Kulturë

“Siparantum” jehon në Suedi me zërin e Kosovës, pret triumfin

Është punë orësh nëse kori “Siparantum” i Kosovës do të fitojë në edicionin e pestë të “Lojërave Evropiane të Koreve”, ku garon për Çmimin e Madh të Kombeve, por ai tashmë ka fituar dhe dëshmia për këtë ka qenë prezantimi të hënën mbrëma në Norrköping të Suedisë, që është shndërruar në kryeqytet të koreve nga 25 vende të botës. Ka ngritur në këmbë publikun tok me jurinë, me vepra që i japin zë rrëfimit të Kosovës

Norrköping, Suedi, 30 tetor – Veç shpërndarja në skenë është spektakël më vete. Bartja e letrave të bardha në dorë tregon se bëhet fjalë për performancë jo fort të zakontë. Përtej çështjeve estetike, publiku shpejt e merr vesh se vepra, midis tjerash, është edhe një mesazh për kërkimin e paqes. Bëhet fjalë për veprën “PAX” të kompozitorit, Memli Kelmendi. Por, kur autori është edhe dirigjent i korit, mesazhi veç sa plotësohet. Krejt kjo qe veç intro e korit “Siparantum” në “Lojërat Evropiane të Koreve – Grand Prix of Nations”. Është kategoria më e lartë e garave ajo për Çmimin e Madh të Kombeve. E kanë arritur vetëm tri kore: ai norvegjez “Volve Vokal”, ai suedez “Den Akademiska Damkören Linnea” dhe kori “Siparantum” nga Kosova. Veç kjo është një çmim më vete, pasi kualifikimi në këtë kategori nuk është i lehtë.

“PAX” e fut publikun e rrëmbyeshëm në lojë. Nuk lejon shpërndarje të vëmendjes në tjetër anë pos në skenë. Hedhja e letrave të bardha është mesazh direkt i kërkimit të paqes dhe në atë që njihet si qytet i dritave në Suedi, vjen nga një vend që me luftë është përballur para një çerekshekulli. Nuk është e zakonshme që midis veprave të shpërthejnë duartrokitjet, por në rastin e “Siparantum” ky rregull ka rënë poshtë nga vetë publiku. Nuk ka ngjarë kësisoj me dy koret e tjera pjesëmarrëse në këtë kategori.

Në sallën kryesore të koncerteve, në qytetin rreth 200 kilometra në jugperëndim të Stokholmit, “Louis De Geer”, pas veprës së Kelmendit ka qenë ajo e kompozitorit Baki Jashari “Pakëz në ëndërr pakëz në zhgëndërr” që ka përçuar te publiku ndjesinë e një realiteti të dyfishtë. Është vepër që ngjall kureshtje për deshifrim dhe bart shumë mesazhe. Koreografia e saj është kapitull më vete. Momenti kur i gjithë Kori shtrihet në tokë dhe solisti Shaban Behramaj ngrihet duke interpretuar vargjet është aso momenti kur ëndrra dhe zhgjëndrra thyejnë kufijtë mes vete. Publiku nuk është duruar pa thyer rregullin e qetësisë as pas përfundimit të kësaj vepre. Madje këtë e ka bërë edhe vetë shtatëshja e jurisë.

Image
Në sallën kryesore të koncerteve, në qytetin rreth 200 kilometra në jugperëndim të Stokholmit, pas veprës “PAX” të Memli Kelmendit ka qenë ajo e kompozitorit Baki Jashari “Pakëz në ëndërr pakëz në zhgëndërr” që ka përçuar te publiku ndjesinë e një realiteti të dyfishtë (Foto: Arben Llapashtica)

Pjesa e parë e koncertit garues në qytetin e dritave, që sivjet ka mbledhur mbi 200 koristë të 63 koreve nga 25 vende, ka qenë më shumë një paraqitje e traditës së muzikës korale në Kosovë, e cila nuk është e moçme. Nisi me Lorenc Antonin në pjesën e parë të shekullit të kaluar. Por “Siparantum” është dëshmi e potencialit. Formacioni koral nga Peja në program ka futur edhe dy vepra të huaja. “Te na solbici” të Samo Volk dhe “Atsalumst” të Jekabs Jancevskis. Që të dyja kanë ngjallur mjaft adrenalinë dhe kanë mbushur sallën me energjinë e interpretimit. Kjo energji është vërejtur fort edhe te publiku. Duartrokitjet qenë të gjata.

