Kulturë

Rrethanat kombëtare e ndërkombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës

Këta 15 vjet të jetës së pavarur të Kosovës sigurisht që kanë qenë të vështirë por, krahasuar me tronditjet e mëdha që pati Pavarësia e Shqipërisë në dy dekadat e para, kanë pasur tregues shumë më pozitivë dhe vështirësitë kanë qenë shumë më të vogla. Këtu kemi parasysh vetëm ato që u shkaktuan nga faktorët e brendshëm, pasi ndikimi i faktorëve ndërkombëtarë ka qenë edhe më i madh

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 ishte akti i dytë madhor i një kuvendi shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 Nëntor 1912 shpalli Pavarësinë e të gjitha trojeve dhe të kombit shqiptar, por gjysma e tij nuk arriti ta jetësonte atë dhe u aneksua nga shtetet fqinje. Pjesa më e madhe dhe më solide e territoreve të aneksuara - Kosova i mbijetoi me sakrifica e dhimbje të mëdha të asimilimit, dëbimit dhe asgjësimit, dhe pas afro një shekulli shpalli Pavarësinë e saj, e krijoi një shtet të dytë të pavarur shqiptar, në pamundësi që të bashkohet me shtetin amë.

Studimi i rrethanave të këtyre dy ngjarjeve të mëdha historike ka vlerë për të kuptuar më mirë dimensionet, faktorët që ndikuan në to, si dhe perspektivën historike të zhvillimit politik të kombit shqiptar

Rrethanat kombëtare

Ndërgjegjja kombëtare, si një element qenësor i brendshëm i Pavarësisë në të dyja rastet fatlume, kishte dallime të rëndësishme. Deri më 1912 ajo nuk ishte e plotë si koncept institucional, nuk ishte shtrirë në të gjitha shtresat e shoqërisë e madje nuk ishte e plotë dhe e qartë as tek elitat intelektuale apo krerët influentë të vendit, pa përmendur këtu shtresat më të ulëta.

Në vitin 2008, kombi shqiptar dhe shqiptarët e Kosovës kishin bërë një progres të jashtëzakonshëm në raport me vitin 1912. Kjo shkallë e lartë e ndërgjegjes kombëtare ishte element thelbësor i mbijetesës së kësaj pjese të kombit, i rezistencës pa fund dhe të paepur të saj. Ajo ishte elementi thelbësor i Pavarësisë, forca, mishi dhe zjarri i pashuar i saj që e demoralizoi pushtuesin dhe e shkëputi Kosovën prej kthetrave të tij. Ishte ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve që, ndryshe nga viti 1912, e bindi Perëndimin se shqiptarët e meritonin lirinë dhe se krijoi bindjen realiste se nuk kishte zgjidhje tjetër të qëndrueshme përveç saj, e cila realizohej me mëvetësinë politike brenda shtetit të tyre të pavarur.

Progresi arsimor, kulturor në vitin 2008 ishin shumë më të larta se një shekull më parë. Dhe sigurisht të gjitha këto ishin të lidhura ngushtë me ndërgjegjen kombëtare, ishin terreni, brumi dhe fuqia e ushqimit të saj.

Forca dhe përvoja e institucioneve kombëtare (politike, ekonomike, arsimore e kulturore, sociale, etj.), përvoja dhe niveli politik i popullsisë ishin shumë herë më të mëdha se në vitin 1912. Në vitin 1912, Shqipëria nuk kishte një organizatë politike mbarëkombëtare. Lëvizja kombëtare kishte disa grupime politike ose shoqëri që kishin qëllime të përbashkëta, por jo një program të njëjtë dhe hierarki organizative kombëtare. Ndërsa në vitet 1990-2000, Kosova kishte disa organizata qendrore politike dhe bartëse të shtetësisë: Kuvendin e Kosovës, presidentin, qeverinë në mërgim, partitë politike brenda një sistemi pluralist, ku spikaste Lidhja Demokratike të Kosovës që udhëhiqte rezistencën paqësore, sendërtimin e institucioneve paralele shtetërore dhe të gjithë jetës së vendit, duke provuar fuqinë e vullnetit të një populli, edhe pse i paarmatosur dhe i dominuar nga institucionet e dhunës së pushtuesit. Më tej ajo pati Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me institucionet e saj drejtuese që zhvilloi luftën e armatosur dhe ndikoi fuqishëm në çlirimin e saj.

