Suita simfonike për piano, orkestër, kor, solistë dhe multimedia ka qenë gërshetim i gjuhëve e kulturave. Gjuha si mjet kryesor për komunikim ka përçuar tek publiku diversitetin e të folmes në qytetin historik të Prizrenit. Pjesë të interpretimeve kanë qenë portretizimi i zhurmave të zakonshme në rrugët e qytetit e në veçanti për interpretimet nëpër rrugë me tupan, violinë e klarinetë. “Monade” ka qenë premierë botërore e cila ka shënuar zyrtarisht hapjen e sezonit koncertal të institucionit më të lartë të muzikës klasike në vend
Tingujt e shumë instrumenteve që po akordoheshin para koncertit jepnin përshtypjen e një ngjarjeje madhështore. Salla ishte përgatitur për koncertin që ka hapur zyrtarisht sezonin e ri të Filharmonisë së Kosovës. Kompozitori Robert Bisha kishte zënë vend në piano. Instruksione vazhdimisht i jepte secilit anëtar të formacionit e stafit teknik të kinemasë.
Emocionet e secilit e tensioni mund të vëreheshin që në provat para koncertit që ishte edhe e kremte e 70-vjetorit të “Kino Lumbardhit”. Ishin frymorët që po testonin për të fundit herë për interpretimin e suitës “Monade” të kompozitorit e poli-instrumentistit Robert Bisha. Përveç publikut që po mblidhej, në skenë po bashkohej edhe pjesa tjetër e Orkestrës, e kur ajo u kompletua, formacionit iu bashkuan edhe kompozitori Robert Bisha dhe dirigjenti Gridi Kraja.
Me tingujt e klarinetës, kornosë e flautit u hap koncerti i parë për sezonin e ri. “Pastorale” qe pjesa e parë e suitës “Monade”, të cilën Bisha e ka shoqëruar edhe me elektronikë. Me shenja ka komunikuar me stafin teknik për pamjet që jepeshin në prapavijë. Në ekran janë vizualizuar skena filmi të selektuara nga Bisha, si ato të filmave “western”, pjesë të komedive nga Charlie Chaplin e lojë të tjera që përmes pamjeve kanë ilustruar interpretimin e tetë pjesëve të suitës “Monade”.
Në pranverën e sivjetme kompozitori Bisha do të vinte në Prizren në një rezidence disaditore. Do t’i kapte tingujt e qytetit, zhurmat, frymën, zërat e çdo gjë që do t’i hynte në punë për një rrëfim nëpërmjet muzikës dhe jo vetëm. Sebep qe procesi i hulumtimit dhe kompozimit, duke u njoftuar me historinë e “Kino Lumbardhit” dhe, siç shkruhet në prezantim, “rrethanat e ndryshueshme gjatë 70 vjetëve të saj”. “Lumbardhi” u bë epiqendër në zbërthimin e historisë së qytetit. Rrëfimin muzikor e hodhi në partiturë, e titulloi “Monade” dhe me të i rikthehet qytetit ku e ka zanafillën kjo suitë për piano, orkestër, kor, solistë dhe multimedia.
Kjo suitë simfonike ishte porositur dhe komisionuar nga fondacioni “Lumbardhi” dhe Filharmonia e Kosovës. Kompozitori Bisha e ka vlerësuar si moment të rëndësishëm për të e për të gjithë që kanë punuar për këtë premierë.
“Ishte premiera që ka rëndësinë e vet si diçka që del në jetë, e kjo doli në jetë, në publik, pas disa muajve. Në njëfarë mënyre për ta përceptuar ka qëndruar në barkun e ideve, në barkun e vizionit. Tash del në dritë, del në vizionin që do të formohet çdoherë e më shumë. Jam shumë i kënaqur që doli pikërisht në Prizren. Unë personalisht më shumë ua kam dedikuar atyre që kanë punuar ta ruajnë, ta mbajnë kinemanë ‘Lumbardhi’, një vend multiartistik”, është shprehur Bisha për veprën e cila, sipas tij, është pasqyrë për punën e njerëzve ndër vite për ruajtjen e kinemasë si infrastrukturë shumë e rëndësishme për qytetin historik.
