Është një festival unik njësoj sikurse vendi ku mbahet dhe shpejt ka zënë vend në kalendarin e ngjarjeve të veçanta kulturore. E, unike ka qenë edhe hapja e edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës në Himarë, të enjten mbrëma. “Vajtimi i Tokës”, performanca audiovizuale e Donika Rudit, ka pushtuar Kalanë e Himarës. Performanca me tekst të Doruntina Bashës, interpretuar nga sopranoja Kaltrina Miftari e nën shoqërimin e vallëzimit të Agnesa Nokshiqit, thur thirrjen për ndërgjegjësim dhe kujdes ndaj planetit. E ka bërë këtë në monumentin 3 mijë e 500-vjeçar, e vetëm një orë pas kësaj performance, ka qenë ansambli vokal “ReMusica” nën udhëheqjen e maestros Rafet Rudi që e ka futur publikun në magjinë e muzikës korale, te Kisha e Gjithë Shenjtorëve po në Himarë.
Drejtoresha artistike e “ReMusicas”, por njëkohësisht edhe kompozitorja e veprës “Lament of Earth”, Donika Rudi, e ka cilësuar si përvojë të veçantë prezantimin në Himarë teksa ka rikthyer në vëmendje mesazhin e veprës së saj.
“Duke qenë artiste e asociuar krahas IN SITU - European Platform for Artistic Creation in Public Space që nga viti 2020, fokusi im si krijuese është i përqendruar në dy tema: ndryshimet klimatike e po ashtu eksperiencat tingullore te komuniteti i shurdhët. Është vepër e fuqishme dhe me mesazh të fortë. Pas dy vjetësh hulumtim, takime, punëtori me komunitetin, kjo vepër erdhi si rezultat punës së madhe që është bërë paraprakisht”, ka thënë Rudi.
Ka një vit prejse “Vajtimi…” u dha premierë, por ftesat për të nuk kanë të ndalur.
“Tash pas një viti, prej kur është dhënë premiera ‘Lament of the Earth’, ka pasur një interes të jashtëzakonshëm në skenën ndërkombëtare. Kam marrë mjaft ftesa dhe disa prej tyre veçse janë konfirmuar si ajo për janar 2024 e kështu me radhë. Ka kohë që ‘Lamentin…’ e diskutojmë me organizatorët e Festivalit të Himarës, dhe me këtë rast dua t’i falënderoj Endri Ninin dhe Rea Veizin për ftesën, meqë me këtë rast ‘Lament of the Earth’ vjen si premiere në Shqipëri”, ka thënë Rudi. Për festivalin ka thënë se po bëhet një festival që po bën një punë të mrekullueshme duke gërshetuar trashëgiminë kulturore shqiptare, si dhe traditat muzikore ndërkombëtare”.
Ansambli “ReMusica” me program ka ofruar një zhytje në thesarin historik të muzikës shqiptare të shekujve XIII dhe XIV nëpërmjet veprave të kompozitorëve Gjergj Danush Lapacaj, Jan Kukuzeli, duke vazhduar deri te krijimtaria e kompozitorëve nga Kosova, si Mendi Mengjiqi, Memli Kelmendi dhe po ashtu repertori modern botëror.
Ansambli vokal “ReMusica” është themeluar nga festivali me të njëjtin emër. Bën bashkë sopranot Kaltrina Miftari dhe Shkurta Hyka-Rexhepi, tenorët Safet Berisha dhe Etrit Nura, baritonin Shaban Behramaj, basin Nikollë Gjini dhe alton Diellza Sylejmani.
Baritoni Shaban Behramaj, njëherësh koordinator i festivalit “ReMusica”, ka thënë se koncerti në Himarë është një ndër më të veçantit.
“Udhëtimi jonë për në Himarë të Shqipërisë është pa diskutim një aventurë e veçantë, sepse po flasim për një vend bregdetar të mrekullueshëm edhe me një atmosferë të jashtëzakonshme”, ka thënë Behramaj, duke përgëzuar dirigjentin Rafet Rudi për punën e jashtëzakonshme që ka bërë me ansamblin, por njëkohësisht edhe drejtoreshën e festivalit, Donika Rudi.
“Profesori, dirigjenti Rafet Rudi ka bërë një punë të jashtëzakonshme me ne për këta muaj në përgatitjet e programit të larmishëm të epokave stilistike të ndryshme, dhe një falënderim shkon edhe për drejtoreshën e festivalit, Donika Rudi”, ka thënë Behramaj.
Donika Rudi ka thënë se ka peshë paraqitja e parë e “ReMusicas” në Festivalin e Himarës, teksa ka numëruar edhe disa suksese të ansamblit.
“Muaj më herët, Ansambli kishte koncertin dhe paraqitjen e parë në një nga sallat më prestigjioze të Brukselit në sallën FLAGEY në Bruksel, Belgjikë në kuadër të festivalit ‘La Semaine du Son’ 2023. Një koncert i mrekullueshëm që pati jehonë muaj e muaj më pas me sallën e mbushur plot me adhurues të muzikës klasike. Në muajin maj kishin koncertin e tyre në shtëpinë e vet, në edicionin e 22-të të festivalit ‘ReMusica’. Jemi shumë të lumtur për paraqitjen e tyre të parë në Shqipëri dhe pikërisht në Festivalin e Himarës”, ka thënë Rudi.
“Nën këmbët e kalasë shekullore, midis gurëve të lashtë dhe maleve të Vetëtimës, një skenë natyrore u krijua si për të thënë ‘Muzikë jeho!!’ Është pikërisht ky peizazh nga ku gjen frymëzim edhe muzika polifonike e Bregut, një muzikë e cila jo vetëm jehon nëpërmjet isos karakteristike, por edhe njihet ndërkombëtarisht për veçantinë e saj të papërsëritshme”, është përshkrimi që i bëhet Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës në Himarë.
Aty muzika do të jehojë deri më 10 gusht. Nata e dytë, të premten është rezervuar për “Sonus Albanicus”, me sopranon Dorina Selimaj dhe Ansamblin e Harqeve, për të vazhduar me “Muses” me pianistet Rea Veizi dhe Iliriana Gjoni. Do të përmbyllet me koncertin “Théo Ouldit” në fizarmonikë.