Shfaqje teatrale, filmash, ekspozita, punëtori, performanca e koncerte e kanë ndërtuar krejt edicionin e 11-të të festivalit për art feminist, “FemArt”. Të dielën, kur ka mbyllur dyert, vulën e fundit në Festival e kanë vënë treshja Rina Kaçinari, spanjolli Carles Camarero dhe austriaku Jorg Mikula, që kanë gërshetuar zhanre në vepra origjinale. Ndërsa me art skenik është shpërfaqur indiferenca në jetën shoqërore dhe private me “Superfluous man – Oblomov” të izraelitit Yehezkel Lazarov
Gjatë shtatë ditëve “FemArt” ka sjellë në kryeqytet mesazhet për fuqizimin e gruas dhe ka synuar ndërgjegjësimin e audiencës. Shfaqje teatrale, filmash, ekspozita, punëtori, performanca e koncerte e kanë ndërtuar krejt edicionin e 11-të të festivalit për art feminist. Të dielën, kur ka mbyllur dyert, vulën e fundit në Festival e kanë vënë treshja Rina Kaçinari, spanjolli Carles Camarero dhe austriaku Jorg Mikula, që kanë gërshetuar zhanre në vepra origjinale. Ndërsa me art skenik është shpërfaqur indiferenca në jetën shoqërore dhe private me “Superfluous man – Oblomov” të izraelitit Yehezkel Lazarov.
Koncerti përmbyllës ka qenë ndërlidhje e klasikes me jazz, pop, rock e tango nëpërmjet të cilave janë shpalosur histori të jetës së treshes. Kompozimet kanë përcjellë te publiku momentet e trishta e të lumtura bashkë me ato të dashurisë, të dielën mbrëma, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar. Salla ka qenë plot. Kanë qenë vepra tejet moderne ku pjesët me vokal vijnë si pasthirrma. Pjesa që ka hapur koncertin ka nisur me goditje të lehtë në disqet e baterive dhe tingujve unikë të instrumentit të veçantë – nykelharpa.
Rina Kaçinari bashkë me spanjollin Carles Camarero në violonçel e vokal janë harmonizuar bashkë për mrekulli. Derisa austriaku Jorg Mikula në bateri e perkusione ka ngjallur ritmet e meloditë e këngëve.
Loja me gishtërinj në violonçel ka qenë e veçantë dhe ka përcjellë herë pas here ngjyra zëri të Camareros. Në anën tjetër, Kaçinari ka nxjerrë tingujt melankolikë në instrument. Ritmet e perkusioneve e kanë bërë disi tradicionale dhe moderne në dy ekstremet e saj bashkë me tingujt minimalë. Me ritëm tradicional ka qenë edhe “Dashnore t’u bana unë ty” që ka përmbledhur tingujt intensivë të dy violonçelave.
Treshja ka interpretuar edhe këngët e tjera origjinale të Kaçinarit “Pa ty”, “Nostalgjia”, “Çika” e disa prej të cilave u janë veshur meloditë e nykelharpës. Veçanti ka qenë edhe interpretimi i korit të grave “Okarina” që është bërë një me veprat në pjesën e dytë të programit. Bashkë kanë interpretuar këngën “N’sabah” të Rina Kaçinarit.
“Është këngë e komponuar nga unë, quhet ‘n’Sabah’, e ka emrin kështu sepse ka ndodhë n’sabah, në disa muaj të jetës sime ku kam qenë në shpirt jo aq e lumtur. I kam kaluar shumë mëngjese në ballkon dhe shumë herë e kam përjetuar sabahun...”, ka thënë Kaçinari para të pranishmëve.
Pasi filloi të merrte mësime për violonçel kur ishte fëmijë, ajo u largua nga Kosova në moshën 15-vjeçare për faktin se nuk kishte mbetur asnjë mësues violonçel në shkollën e saj të muzikës në Prishtinë. Vazhdoi studimet muzikore në Akademinë Muzikore të Zagrebit, si dhe në “Kunstuniversität” në Graz të Austrisë e me vonë vazhdoi studimet për jazz. Një këngë e veçantë i është kushtuar edhe kësaj pjese të jetës së saj kur i ishte dashur të largohej nga familja në moshën 15-vjeçare për të mësuar instrumentin e dashur për të.
