Nuk ka emër më të qëlluar sesa “Virtuosos” dhe ai shpejt konfirmohet sapo nis interpretimi në skenë. Violinistet hungareze, Mariam e Amira Abouzahra, dhe e ëma e tyre pianiste, Nora Emody me virtuozitet e kanë hapur edicionin e 18-të të festivalit të muzikës klasike “DAM”. Treshja tejet e veçantë ka interpretuar pjesë të kryeveprave botërore duke sjellë imazhin e misionit të Festivalit
Pjesë të kryeveprave botërore kanë mbërthyer festivalin e muzikës klasike “DAM” që në hapje. Me edicionin e 22-të e vazhdon misionin për përkrahjen e muzikantë të rinj, por të hënën mbrëma ka qenë më shumë se sa kaq. E ka nisur kapitullin e ri me talentet e reja tejet virtuoze dhe me shpalosjen e programit me teknika sfiduese.
Violinistet Mariam e Amira Abouzahra dhe e ëma e tyre pianiste Nora Emody kanë luajtur e kanë mbajtur të lidhur audiencën me çdo tingull të pjesëve që kanë luajtur. Veçmas interesim ka zgjuar loja e talenteve të reja Mariam 15 vjeçe dhe Amira 17 vjeçe. Qëndrimi virtuoz, koordinimi absolut dhe shkathtësitë në lojën e veprave e kanë bërë madhështor koncertin “Virtuosos”, të parin e “DAM-it” për sivjet.
Repertori me veprat e hungarezit Leó Weiner, spanjollit Pablo de Sarasate, austro-amerikanit Fritz Kreisler dhe francezit Maurice Ravel ka qenë një zgjedhje e repertorit me vepra melankolike, me tinguj të ndjeshëm e ku violinat vijnë më në shprehje.
Koncerti është hapur me tri kohë të “Divertimento No.1 Op.20” të Weinerit. E para me titull “Fox Dance” ka qenë interpretim tejet dinamik i violinave që përcillet nga pianoja si tingull mbështetës. Ndërprerjet e shkurtëra kanë qenë pauzë për një fillim më të fuqishëm. “Round Dance of Marosszek” është karakterizuar me tinguj të shkurtër dhe të shpejtë derisa “Peasants’ Dance” me lojë temperamente me gishtërinj ku pianoja e ka mbajtur ritmin konstant në sfond.
Pjesa e famshme “Carmen – Concert Fantasy Op.25” e spanjollit Pablo de Sarasateka, qenë kombinim i tingujve të lehtë që shpesh kanë ardhur edhe si vërshëllima të tingujve. Të theksuar kanë qenë ata të pianos që kanë qenë tejet përrallorë. Shkathtësitë janë shpërfaqur veçmas në pjesët “Schon Rosmarin” dhe “Trambourin Chinois” të Fritz Kreisler. Teknika duket tejet e vështirë kur Amira Abouzahras gjen sinkronin perfekt. Një pauzë e shkurtër e kthen drejtimin e veprës melankolike në harmonike. Shpesh meloditë e njëjta që interpretohen prej violinës, përsëriten në versionin e pianos.

“Melody from Orfeo and Euridice” e Christoph Willibald Gluck ka qenë me tinguj të lehtë tejet melankolikë e të ndjeshëm të përcjellë me ata minimalë të pianos. Ka qenë interpretim tejet delikat i Mariam Abouzahra në violinë.
Shumicën prej repertorit, motrat violiniste i kanë pasur të memorizuara. Për hungarezen Mariam Abouzahra njëra prej pjesëve – “The Last Rose of Summer” e kompozitorit hebre Heinrich Wilheln Ernst – ka qenë më e veçantë, për shkak se në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare e ka interpretuar për herë të parë.
“Ishte kënaqësi të interpretojmë në këtë sallë shumë të mirë. Njerëzit kanë qenë shumë mikpritës, ka qenë shumë kënaqësi të interpretojmë për ta. Njëra prej pjesëve të cilën e luajta ishte ‘The last Rose of Summer’ të Ernst, ishte hera e parë që e luajta kështu që është pjesë shumë e veçantë për mua”, ka thënë violinistja Mariam Abouzahra e cila ka debutuar si soliste në moshën gjashtëvjeçare. Ka nisur të luajë në violinë që kur ishte tri vjeçe. Ka shënuar suksese në shumë konkurse duke përfshirë atë të violinës “Carl Schroeder” dhe “Jugend Musiziert”, vendin e dytë në garën ndërkombëtare të violinës “Grumiaux”. Ajo ka luajtur me orkestra të mëdha si Orkestra Filharmonike Kombëtare Hungareze, Orkestra e dhomës “Fralz Listz” e Orkestra Filharmonike e Moskës.
Violinitja tjetër Amira Abouzahra ka thënë se është ndihmesë tejet e madhe të interpretojë së bashku me motrën dhe të ëmën në skenë, veçmas kur edhe programin e përzgjedhin së bashku.
