tokio.

Manaev, i cili u lind dhe studioi në Moskë, ka fituar mbi 15 çmime në gara ndërkombëtare për violonçel, përfshirë “Willkomirski”, “Adam” dhe Audicionin Evropian të Artistëve të Rinj Koncertalë në Leipzig.
Ritmet e epokës së Romantizmit janë sjellë nëpërmjet “Symphony No.1 në E-mol, Op.39” të finlandezit Jean Sibelius. Vepra tejet serioze kulmon kur krejt instrumentet bashkohen dhe shpesh situatat përmbysen.
Në “Andante, ma non troppo – Allegro energico” ca tinguj të harpës i japin një shtresë harmonie që ndërpritet nga harkorët e frymorët. Fillimisht i përmbahet ritmit, por më pas tingujt janë të paparashikueshëm.
Në “Andante” (ma non troppo lento) ritme melankolike shuhen nga dinamizmi i harqeve. Kryesisht lojë tejet dinamike, interaktivitet midis instrumenteve e lojë kulmuese e karakterizon këtë kohë. Është tejet temperamente kur atmosfera ndryshon krejt papritur.
“Scherzo: Allegro” ngjan në një vajtim që vjen herë më i lehtë e herë më i theksuar. Jashtëzakonisht i thellë dhe i ndjeshëm.
“Finale (Quasi una fantasia): Andante...” ka një fillim kulmues që me flautet synohet të normalizohet. Këto të fundit shuhen herë pas here, por jo rrallë i lihet hapësirë shprehëse. Tingulli sa shkon e instrumentet shkëputen derisa mbeten veç ato të klarinetës si një seri që shkon duke u shuar. Prej aty, harkorët nisin një ringjallje. Vijnë si jehona kur përsëriten nga instrumentet e tjera që i shkojnë të tjera efekte dhe sikur e përpunojnë tingullin.
Programin e koncertit e ka përzgjedhur dirigjenti Gregory Charette. Amerikani Charette është dirigjent dhe kurator programesh i përkushtuar në interpretimin dhe promovimin e muzikës së re. Është dirigjent kryesor i “Orkestr de Ereprijs” në Holandë dhe dirigjenti kryesor i ftuar i Filharmonisë së Kosovës. Gjithashtu është ligjërues dhe dirigjent i Ansamblit akademik të Konservatorit Mbretëror të Hagës.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës e ka vlerësuar programin si literaturë të veçantë të muzikës klasike. Për Orkestrën ka thënë se ka treguar nivel të jashtëzakonshëm profesional.
“Ishte një koncentrim i madh i energjisë për të realizuar këto dy vepra që konsiderohen literaturë shumë e veçantë në muzikën artistike. Ishte sfidë e jashtëzakonshme për Orkestrën tonë të arrihet që këto të vihen në skenë. U vërejt edhe vlerësimi i publikut dhe i kritikëve këtu, reagimet e tyre se vërtet Filharmonia e Kosovës sonte ka treguar një nivel ndryshe. Programi ka qenë shumë me kërkesa dhe unë jam i bindur se të gjithë instrumentistët e kanë dhënë maksimumin e tyre”, ka thënë Jashari, derisa programin e ka konsideruar tejet voluminoz për nga materiali dhe me shumë kërkesa teknike interpretuese për nga aspektet teknike.
Është dashur që skena në Atelie të përshtatej me atë pjesë ku akustika do të ishte më e mirë, por edhe për akomodimin e publikut. Sipas drejtorit Jashari, mungesa e sallës koncertale është problem që i mundon vazhdimisht.
“Nëse shikohet Atelieja këtu vazhdimisht mundohemi të eksperimentojmë me pozicionim. Jemi kthyer pak si anash duke analizuar se si mund të tingëllojë në një hapësirë që nuk është e dizajnuar për koncerte. Po ashtu, kemi provuar edhe me Sallën e Kuqe, është problemi i thatësisë së madhe, mungon akustika, ajo jehona, e cila do të ndihmonte edhe orkestrën, por edhe përjetimin e publikut”, ka thënë drejtori i Filharmonisë së Kosovës.
Pas dy javësh, Filharmonia e Kosovës sjell kapitullin tjetër të Sibeliusit – “Simfoninë e dytë”. Edhe këtë koncert do ta drejtojë amerikani Gregory Charette.