Kulturë

Arkitekti britanik ia mësyn rindërtimit të Kharkivit

Arkitekti britanik Norman Foster ka bërë bujë në prill kur ofroi shërbimet e tij vullnetare për rindërtimin e Kharkivit. Që atëherë, Foster ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin e Bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov, nëpërmjet videolidhjeve.

Kharkivi i njohur për arkitekturën e tij “Art Nouveau”, u pushtua nga forcat ruse në prill. Para pushtimit, atje jetonin 1.5 milionë njerëz, vetëm 40 kilometra nga kufiri rus.

Kharkiv është edhe vendlindja e autorit Serhij Zhadan, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare.

Norman Foster është një nga yjet e profesionit të tij. Në vitin 1999, atij iu dha çmimi “Pritzker” për arkitekturë, i cili konsiderohet si një “Oscar” i arkitekturës. Rrokaqielli prej 180 metrash i lartë “The Gherkin”, i cili rrotullohet në qiellin e Londrës, “Ura Futuristike e Mijëvjeçarit”, “Apple Park” në Cupertino të Kalifornisë dhe kupola prej xhami e “Reichstag” në Berlin janë vetëm disa nga projektet që arkitekti ka realizuar gjatë gjithë karrierës së tij.

Arkitekti kohëve të fundit ka marrë kritika, sepse zyra e tij ka pranuar pagesa spektakolare nga regjimet autoritare. “Foster + Partners” ka projektuar një tendë të madhe transparente në kryeqytetin e Kazakistanit në Astana, një aeroport në Pekin dhe përfundimin e stadiumit të Kupës së Botës në Katar, vende me histori të dyshimtë për të drejtat e njeriut.

Benedikt Hotze, zëdhënës i Shoqatës së Arkitektëve Gjermanë, nuk e ka aprovuar iniciativën e Norman Forsterit në propozimin e një plani rindërtimi për Kharkiv. Megjithatë, një sjellje e tillë është mjaft e pazakontë në industri. “Në të vërtetë nuk funksionon kështu”, ka thënë ai.

Revista “Der Spiegel” ka raportuar se kryetari i Kharkiv, Terekhov, që kryeson edhe Forumin e Kryetarëve të Komunave të Ukrainës, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Foster-in që nga prilli. Sidoqoftë, ka nga ata në Kharkiv që nuk janë entuziazmuar me procesin jotransparent. Historiania e arkitekturës Jevgeniya Gubkina ka thënë për gazetën zvicerane NZZ se plani i rindërtimit nuk është paraqitur për publikun ukrainas. “Çdo diskutim rreth tij po zhvillohet me dyer të mbyllura, gjë që është plotësisht e papërshtatshme”, ka thënë ajo.

Një detaj prominent, për shembull, ndërlidhet me Shtëpinë e Administratës Rajonale, e cila u dëmtua rëndë nga një sulm me raketa më 1 mars 2022. Ndërtesa konstruktive e viteve ‘20, e rindërtuar pas Luftës së Dytë Botërore në stilin stalinist mban “shumë shtresa historike”, ka thënë studiuesja urbane ukrainase Iryna Sklokina.

Kjo është arsyeja pse e ardhmja e saj është temë e debatit të diskutueshëm. Shembja është një opsion, po kështu është edhe rindërtimi i versionit të kohës së Stalinit, duke lënë të dukshme gjurmët e goditjeve të raketës. Në anën tjetër, Foster dëshiron të ruajë vetëm fasadën historike dhe të rindërtojë tërësisht brendësinë. Ai mori qasjen e ngjashme me “Reichstagun” e Berlinit, ndërtesë shumë e famshme në Bundestagun gjerman.

Foster udhëtoi në Ukrainën Lindore në dhjetor. Një raport i takimit të tij me kryetarin e Bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov, është publikuar në faqen e fondacionit “Norman Foster”, i cili ka qendrën në Spanjë.

Raporti thekson se publiku është përfshirë në procesin e projektimit, për shembull nëpërmjet përdorimit të pyetësorëve, për të cilët kishte 16 mijë përgjigje. Gjithashtu ka pasur rreth 100 takime dhe sesione pune me Grupin e Arkitektëve të Kharkivit, duke bërë bashkë 10 arkitektë, urbanistë dhe historianë vendës.

Janë identifikuar pesë pilot-projekte për rindërtim. “Projekti për trashëgiminë” do të krijonte një pikë reference të re arkitekturore në qendër të qytetit. “Projekti për lumin” do të transformojë një brez prej gjashtë kilometrash ndërmjet lumenjve Kharkiv dhe Nemyshlya nëpërmjet lidhjes ekologjike për këmbësorë dhe çiklistë.

“Projekti për industrinë” do të transformojë një termocentral me qymyr në një qendër për energjinë e pastër dhe ushqimin, ndërsa “Projekti i strehimit” synon të modernizojë ndërtesat ekzistuese për t’i bërë ato më të sigurta dhe më efikase në energji. Dhe krejt në fund, pilot-projekti “Shkenca” do të dizajnohet për të tërhequr kompani teknologjike, kërkimore dhe biznese fillestare.

Arkitektët gjermanë kanë menduar edhe se si mund të ndihmojnë në rindërtimin e qyteteve dhe qytezave të Ukrainës. Markus Lehrmann, drejtor menaxhues i Shomës së Arkitektëve të Rhein-Westphalia, ka thënë se bisedimet e para janë zhvilluar, si dhe ka raportuar “kontakte dypalëshe” midis arkitektëve individualë.

Por së pari duhet të kthehet paqja. Aktualisht Ukraina ka nevojë për ndihmën e parë në rivendosjen e infrastrukturës, ngrohjes qendrore, rrjeteve të energjisë elektrike dhe ujit. “Për momentin, njerëzit kanë gjëra të tjera për t'u shqetësuar”, ka thënë Lehrmann.