Vetëm tri ditë pasi Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Kinematografinë, në adresë të Kuvendit të Kosovës ka arritur një kërkesë për refuzimin e versionit të dërguar nga Ekzekutivi. Përpjekja për të draftuar Ligjin aktual të Kinematografisë është një histori përplasjesh e dështimesh për mbi një dekadë. Një pjesë e komunitetit të kinematografëve nuk pajtohen as me versionin e ri.
Janë nëntë vërejtje që shoqata e artistëve të filmit “Pro Arte” ia ka përcjellë kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Komisionit Parlamentar për Arsimim, Shkencë, Teknologji, Inovacion e Kulturë dhe krejt shefave të grupeve parlamentare. Në kërkesën e së enjtes, shoqata kërkon që Kuvendi ta refuzojë këtë projektligj.
Historia e projektligjeve në këtë fushë është e vjetër.
Katër vjet punë kishte marrë hartimi i Projektligjit për Kinematografinë që u tërhoq nga leximi i dytë në Kuvend, më 4 gusht 2016. Me gjithë emërimin e dy komisioneve, një nga ish-ministrat e Kulturës, Memli Krasniqi, e një tjetër nga pasardhësi i tij në këtë pozitë, ish-ministri Kujtim Shala, pas serisë së përplasjeve e reagimeve midis komunitetit të kineastëve dhe angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë, puna s’ishte finalizuar me sukses.
Tash përsëri kërkohet që Kuvendi të mos e kalojë draftin aktual.
“Me shpresë se realiteti ynë kaotik politik ende nuk ka ardhur në atë pikën kritike që të aprovojë në emër të një ligji grumbuj termash të pakuptimta që rrënojnë në tërësi një veprimtari, të cilën Ministria e Kulturës pretendon ta shpallë ‘interes të veçantë’, shoqata e artistëve të filmit ‘Pro Arte”, si subjekti më i madh i kineastëve aktivë të Kosovës, do të përpiqet që shkurtazi të shpjegojë problemet bazike dhe tendencat e papranueshme të këtij dokumenti”, shkruhet në kërkesën që i është adresuar Kuvendit të Kosovës.
Në pikën e parë shkruhet se draftligji pretendon të shpallë kinematografinë interes të veçantë me qëllim të rritjes së buxhetit për qëllime “krejt jo të sinqerta dhe joprofesionale, jo për krijimin dhe zhvillimin e kinematografisë, por për qëllime të krijimit edhe të një burimi alternativ të buxhetit publik, i cili pastaj do të zhvatej nga klanet e interesit, të cilat tashmë janë pozicionuar rreth MKRS-së dhe ministrit të Kulturës”.
Në pikën e dytë të kërkesës shoqata ka paraqitur se draft-ligji pretendon të përkufizojë veprën kinematografike vendore si “‘vepër ku regjisori ose producenti është kosovar, si dhe kapitali vendor është i rëndësisë së madhe’, e që, sipas dispozitave të ligjeve evropiane përkufizohet krejt ndryshe”. Sipas shoqatës, në vendet evropiane “Origjinën e filmit e përcakton shteti i veprimtarisë së shtëpisë filmike me kapitalin mbi 50 për qind, si dhe me krijuesit kryesorë të veprës kinematografike të cilët janë: skenaristi, regjisori, producenti, montazheri dhe kompozitori”. Sipas Shoqatës, relativizimi i përkufizimit të filmit vendor si kapital i rëndësisë së madhe krijon mundësinë e manipulimit me subvencione duke konsideruar si film vendor çdo projekt të huajin në të cilin mund të jetë i angazhuar ndonjë producent apo punëtor i filmit nga Kosova.
“Në këtë mënyrë do të krijohej mundësia që në bashkëveprim me grupe të huaja të interesit, të vidhet e të përvetësohet buxheti i Kosovës, siç ishte rasti i konkursit të fundit të QKK-së, një skandal i vërtetë ku nga tetë projekte fituese të kategorisë kryesore të filmit të metrazhit të gjatë vendor apo me bashkëprodhim, pesë projekte dhe shumica e buxhetit u janë ndarë firmave të huaja me regjisor e skenarist me shtetësi të huaj dhe vetëm tri projekte janë ndarë për kineastët me shtetësi kosovare”, shkruhet në kërkesë.
Në kërkesën e shoqatës shkruhet se draftligji në vend se ta shndërrojë në institucion plotësisht të pavarur Qendrën Kinematografike të Kosovës, në këtë rast bëhet e kundërta. “E centralizon dhe shtetëzon Qendrën Kinematografike të Kosovës. E zhvesh nga atributet dhe rregullimi ligjor. Shoqata pretendon se Projektligji zhvesh nga normat ligjore dhe atributet funksionale autoritetin qendror publik të kinematografisë, eliminon Këshillim Drejtues, e zëvendëson atë me një Këshill Artistik pa kurrfarë kompetencash me qëllimin për të eliminuar mundësinë e përfaqësimit të kineastëve të pavarur në vendimmarrjen e QKK-së.