“Nostalgjia” ka nisur me ritmet e zymta e të lehta që paraqesin një ngjarje dinamike. E tillë bëhet situata çdoherë e më shumë, sikurse edhe dramatike. Kur ndalen krejt instrumentet, vijon interpretimi i korit “Okarina” të udhëhequr prej Elikona Hysaj-Shala.
Para publikut kanë gërshetuar edhe kultura, duke sjellë ngjyrat e muzikës tradicionale shqiptare e të tangos latine. Me bateri e perkusione me austriakun Mikula, është tentuar të ndërrohej kahja e rrjedha e violonçelave tek kanë qenë duke transmetuar një ngjarje te publiku.
Për Kaçinarin, këngët janë shërim për shpirtin. Në “Pa ty” ka ftuar kushërirën e saj, anëtaren e korit “Okarina”, Klorinda Kaçinarin. Kënga rrëfen për jetën pa fëmijët afër. Krejt në fund është improvizuar edhe një pjesë që nis me zërat e secilës prej anëtareve të Korit me fjalët “kalle tutën”. “Arti është ardhmëria e popullit”, kanë qenë fjalët e Kaçinarit. I pranishëm në koncert ka qenë kryeministri Albin Kurti nga i cili ajo ka bërë thirrje për të rritur sigurinë për gruan.
Violonçelisti e këngëtari spanjoll, Carles Camarero, ka interpretuar për herë të parë për publikun në kryeqytet, për të cilët ka thënë se e kanë pritur ngrohtë. E ka vlerësuar si të jashtëzakonshëm dhe se do të donin të ktheheshin prapë në Prishtinë për të interpretuar.

“Shumica e veprave janë të kompozuara nga Rina, njëra ishte nga Jorg dhe një nga unë. Të gjitha flasin kryesisht për eksperienca personale apo janë të inspiruara nga histori të prekshme”, ka thënë violonçelisti e këngëtari nga Barcelona.
Hapat e parë në muzikë Camarera i kishte hedhur që në moshën pesëvjeçare. Pas përfundimit të studimeve në muzikë klasike, iu përkushtua kryesisht botëve muzikore si etno, jazz, improvizim i lirë dhe barok. Pas më shumë se 25 vjet angazhim intensiv në violonçel, dëshira për të zgjeruar njohuritë e tij instrumentale u rrit. Kështu që nga viti 2020 ka eksperimentuar në nykelharpa, pasi është entuziast i muzikës skandinave.
Për austriakun Jorg Mikula tashmë audienca është e njohur, pasi ka interpretuar shpesh bashkë me bashkëshorten Rina Kaçinari. “Ishte e mrekullueshme, publiku ishte shumë energjik dhe ishin shumë mikpritës, ishte goxha mbrëmje të interpretojmë sonte këtu”, ka thënë Mikula.
Aftësitë e tij për interpretimin e këngëve dhe luajtjen e fortë e bëjnë atë një baterist të kërkuar në studio për artistë të ndryshëm pop. Deri më tani ka regjistruar mbi 60 albume. Ai gjendet shpesh aty ku stilet përzihen me popin dhe jazzin. Por në ditën e fundit të këtij edicioni nuk është bërë thirrje për fuqizimin e grave vetëm nëpërmjet koncertit.
Në kuadër të programit të Festivalit, të dielën është dhënë shfaqja “Superfluous Man” e regjisorit izraelit Yehezkel Lazarov. Shfaqja përfaqëson fenomenin e indiferencës në jetën shoqërore dhe private. Përtacia, mosveprimi, plogështimi dhe ëndërrimi janë pjesë e sistemit të besimit të heroit.
Shfaqja fton publikun të përjetojë thellësinë e procesit krijues dhe të zhytet në frymëzim, pyetje dhe kontekste kulturore që e përbëjnë krejt shfaqjen teatrore. Me producente kinezen Mitcha Figa dhe regjisor izraelitin Lazarov, shfaqja vë në qendër personazhin Oblomovit. Në të ngrihen pyetje nëse njeriu ka të drejtë të jetojë jetën e tij pa lënë gjurmë dhe se a është legjitime largimi nga fuqia punëtore dhe nga jeta shoqërore në një botë krejt të përqendruar në synimet dhe arritjet.
