Kulturë

Kultura e lojës me lista në qershor, merr edhe gjysmë milioni euro

Sivjet pavarësisht shumave të mëdha që ka ndarë për skenën e pavarur kulturore, Ministria e Kulturës është përballur edhe me avari jo të zakonta në këtë proces. “Dramë” më vete kishte qenë publikimi i rezultateve në qershor
 

“Thirrja për projekt-propozimet kulturore 2023”, e cila në qershorin e sivjetmë u shqua për lojën me lista përfituesish e përmirësime brenda natës, e të tjera me diferencë në buxhet në shumën prej 1.7 milion eurosh, vjen në kapitullin e dytë. Sipas kësaj thirrjeje, që do të jetë e hapur deri më 9 tetor, Ministria e Kulturës për vitin 2023, rendit ndër prioritetet programore fuqizimin e rolit të skenës së pavarur kulturore në zhvillimin dhe zbatimin e politikave publike. “Buxheti bazë për thirrjen e shtatorit për art dhe kulturë është 500 mijë euro. Në bazë të aplikimeve të pranuara, do të shqyrtohen mundësitë për rritje të këtij buxheti”, ka thënë Zana Fetiu, këshilltare politike e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku

Ministria e Kulturës ka vendosur që sivjet ta hapë edhe njëherë “kuletën” sa u përket projekteve kulturore të individëve dhe organizatave joqeveritare. Pas zallamahisë së qershorit ku loja me lista bëri që brenda 24 orëve të shtohen edhe afro 300 mijë euro për mbështetjen e projekteve, tash ka vendosur që edhe me 500 mijë të tjera të vihet në kërkim të projekteve të skenës së pavarur të kulturës.

Për këtë edhe e ka hapur atë që e ka titulluar: “Thirrja për projekt-propozimet kulturore 2023”.