“Të eliminosh procedurat e përzgjedhjes së projekteve, normat ligjore për emërimin e jurive profesionale, normat ligjore për përzgjedhjen e projekteve, normat ligjore për ecurinë e realizimit të projekteve, normat ligjore që përcaktojnë pronësinë e projekteve në të cilat shteti është bashkëpronar dhe bashkëfinancues (e jo donator i buxhetit), të eliminosh normat e konfliktit të interesit, normat dhe obligimet e llogaridhënies për paranë publike dhe të ngjashme, vërtet është guxim politik autoritar apo padije që buron nga epshi i pakontrolluar i sharlatanëve arrogantë për t’u pasuruar në mënyrë manipuluese me paranë publike”, shkruhet në kërkesë.
Më pas, nëpërmjet kërkesës pretendohet që me këtë Projektligj institucionet supreme të kulturës në të ardhmen të mund të udhëhiqen nga mediokritetet.
Aty shkruhet se draftligji pretendon të shtojë si normë ligjore të ashtuquajturin rabat prej 30 për qind për të financuar filma ndërkombëtarë, seriale dhe veprimtari të tjera “të dyshimta nga buxheti i Kosovës duke diskriminuar në mënyrë shumë të vrazhdë kineastët kosovarë”.
Aty merret një shembull. Shkruhet se nëse një kompani turke apo serbe, bashkë me kineastët serbë apo turq vjen në Kosovë për të xhiruar një film apo një serial, shteti i Kosovës atyre u obligohet që t’ua rimbursojë shpenzimet në masë prej 30 për qind nga buxheti i shpenzuar.
“Kurse, nëse një kompani kosovare me kineastë kosovarë xhiron një film në Kosovë, ajo detyrohet t’ia paguajë shtetit 18 për qind TVSH, 10 për qind tatim në burim dhe 10 për qind taksë për trustin pensional, që i bie rreh 40 për qind nga buxheti i shpenzuar”, shkruhet në kërkesë. Aty ky rast paraqitet si një diskriminim për artistët vendorë.
Shoqata nënvizon se draftligji pretendon të shtojë si substancë veprimtarinë audiovizuale, si një shtrirje të pakufishme veprimtarish amatore e komerciale në emër të të cilave pastaj do të zhvatej me lehtësi buxheti i kinematografisë.
“Draftligji pretendon të shtojë si veprimtari kinematografike edhe serialet, për qëllime biznesi, për të pasur mundësi ligjore që pastaj Kosovën ta kthejë në një lloj ‘studio’ të serialeve akulturizuese turke përmes së cilave do të zhvatej buxheti i Kosovës dhe do të krijohej mundësia e shpëlarjes së parave të pista”, shkruhet në kërkesë.
Shoqata është kundër asaj që “Kosova-Filmi” të jetë arkiv përbrenda QKK-së.
“Me një fjalë, po qe se do të shndërrohet në ligj ky dokument anakronik e dashakeq, i cili duket se është hartuar nga një klan anonim e amator i shokëve të ministrit, në Kosovë do të fillojë një etapë e re sui generis. Ky draftligj, që tash për tash nuk është asgjë tjetër përveç një tentativë tinëzare e Ministrisë së Kulturës për të mos marrë përgjegjësi për vënien e rregullave dhe zbatimin e ligjit në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar në fushën e kinematografisë, në të ardhmen do ta krijojë një ligj që e lejon dhe e stimulon atë”, shkruhet në kërkesë.
Aty qartësohet se shoqata i kërkon Komisionit për Arsimim, Shkencë, Teknologji, Inovacion e Kulturë të Kuvendit të Kosovës, kryetarit të Kuvendit dhe grupeve parlamentare, “që në mënyrë kategorike ta refuzojnë këtë draftligj të rrezikshëm dhe të papranueshëm për drejtësinë e një vendi demokratik”.
Proceduralisht, Projektligji duhet të kalojë në komision parlamentar e më pas për lexim të parë dhe të dytë në seancë plenare.
Më 2016 ishin 39 kineastë që kishin firmosur kërkesën për tërheqjen e Projektligjit nga Kuvendi. Ndër arsyet e shumta që ishin përmendur në reagimin e Shoqatës së Producentëve të Kosovës ishte edhe afati për realizimin e projektit që, sipas tyre, është plotësisht i gabuar dhe i pamundshëm që të arrihet. E një prej pikave më të diskutueshme të Projektligjit ishte përbërja e jurisë që do të vlerësojë projektet kinematografike që subvencionohen nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Kjo çështje kaherë e ka ndarë në dysh komunitetin artistik, duke bërë që disa të përkrahin idenë që juria duhet të përbëhet nga shtetas të Kosovës e disa të tjerë që kërkojnë edhe anëtarë me shtetësi të huaj. Një tjetër pikë e nxehtë ka qenë edhe çështja e “Kosova-Filmit”. Sipas Projektligjit, ish-shtëpia për prodhimin e filmave transformohet në Arkiv të Filmit, përderisa pronat e “Kosova-Filmit” do të kalojnë në pronësi të Kuvendit të Kosovës.