Por diferenca nuk qëndronte vetëm në institucionet politike. Po kaq thelbësore ishte ajo edhe në përvojën politike kombëtare. Përvoja e Kosovës nuk kishte të krahasuar me Shqipërinë e dekadës së parë të shekullit XX.

Kosova kishte kaluar në një proces të gjatë prej 4-5 dekadash në sendërtimin e një autonomie, fillimisht formale, por më tej mjaft përmbajtjesore, duke zhvilluar një jetë dhe institucione politike reale, ndonëse nën peshën e rëndë të kontrollit dhe shtypjes së Serbisë e Jugosllavisë. Këto institucione politike si Kuvendi, Komiteti Ekzekutiv, Këshilli Ekzekutiv etj., kishin pasur një brumë shqiptar dominues, ndonëse i kufizuar në hapësirat e veta politike vepruese. Kosova kishte Kushtetutën e saj legale që sanksiononte një shkallë autonomie të konsiderueshme brenda shtetit federativ jugosllav.

Po kështu, Kosova pati të ndërtuar një sistem arsimor, shkencor dhe kulturor të plotë kombëtar të shtrirë vertikalisht dhe horizontalisht. Ajo kishte universitetin e saj, shkollat e mesme e fillore, me një arsim kombëtar të shtrirë gjerësisht në popullsinë shqiptare. Ajo kishte Akademinë e Shkencave, Teatrin Kombëtar, Operën etj., institucione që as mund të imagjinoheshin në fillimin e shekullit XX. Ajo kishte edhe institucionet e saj ekonomike, financiare të të gjitha niveleve etj. Pra, ajo kishte bërë hapa gjigandë drejt Pavarësisë, të cilët nuk mund të ktheheshin më pas ose të zhbëheshin. Këto institucione përbënin një forcë shumë vitale e cila, në dallim nga viti 1912, e bëri procesin e pavarësisë shumë më të fuqishëm, përmbajtjesor, bindës dhe pakrahasueshëm më të sigurt.

Homogjeniteti fetar ka qenë një element tjetër me diferenca të rëndësishme në të dy entitetet shqiptare, i cili ka pasur ndikim të rëndësishëm në lehtësimin ose vështirësimin e procesit të pavarësisë dhe më tej të afirmimit të saj dhe shtetndërtimit.

Shqipëria ishte më e fragmentuar në këtë aspekt, kurse Kosova shumë më unike. Këto diferenca ndikuan në vonimin e pavarësisë së Shqipërisë dhe vështirësuan afirmimin e saj, veçanërisht në momentet e para të jetësimit të saj në vitet 1912-915. Por, edhe më tej, ato ndonëse u amortizuan me sukses nga kombi dhe shteti shqiptar, u shfaqën herë pas here si faktor dekoheziv. Mbi të gjitha, ky diversitet fetar lehtësoi ndërhyrjen e shteteve fqinje në punët e brendshme të shtetit shqiptar duke i shkaktuar atij probleme e vështirësi serioze. Ndërsa Kosova ndër këto vite nuk ka pasur përvoja të tilla të hidhura dhe sigurisht që nuk ka ndonjë arsye që të preket prej tyre, pasi jo vetëm karakterizohet nga një homogjenitet më i madh fetar, por edhe dy komunitetet shqiptare myslimanët dhe katolikët, kanë një karakter të spikatur kombëtar dhe nuk janë prekur nga influencat e huaja të dëmshme, siç ishin komunitetet fetare në fillesat e shtetit të pavarur shqiptar.

Prania e minoriteteve etnike në përbërje të dy shteteve shqiptare. Në të dyja rastet pjesa më kryesore e minoriteteve i është kundërvënë procesit të Pavarësisë dhe konsolidimit të saj, por në rastin e shtetit shqiptar, presioni i tyre, ndonëse i fortë, ka qene relativisht më i paktë sesa në shtetin e Kosovës. Kjo, jo vetëm se minoriteti serb në Kosovë është pak më i madh sesa ishin minoritetet greke e sllave në Shqipëri, por edhe më tepër për shkak të peshës politike specifike që i është dhënë minoritetit serb në zgjidhjen politike të krizës së Kosovës, pra në peshën specifike që ka marrë ky minoritet në procesin e shtetndërtimit në Kosovë dhe në afirmimin ndërkombëtar të tij, e cila është e pazakontë në përvojën evropiane.