“Kishte një energji shumë të mirë. E dimë që midis veprave nuk lejohen duartrokitjet, por publiku te ne nuk është përmbajtur dhe kjo tregon shumë”, ka thënë dirigjenti Memli Kelmendi.

Sipas tij, çmim më vete është fakti se “Siparantum” është kualifikuar në kategorinë e Çmimit të Madh të Kombeve si kor i përzier.

“Ne po dëshmojnë traditën tonë dhe po hyjmë në hartën e koreve të Evropës dhe të botës dhe kjo natyrisht që na bën krenarë të gjithëve, pasi tanimë jemi kor i Kosovës dhe jo veç i Pejës”, ka thënë ai nën emocione pas koncertit. Ka treguar se gjithmonë ka vend që të përmirësohen në detaje, por në përgjithësi, koncerti ka shkuar shumë mirë dhe energjia e shkëmbyer me publikun qe një festë më vete.

“Tashmë muzika jonë e artistët tanë janë pjesë e garave më të mëdha që mbahen në Evropë e në botë dhe krejt kjo normalisht që na jep një vullnet të madh neve si artistë. Jemi përgatitur shumë dhe puna jonë po shpërblehet”, ka thënë ai plot vullnet se “Siparantum” do të marrë medaljen e artë sot (e martë) kur edhe ndahen çmimet.

Image
Që të gjithë e kanë duartrokitur Korin midis veprave dhe në njëfarë forme “Siparantum” veç është fitues. E ka “shpallur” publiku nëpërmjet përkrahjes që i ka dhënë (Foto: Arben Llapashtica)

E pranishme në ceremoni ka qenë edhe ambasadorja e Kosovës në Suedi Shkëndije Geci-Sherifi me një pjesë të stafit. Geci-Sherifi hyn te diplomatet që është pjesë e shumë ngjarjeve kulturore të vendit të saj në shtetin ku shërben.

“Diplomacia kulturore është prej atyre më domethënëse dhe normalisht që kjo më së miri bëhet nëpërmjet muzikës”, ka thënë ajo për KOHË-n pas koncertit. Sipas saj, vetëm ovacionet e publikut, ku të pranishmit në shumicë ishin profesionistë nga vende të ndryshme, kanë treguar shumë.

“‘Siparantum’ sonte me të vërtetë i ka dhënë një energji të veçantë sallës”, ka thënë ajo.

Norrköping është një qytet që meloditë i ka të përhershme qoftë ato vizive apo edhe reale. Gjithandej qytetit nota muzikore zënë vend nëpërmjet dritave laserike që e bëjnë të veçantë qytetin. Kurse këto ditë duke qenë nikoqir i mbi 2000 koristëve, qyteti sikur është kthyer në një skenë gjigante e publike të muzikës. Kore të ndryshme performojnë për qejf në këtë qytet. Duket si njëfarë misioni i secilit vend pjesëmarrës që të shpalosin traditat e tyre në muzikë. Grupe të ndryshme koristësh performojnë duke ecur rrugës, në restorante e bufe sallash. Njëjtë bën edhe “Siparantumi”. Tashmë kori njihet në vende të ndryshme të botës.

