U botua në kohë të ndryshme, me tituj të ndryshëm dhe në tri versione të ndryshme. Fillimisht, në vitin 1961, u botua në faqet e revistës letrare “Jeta e re” me titullin: “Metohija në vjetin e madh 1941”. Kurrë më s’u ribotua e tillë. Pasuan të tjerat, dhe u bë njëra prej poemave më të njohura të Ali Podrimjes me vargun e famshëm, “Unë biri yt Kosovë”. “Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën”, nga Sali Bytyçi niset prej një pyetjeje bazike: “Përse e ndryshoi dhe e rikrijoi poeti këtë poemë?”
“Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën” të shkrimtarit, poetit e studiuesit të letërsisë shqipe, Sali Bytyçi, është titulli i ri i cili nëpërmjet një poeme sjell lexim të ri jo vetëm të saj, por edhe të krijimtarisë së mjeshtrit të vargut. Është përuruar të martën në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Shkrimtarë, studiues e dashamirë të letërsisë, veçmas të poezisë së Ali Podrimjes, janë mbledhur në sallën e leximi të IAP-it në promovimin që është hapur nën tingujt e këngës “Unë biri yt Kosovë”, interpretuar nga Gzim Mushketa, Besa Llugiqi, Adelina Paloja dhe Armaldo Kllogjeri, e cila erdhi nëpërmjet projektorit. Kënga sjell vargjet e poezisë së famshme me po të njëjtin titull të Ali Podrimjes, ndërsa është kompozuar nga i ndjeri Feim Ibrahimi.
Monografia “Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën” është vlerësuar si studim që tenton t’u japë përgjigje pyetjeve të shumta që ka ngritur poezia e Podrimjes, me theks të veçantë variantet e ndryshme të poezisë “Hija e Tokës” ku gjendet edhe vargu më i famshëm i tij: “Kosova është gjaku im që nuk falet!”.
Poema u botua në kohë të ndryshme, me tituj të ndryshëm dhe në tri versione të ndryshme. Fillimisht, në vitin 1961 u botua në faqet e revistës letrare “Jeta e re” me titullin: “Metohija në vjetin e madh 1941”. Ndërkaq pas njëzet e gjashtë vjetësh Podrimja e kishte sjellë edhe versionin e dytë të saj, të cilin e botoi edhe në revistën “Jeta e re” edhe si pjesë të vëllimit poetik, “Dhimbë e bukur”. Në këtë variant poema titullohej: “Toka e zgjueme” dhe përveç titullit pësoi ndryshime thelbësore si në motivet poetike po ashtu dhe në strukturë. Versioni i tretë “Hija e Tokës” u botua si libër i veçantë në vitin 1971.
Në rreth 250 faqe sa ka libri “Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën”, autori Sali Bytyçi i trajton këto tri versione nga pikëpamje të ndryshme si nga aspekti strukturor e poetik ashtu edhe nga ai ideologjik. Libri i ka hapur rrugë të reja të cila nuk lidhen vetëm me poezitë e Podrimjes, por edhe me studimin, trajtimin apo edhe njohjen e varianteve dhe versioneve që mund të kenë veprat e autorëve shqiptarë.
Vetë autori, në fjalimin që mbajti para të pranishmëve, Podrimjen e ka vlerësuar si njërin ndër poetët më të veçantë të letërsisë shqipe.
“Poet i veçantë dhe unik në letërsinë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, Ali Podrimja do të mbetet në kujtesë për vargjet të cilat ia kushtoi jo vetëm Kosovës e Shqipërisë, po gjithë etnisë, si dhe poet i cili dhembjes, si asaj personale, edhe asaj kolektive, i ngriti monumentin më të bukur me fjalë të cilat do të lexohen brez pas brezi”, ka thënë Bytyçi
Sipas tij, poezia shqipe nuk do të ishte e plotë pa veprat dhe poezitë e Ali Podrimjes.
“Pa poemën për Metohinë, në të cilën janë vargjet ‘Metohija asht gjaku im që nuk falet’, pa vëllimet poetike ‘Torzo’, ‘Sampo’, ‘Lum Lumi’ e tjera, poezia shqipe, po edhe mbarë letërsia shqipe, jo vetëm e Kosovës, po edhe ajo mbarëkombëtare, do të ishin të mangëta”, ka vlerësuar ai.
Studiuesi i letërsisë Fadil Grajçevci duke pasur për bazë këtë vepër, ka theksuar mungesën e studimeve të variantistikës në studimet për letërsinë shqipe.

“Studimet krahasimtare të botimeve të ndryshuara të së njëjtës vepër, në shkencën tonë letrare, për dallim nga shkencat letrare të letërsive të tjera, kryesisht atyre me ndikim në përmasa botërore, janë të rralla. Për shkak të mungesës së theksuar të këtyre studimeve, në shkencën tonë letrare vërehet edhe mungesa e terminologjisë së qëndrueshme me të cilën do të emërtoheshin botimet e ndryshuara, botimet e ripunuara të së njëjtës vepër”, ka vënë në pah Grajçevci.
Tutje në një studim të gjatë që i kishte bërë kësaj vepre, Grajçevci ka folur edhe për përgjigjet e shumta që ofron ky libër, si dhe për motivin kryesor që e kishte shtyrë Bytyçin t’i përvishej kësaj pune.
“Përse e ndryshoi dhe e rikrijoi poeti këtë poemë? Ripunimi i kësaj poeme ndërlidhet me pakënaqësi estetike të poetit apo me pakënaqësi të tjera; me pakënaqësi të tij personale apo me pakënaqësi të të tjerëve ndaj saj; ishin këto pakënaqësi estetike apo politike?’, janë vetëm disa nga pyetjet të cilave në studimin e tij krahasimtar, studiuesi Bytyçi do t’u japë përgjigje”, ka thënë Grajçevci, duke shtuar se pyetja kryesore që e nxiti t’i hyjë kësaj ndërmarrjeje është se përse versioni i parë, “Metohija në vjetin e madh 1941”, mbeti në faqet e revistës letrare “Jeta e re” dhe kurrë më në ndonjë përmbledhje poetike të Ali Podrimjes, as për të gjallë të tij, as pas vdekjes, nuk u përfshi ashtu siç ishte.
Studiuesi Arben Hoxha ka folur për atë se si Bytyçi ka arritur t’i shpërfaqë në mënyrë të saktë edhe efektet negative të disa varianteve.
“Vepra më e re e Sali Bytyçit ‘Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën’ sjell para nesh efektet negative që prodhon arti letrar kur ai i nënvendoset dëshirimit të një vullneti që drejtohet nga parimi i arsyes instrumentale”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, ky krahasim dhe zbërthim që Bytyçi ua ka bërë tri varianteve të kësaj poezie ka hapur shtigje të mëtutjeshme për studimin e veprës së Podrmijes.
“Nga perspektiva e antropologjisë kognitive mund të themi se hulumtimi i fenomenit të ndryshimeve të modelimeve gjuhësore poetike të poemës ‘Kosova në vjetin e madh 1941’, të sjellë në studimin ‘Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën’ mund të na shërbejë si një burim për analizimin e ndërveprimet të modeleve kulturore e politike me mendimin dhe gjuhën brenda tërë arealit kulturor letrar shqiptar”, ka vlerësuar Hoxha.
Monografia studimore e Sali Bytyçit vjen në 80-vjetorin e lindjes dhe në 10-vjetorin e vdekjes së poetit të madh Ali Podrimja.