Greqia në dekadat e para të shekullit XX tentoi të krijonte një entitet autonom brenda shtetit shqiptar, të ashtuquajturin “Vorio-Epir”, pasi ajo nuk arriti ta aneksonte këtë territor, përpjekje të cilat vijuan me intensitet herë më të lartë e më agresive e herë më pak të ashpra, nga shpallja e Pavarësisë e deri në vitin 1971, pra plot 6 dekada. Madje edhe sot, pra pas 110 vjetësh, presioni grek për të shtrirë influencën në Shqipërinë e Jugut, jo thjesht në minoritetin grek, por edhe në popullsinë ortodokse shqiptare dhe në pakicat e tjera ortodokse nuk ka reshtur dhe, mesa duket, nuk do të reshtë derisa shteti shqiptar të arrijë një shkallë ose nivel fuqizimi, konsolidimi e homogjenizimi sa ta bëjë të pamundur ushtrimin e tij. Kjo vlen për të kuptuar se sa konsistent, pengues dhe sa potencial do të jetë presioni i Serbisë ndaj shtetit të ri të Kosovës, jo vetëm gjatë procesit të njohjes së këtij shteti, por edhe pas saj. Përvoja e Shqipërisë, nga e cila mund të nxirren mësime shumë të çmuara, duhet të na shërbejë në këtë rast.

Shteti i Kosovës dhe institucionet e tij, në bashkëpunim me ato të Shqipërisë, duhet të punojnë shumë për ta elaboruar mirë këtë problem të mprehtë politik dhe jo vetëm. Ajo që presim, nëse i referohemi përvojës së Shqipërisë politike, fatkeqësisht është jo shumë e këndshme: Serbia edhe për shumë dekada të tjera nuk do të heqë dorë nga ndërhyrja në Kosovë, duke instrumentalizuar minoritetin serb këtu, i cili është proporcionalisht pak më i madh se ai grek në Shqipëri.

Sistemi politik është një faktor tjetër me ndikim. Shqipëria e filloi jetën e saj reale shtetërore në vitet 1020-1924, pasi në vitet 1912-1914 ajo ishte vetëm në fazë embrionale dhe eksperimentale. Pikërisht në këtë kohë ajo adaptoi një sistem qeverisës demokratik të avancuar për kohën, shumë më të avancuar se sa ishte formimi i gjithanshëm politik-kulturor dhe kapacitetet e popullit shqiptar për të marrë pjesë në procesin politik dhe të elitës së tij drejtuese për ta menaxhuar shtetin me efektivitet dhe sukses në suazat e këtij sistemi politik. Ky sistem prodhoi një krizë permanente politike në vend, të shoqëruar me konflikte të brendshme, me kryengritje antiqeveritare, grushte shteti e të tjera që minuan konsolidimin e shtetit të ri, sollën një situatë anarkike dhe dëshpëruese dhe u krijuan mundësi faktorëve të huaj destabilizues dhe antishtetërorë të ndërhynin fuqimisht përmes aktorëve politikë shqiptarë. Këto zhvillime dramatike e vunë në pikëpyetje edhe Pavarësinë e brishtë shqiptare. Edhe Kosova ka zgjedhur një sistem politik të përparuar që është dominues sot në Evropë. Ndonëse për shkak të historisë së tij dhe treguesve të zhvillimit politik-kulturor-ekonomik e të tjera, populli i Kosovës ka ndeshur mjaft vështirësi në adaptimin e këtij sistemi politik-ekonomik, ai është shumë më i përgatitur dhe i përshtatshëm për këtë sistem sesa Shqipëria e dekadave të para të shekulli të kaluar.

Përveç kësaj, edhe situata ndërkombëtare sot është shumë më pozitive dhe mbështetëse që demokracia parlamentare të bëhet gjithnjë e më efektive, e përparuar dhe e konsoliduar. Ekzistenca e SHBA, BE, dhe institucioneve të saj që promovojnë, mbështesin dhe udhëheqin proceset dhe fuqizimin e institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor në Kosovë dhe në rajon, është një faktor madhor që e bën këtë proces më të lehtë, më rezultativ, më të sigurt dhe me perspektivë. Kjo as që mund të krahasohet me Shqipërinë në dekadat e para të ekzistencës së saj si shtet i pavarur.