Krejt shfaqja nisi me interpretimin jashtë hapësirës së teatrit “Oda” me performancën e trupës së aktorëve të qendrës për art dhe komunitet “Artpolis”. Monologu i tyre vjen nga çdo skaj i hapësirës e edhe në turmën e publikut të mbledhur. Krejt bëhen bashkë tek hyrja e teatrit derisa nga njëra pjesë e Pallatit të Rinisë zbresin shkallëve aktorët izraelitë të veshur me të kuqe. E përcjellin publikun deri në sallë derisa aktorët kosovarë i presin me interpretim të ninullës.
Në njërin skaj është një trup i shtrirë i palëvizshëm krejt në të bardha dhe përballë tij është projektuar një person që i zhduket koka. Krejt ndodhia ngjan në skenë krimi. Brenda sallës aktorët e presin publikun derisa janë në gjunjë. Dëgjohen zhurma gërhimash të burrave, derisa gratë thurin punëdoret e tyre. Ngadalë dritat zbulojnë trupin e shtrirë, personazhin kryesor që gjatë krejt shfaqjes kërkon pasurinë e tij të vjedhur. Situatë sa e qetë aq e tensionuar përbrenda. Ngjyra e kuqe i vesh prej komplet skenën, aktorët dhe krejt çfarë aty ka. Zhvillohen ngjarje dramatike e grindje mes tyre.
Ngjarja sikur kujdeset për shëndetin mendor të publikut. Për disa minuta personazhe bëhen edhe anëtarët e publikut kur dritat kthehen kah ta. U kërkohet të meditojnë duke marrë frymë thellë e të mendojnë veten në kopshtet më të bukura, pa ngarkesa tjera personale. Nganjëherë ajo kthehet në hapësirë balloje a kabareje me vallëzimet nën tingujt e kitarës, por derisa shqetësimet e njëjta përcjellin gjatë gjithë kohës.
“Shfaqja ka të bëjë me asgjënë, me testimin e asaj se ku jemi në kuptimin e asaj se sa shumë duhet të lëmë pas vetes apo se a duhet të mos lësh asgjë. Mund të mos lesh asgjë dhe vetëm të jesh. Jam munduar të sjell audiencën në një vend ku ata nuk duhet të jenë përgjegjës për diçka, por vetëm të pastrojnë mendjet e tyre dhe vetëm të mendojnë se çfarë do të ndodhte nëse do të vdisnim dhe nuk do të linim asgjë prapa”, është shprehur regjisori Lazarov pas shfaqjes.
Ka treguar se e ka shkruar tekstin për shfaqjen në kohë pandemie. “Ishin në pozitë ku nuk po bënim asgjë dhe atëherë fillova ta testoja këtë gjë. Gjithashtu vërtet më ka pëlqyer audienca, si këtu ashtu edhe jashtë sallës. Për mua energjia e njerëzve këtu është vërtet e ngrohtë”, është shprehur më tej Lazarov.
Lazarov është dramaturg, skenograf e regjisor i të gjitha shfaqjeve të tij si: “The Superfluous Man”, “Every Round Hour”, “Lolita Joan of Arc”, “Fathers and Sons”, “The Picture of Dorian Gray”, “Alice”, “Falling Out of Time”, “Igloo” dhe shumë të tjera. Gjithashtu skenarist dhe regjisor i filmave të shkurtër: “Snow”, “Beach Without a Lifeguard” dhe “Lashabiya”, të cilët janë shfaqur në disa festivale të Izraelit dhe në vende të ndryshme në botë.
Producentja e shfaqjes Yu Yingyi ka thënë se shfaqja u dedikohet njerëzve që nuk kanë energjinë dhe drejtimin për jetën.
“Ka të bëjë me një njeri që mendon shumë, por pa vepruar. Gjithashtu mendon për kuptimësinë e jetës. Shumë njerëz gjatë kohës së pandemisë kanë vepruar njësoj se cili është drejtimi i jetës dhe sidomos unë që jam nga Kina, ka thënë ajo.
Edicionin e 11-të të “FemArtit” e kanë ndërtuar 28 ngjarje, me rreth 200 artistë dhe aktivistë nga 18 vende të ndryshme të botës që për një javë kanë interpretuar në Prishtinë dhe Mitrovicë.