“Programin e kemi koordinuar së bashku, sepse motra ime më tregon se çfarë dëshiron të luaj dhe unë asaj e më pas shohim se si mund ta përshtatim programin. Tani është koha të luajmë edhe vepra të vështira, t’i kemi në repertor, t’i praktikojmë dhe të përfitojmë eksperiencë prej tyre”, ka thënë ajo derisa ka përmendur edhe koncertet e vitit të kaluar në Kosovë.
“Në qershor të vitit të kaluar patëm një tur në Kosovë, së pari interpretuam këtu në Prishtinë e më pas shkuam në Gjakovë, Kamenicë dhe Prizren, një cikël që zgjati dy ditë. U kënaqëm shumë, njerëzit ishin me shumë entuziazëm”, ka thënë violinistja Abouzahra.
Amira ka nisur të luajë prej kur ishte katër vjeçe. Ajo është fituese e çmimit të parë të një sërë konkursesh ndërkombëtare, mes “Grumiaux” për Violinistë të Rinj dhe Konkursit Ndërkombëtar të Violinës “Ilona Fehér” në Budapest. Në recital dhe me orkestër, Amira bashkë me motrën e saj Mariam janë shfaqur në “Lincoln Center” në New York, në “Covent Garden” në Londër, në Pallatin e Arteve në Budapest dhe në Operën e Kajros.
Ka luajtur edhe “La Gitana” dhe “Marche miniature Viennoise” të Fritz Kreisler dhe “Album Leaf” të Richard Wagner ndërsa Mariam ka interpretuar “Tzigane” të Maurice Ravel, derisa treshja është bërë bashkë në fund në interpretim të pjesës “Navarra” të Pablo de Sarasates.
Krejt në fund, dy violinistet kanë improvizuar një pjesë si shprehje personale nëpërmjet lojës në instrumentet e tyre ku improvizimi ka qenë më i shprehur dhe lojë më e lirë për dallim prej programit të tyre.
Pianistja e shquar hungareze, Nora Emody, ka thënë se një prej faktorëve që e kanë shijuar koncertin tej mase ka qenë publiku që sipas saj e ka ndier muzikën në çdo melodi.
“Audienca ishte fantastike, ata bashkëndienin me ne, kështu që e shijuam koncertin. Vajzat e mia dhe unë bëjmë muzikë qëkur ato kanë lindur. Ato janë rritur me atmosferën e kësaj muzikë dhe mendoj se kjo u jep atyre më shumë siguri. Ne kënaqemi duke bërë muzikë bashkë”, ka thënë Emody e cila ka luajtur si soliste në skena të botërore të muzikës klasike.
Njëra prej organizatorëve të festivalit “DAM”, Rreze Kryeziu-Breznica, e ka vlerësuar koncertin si një prej më të veçantëve të këtij edicioni.
“Është për të vetmen arsye që në këtë edicion kemi vendosur t’i kthehemi misionit të edicionit të parë dhe më të mirë, më fisnik që kemi pasur ndonjëherë, promovimin e muziktarëve të rinj. Si më mirë do të ishte sesa ta hapim këtë edicion me virtuoze të vërteta të cilat viteve të fundit kanë prekur festivalet më virtuoze në Evropë dhe më gjerë. Një program tejet sfidues, teknikisht aspak i lehtë dhe në të njëjtën kohë shumë atraktiv”, ka thënë Kryeziu-Breznica derisa ka thënë se prezenca e muzikantë të huaj është më se e domosdoshme në mënyrë që publiku të eksplorojë përvojat e tyre.
“Prezenca e muziktarëve ndërkombëtarë është çdoherë e mirëseardhur duke marrë parasysh edhe rrethanat dhe mungesën e lëvizjes, artistët e rinj po vazhdojnë të penalizohen. Këto shkëmbime mund të ndodhin vetëm në këtë formë. Një tjetër formë shumë e rëndësishme është realizimi i punëtorive me pedagogë të njohur, kësaj here do të kemi dy emra shumë të nderuar’, ka thënë ajo.
Koncerti është përkrahur nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë.
”Muzika klasike është e veçantë. Ka fuqinë të inspirojë dhe të depërtojë kulturat dhe t’i promovojë ato në shtetet tjera. Muzika klasike nuk është veç muzikë e shekujve të kaluar, është edhe më e gjallë dhe përcillet gjeneratë pas gjenerate. Këtë e dëshmon edhe më shumë ky festival që promovon muzikantët e rinj’, ka thënë Miklos Varga nga Ambasada e Hungarisë në Prishtinë.
Për dyshen e muzikës klasike është hera e dytë që vijnë në Kosovë. Në qershorin e kaluar kanë koncertuar në Prishtinë, Gjakovë, Prizren e Kamenicë. Një rrugëtim që kishte zgjatur dy ditë.