Prandaj pritshmëritë janë që ky sistem politik të mos ketë atë ndikim negativ si në shtetin shqiptar të viteve 1920. Megjithatë përsosja dhe fuqizimi i këtij sistemi, bërja e tij sa më funksional dhe shndërrimi i tij në një faktor që do të përforcojë pavarësinë dhe stabilitetin e shtetit të Kosovës mbetet një sfidë madhore për qytetarët e saj.

Të gjithë këto diferenca e të tjera të ngjashme kanë një ndikim të konsiderueshëm në procesin e shtetformimit dhe konsolidimit të pavarësisë në dy pjesët e kombit shqiptar.

Dobësitë e faktorëve dhe rrethanave që i paraprinë Pavarësisë së Shqipërisë, ushtruan ndikim të fuqishëm pengues në procesin e shtetformimit, madje në disa raste e vunë në pikëpyetje ekzistencën e tij.

Duke pasur parasysh rrethanat e lartpërmendura, logjikisht presim që Kosova, e cila mbush 15 vjet jetë shtetërore, të ketë një proces të konsolidimit të Pavarësisë, relativisht dhe krahasimisht më të lehtë se Shqipëria. Këta 15 vjet të jetës së saj të pavarur, sigurisht që kanë qenë të vështira por, krahasuar me tronditjet e mëdha që pati Pavarësia e Shqipërisë në dy dekadat e para, kanë pasur tregues shumë më pozitivë dhe vështirësitë kanë qenë shumë më të vogla. Këtu kemi parasysh vetëm për ato që u shkaktuan nga faktorët e brendshëm, pasi ndikimi i faktorëve ndërkombëtarë ka qenë edhe më i madh.

Rrethanat ndërkombëtare

Rrethanat ndërkombëtare apo faktorët e jashtëm që kanë shoqëruar Pavarësinë e dy shteteve shqiptare kanë diferenca të mëdha dhe ato janë dukshëm më favorizuese për Pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Ja disa prej tyre:

Pavarësia e Shqipërisë ishte rezultat i shpërbërjes së një shteti shumëkombësh – Perandorisë Osmane, pas luftërave të humbura me fqinjët tanë ballkanikë. Ajo lindi kur Evropa ishte ndarë në dy blloqe politike-ushtarake kundërshtare midis tyre dhe në pragun e fillimit të Luftës së Parë Botërore. Ajo pati mbështetje nga njëri bllok i Fuqive të Mëdha evropiane (Bllokut Trepalësh) dhe oponencën e bllokut tjetër (Antantës), i cili dukej në ato momente dhe më vonë koha e provoi se ishte më i fuqishëm ushtarakisht, ekonomikisht e për rrjedhojë edhe politikisht. Kështu, pavarësia ishte një kompromis i dy blloqeve për të shmangur luftën evropiane e cila shpërtheu vetëm një vit më vonë. Pra, kompromisi midis tyre ishte i përkohshëm dhe kështu u perceptua nga Fuqitë e Mëdha në prag, gjatë dhe pas Luftës së Madhe. Po kështu e konceptuan edhe fqinjët tanë të cilët për shumë dekada nuk u pajtuan me ekzistencën e një shteti të pavarur shqiptar dhe bënë ç’ka mundën për shpërbërjen, dobësimin dhe vendosjen e tij nën kontroll. Pra, nga pikëpamja e mbështetjes ndërkombëtare, ndonëse legjitime, Pavarësia e Shqipërisë ishte e paqëndrueshme dhe shteti i ri ishte një krijesë e dobët, eksperimentale. Traktati i Fshehtë i Londrës dhe Konferenca e Versajës e dëshmuan më se qartësisht këtë.

Pavarësia e Kosovës lindi në një epokë të demokratizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kur nuk ekzistonin blloqet e mëdha politiko-ushtarake rivale. Ajo u mbështet fuqishëm dhe gjerësisht nga Fuqitë Perëndimore (NATO+BE), që janë faktor dominues në çështjet evropiane, por edhe më gjerë. Kjo diferencë thelbësore e bën pavarësinë dhe shtetin e Kosovës shumë më solid dhe me perspektiva më të qarta e më të favorshme konsoliduese sesa ç’ishte në fillesat e tij shteti shqiptar. Kundërshtarët e Pavarësisë së Kosovës në Evropë janë të pakët. Midis tyre spikat Rusia, e cila është një Fuqi e Madhe evropiane me një potencial politik-ushtarak-ekonomik të dukshëm më të vogël se Blloku Perëndimor. Kjo Fuqi i ka sjellë pengesë serioze afirmimit të Pavarësisë së Kosovës, por nuk ka mundur ta vinte në pikëpyetje atë.

