Kulturë

Finalja e “Eurovisionit”, bastet i japin pak shans Shqipërisë

Ashtu si në gjysmëfinalet, edhe në finale, Shqipëria është pothuajse një nga vendet që nuk ka gjasa ta fitojë “Eurovisionin” e sivjetmë, sipas kompanive të basteve.

Në 26 shtetet pjesëmarrëse në finalen e madhe të së shtunës, që fillon nga ora 21:00, Shqipëria që përfaqësohet me “Duje” të Albina Kelmendit ka më pak se 1 për qind shans që të triumfojë. Bashkë me Shqipërinë, Lituania dhe Portugalia janë vendet e tjera që, sipas basteve, nuk kanë shanse ta fitojnë garën e këngës, shkruan “Eurovoix”.

Favorite e qartë mbetet Suedia. “Tatoo” që këndohet nga Loreen është bindshëm përpara vendit të dytë, Finlandës, për ta fituar “Eurovisionin” e sivjetmë, sipas basteve. Loreen e kishte fituar këtë çmim edhe në vitin 2012.

Në top 10-she, sipas kuotimeve të basteve, janë Ukraina (3), Izraeli (4), Spanja (5), Franca (6), Norvegjia (7), Italia (8), Britania e Madhe (9) dhe Austria (10).

Edhe në gjysmëfinale, Shqipëria kuotohej nga shtetet me më së paku shanse që ta prekte finalen. Por performanca e Albina Kelmendit në skenë të enjten ndryshoi gjithçka. Madje, në rrjetet sociale, “Duje” është një nga këngët më të pëlqyera.