Kësaj radhe, “Siparantum” udhëtoi me formacion të plotë, për dallim nga “World Choir Games” në Kore të Jugut, ku për shkak të fondeve, në korrikun e sivjetmë qe dashur që ta reduktojë numrin e anëtarëve pjesëmarrës. Por kjo nuk çoi peshë. Mori dy medalje të arta në nivelin më të lartë garues në edicionin e 12-të të kësaj gare. U shpall fitues absolut në të dy kategoritë ku ka garuar; atë të Muzikës Bashkëkohore dhe të Korit të Përzier. Kelmendi ka thënë se sukseset e dëshmuara gjatë viteve të fundit në arenën ndërkombëtare, kanë ngjallur interesim për përkrahje të punës së tyre. Ambasada e Kosovës në Suedi, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Kulturës, Fondacioni “SunnyHill”, kompania e sigurimeve “Dukagjini” janë midis përkrahësve të Korit të themeluar si formacion vullnetar më 2017.

{gallery}

Por shpejt Kori ka bërë jehonë ndërkombëtare. Është vlerësuar me vendin e parë në kategorinë “A1 – Choirs of Mixed Voices – Difficulty Level I” – që është kategoria më e vështirë e festivalit “Lisbon Sings” në Portugali. “Siparantum” ia kishte dalë ta zërë vendin e parë në festivalin ku morën pjesë 22 kore nga 17 shtete të botës. Festivali është aktivitet që bën pjesë në “World’s Best Choirs Rankings of the Top 200 Choirs and Ensembles”. Po ashtu, më 2022 “Siparantum” ishte në garë në dy kategori të Festivalit Evropian të Muzikës për të Rinj në Belgjikë. Korit nga Peja i ishte ndarë Çmimi i parë në kategorinë “F” dhe atë “G”. Kësisoj, në të dyja kategoritë ku ka garuar formacioni ka triumfuar. Në edicionin e 70-të të “Europian Music Festival for Young People” prej 29 prillit deri më 2 maj të 2022-s kanë marrë pjesë 50 kore nga vende të ndryshme të botës.

“Siparantum” ka hyrë zyrtarisht në rangimin për koret më të mira në botë, që bën bashkë një mijë kore. Është radhitur në pozitën e 30-të të ansambleve më të mira vokale. Në mars të 2021-s mori pjesë në Festivalin Evropian për të Rinj, me traditë prej shtatë dekadash, që edhe atë vit virtualisht bashkoi 100 kore. Në tetorin e vitit 2021, Kori nga Peja, që për herë të parë bëri që një kor nga Kosova të marrë pjesë në garën “Zlatna lipa” në Kroaci, mori “Pllakatin e Artë”. Kurse në nëntor, në garën më të madhe në botën e muzikës korale që mbajti edicionin e saj të 11-të në Gent dhe Antwerp të Belgjikës, për herë të parë e vendosi emrin e Kosovës në atë që konsiderohet si Olimpiada e muzikës korale. U kthye në shtëpi edhe me çmim. Mori medaljen si Kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore.

Kësaj radhe në Suedi do të vlerësohen nga juria në përbërje të profesionistëve si Johannes Dewilde, Cinzia Zanon, Roxor Loops, Jakub Neske, Mariette Morel-Wilson, Michael Barretg dhe Bent Ollen. Që të gjithë e kanë duartrokitur Korin midis veprave dhe në njëfarë forme “Siparantum” veç është fitues. E ka “shpallur” publiku nëpërmjet përkrahjes që i ka dhënë.

“Presim shumë që të triumfojmë edhe në këtë garë”, ka thënë dirigjenti Memli Kelmendi, i cili bashkë me 46 koristët ka bërë që gara të frymojë edhe shqip. Tok me koristët kanë dëshmuar se janë “ushtarë” të një formacioni që ka rol të dyfishtë: muzikën dhe diplomacinë kulturore. Deri tash, kanë fituar shumë beteja. Por për ta “lufta” vazhdon pasi jehonën e kulturës së Kosovës po e dërgojnë gjithandej botës. Suksese si këto nuk janë “Pakëz në ëndërr, pakës në zhgjëndërr”, siç është vepra e maestro Jasharit së cilës Kori i dha zë edhe të hënën mbrëma. Janë realitet. Zëri i Kosovës dëgjohet fort nëpër botë me korin “Siparantum”. Çmimet janë vetëm detaje, ëndrra të bëra realitet.