Perspektiva relativisht e qartë e integrimit të Kosovës si shtet i pavarur në institucionet euroatlantike (NATO dhe BE) përbën një garanci dhe faktor madhor ndërkombëtar, ndoshta më i rëndësishmi për konsolidimin e saj dhe zhvillimin paqësor drejt fuqizimit dhe modernizimit të shtetit të Kosovës. Kjo rrethanë me impakt madhor në afirmimin ndërkombëtar, sigurinë dhe suksesin e shtetit të Kosovës është e pakrahasueshme me pozitën ndërkombëtare që kishte shteti shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XX, por edhe pas saj deri në vitet ‘90 të tij.

Pavarësia e Shqipërisë lindi në apogjeun e krijimit të një aleance ballkanike antishqiptare dhe luftës fitimtare të saj kundër Perandorisë Osmane. Shqiptarët, të gjendur në rrethana tepër kundërthënëse dhe pa një organizim politik adekuat, ishin të papërgatitur për të reaguar me tërë potencialin e tyre ndaj kësaj situate.

Pavarësia e Kosovës lindi në kushtet e shpërbërjes së shtetit shumëkombësh jugosllav dhe pas humbjes së luftës së Serbisë përballë NATO-s. Por marrëveshja NATO-Serbi në Kumanovë, përmbajtja e së cilës nuk dihet ende, ka shumë gjasa që nuk ishte një kapitullim pa kushte, por një lloji kompromisi. Kjo krijon pikëpyetje rreth ardhmërisë së disa elementeve institucionale e politike të Pavarësisë. Shumica e tyre u shpalosën në Planin Ahtisari, por nuk mund të thuhet me saktësi se këto janë elementet fundore dhe të ezauruara të kompromisit.

Ballkani më së shumti qëndron në anën e Perëndimit dhe përkrah projektet e tij në rajon. Shumica e shteteve ballkanike, pavarësisht vështirësive dhe njëfarë rezistence, e njohën Pavarësinë e Kosovës me përjashtim të Greqisë dhe Rumanisë, të cilat tregojnë se reminishencat e kundërshtive që shoqëruan Pavarësinë e Shqipërisë në shekullin e kaluar nuk janë shuar ende plotësisht. Gjithsesi kjo situatë është mjaft larg asaj të Aleancës Ballkanike të shekullit të kaluar. Kjo rrethanë e ndryshme e bën edhe Pavarësinë e Kosovës relativisht më të sigurt në aspektin rajonal, por jo plotësisht pasi edhe kundërshtitë dhe rreziqet ekzistojnë dhe mund të shtohen ose pakësohen.

Një element substancialisht i ri është mbështetja që ka Pavarësia e Kosovës nga shteti shqiptar i afirmuar ndërkombëtarisht, anëtar i aleancës më të fuqishme ushtarake NATO-s, ndonëse ky shtet ende është i dobët dhe mbështetja e tij për Kosovën ka qenë dhe është jo plotësisht në nivelin e duhur. Shqipëria e vitit 1912 nuk e kishte këtë mbështetje, përkundrazi copëtimi i territoreve të saj i shtonte shumë elemente të tjera kundërshtuese e asfiksuese dhe presion negativ pavarësisë dhe shtetit të atëhershëm shqiptar.

Të gjitha sa thamë më lart e bëjnë Pavarësinë e Kosovës një subjekt mjaft të dallueshëm nga ajo e Shqipërisë, me një frymëmarrje më të dëlirë, me perspektiva e garanci më pozitive. Gjithsesi, kjo nuk duhet kuptuar në mënyrë absolute por relative, pasi sfidat e konsolidimit të pavarësisë e stabilizimit të shtetit të ri të Kosovës do të jenë mjaft të mëdha, të cilat duhet të parashikohen e të fitohen nga shqiptarët të bashkuar si komb, duke punuar shumë me atdhetarizëm dhe përkushtim.

Image
Pavarësia e Kosovës lindi në kushtet e shpërbërjes së shtetit shumëkombësh jugosllav dhe pas humbjes së luftës së Serbisë përballë NATO-s.