Dritat janë pozicionuar kah orkestra e kur asaj i është bashkuar edhe grupi i violinave e kanë ngjallur pjesën “Pastorale” që ka filluar si një hapje e lehtë e si ngrohje për instrumentistët. Pamjet e lumit që rrjedh e shoqëruar me thënie për Zotin në gjuhën turke i kanë vënë në pushim për disa çaste anëtarët e Orkestrës, e po ato momente janë dëgjuar këndimet e ezanit nga imamët në disa xhami. Një lloj i këtij këndimi është një nga tetë pjesët e suitës, e katërta me rend, të cilën kompozitori e ka titulluar “Ilahi – Ziçer”.
Për veprën e komisionuar nga fondacioni “Lumbardhi”, drejtori i tij, Ares Shporta, e ka vlerësuar si mënyrën më të mirë për të festuar 70-vjetorin e kinemasë “Lumbardhi”.
“Ka qenë një periudhë shumë intensive në materializimin e punës. Përtej aspektit muzikor edhe emocioneve që i kanë pasur, mendoj se si e tillë, vepra do të mund të shëtisë nëpër botë dhe të paraqesë këtë tregim për ‘Lumbardhin’, takimin me Robertin dhe bashkëpunimin me qytetin dhe Filharmoninë”, ka thënë Shporta. Ai ka njoftuar se në fund të muajit nëntor, kinemaja do të mbyllet për restaurim. “‘Lumbardhi’ do të jetë i mbyllur për restaurim dhe shpresojmë se më pas nuk do të ketë mundësi të dëgjohet muzika që vjen nga ana tjetër e lumit dhe kafeneve dhe do të kemi mundësi, kushte më të mira”, ka treguar Shporta.
“Ilahi-Ziçer” ka qenë si një ritual fetar i këndimit në xhami. Në fillim të interpretimit e në fund i është referuar Zotit ku fjala “Allah” është përmendur me dhjetëra herë. “Ilahia është shumë e bukur, kam pasur rastin të dëgjoj një hoxhë në ritualin Ziçer dhe ishte shumë e bukur dhe kështu vendosa ta përfshij, gjithashtu edhe shumë elemente të tjera nga tetë pjesët”, ka shtuar kompozitori Bisha. Qyteti merret si vend shembullor për angazhimin e tij shoqëror përmes ndryshimeve që kanë nisur te “Kino Lumbardhi”.
“Dance” ka qenë më dinamike e në harmoni me të gjitha instrumentet të cilat po merrnin direksionet nga dirigjenti Gridi Kraja, ndërsa për korin ka qenë Edon Ramadani. Kitarat elektrike kanë qenë pjesë e formacionit e në to kanë luajtur Elvis dhe Gjulian Bytyqi.
Një kapitull tjetër në shpalosjen e “Monades” ka qenë kur skenës i janë bashkuar solistet Anastasia Skenderaj, Urta Haziraj, Elonë Sadiku dhe Andra Rexhepi. “Lullaby” ka qenë një ninullë arbëreshe të cilën kompozitori e ka marrë nga arkivat e jugut të Italisë. “Nina-nana” kanë qenë fjalët e përsëritura nga interpretimi i sopranos Skënderaj, dhe që është përcjellë me vokal nga solistet Haziraj, Sadiku dhe Rexhepi. Për sopranon Skënderaj, koncerti sa ka qenë sfidues, ka qenë edhe sukses. Interpretimi i “Lullabyt” ka qenë emocion më vete për ardhjen në jetë të një fëmije në familjen e saj. “Të dyja pjesët janë shumë të bukura, kanë karakter komplet të kundërt, kontraste shumë, ndoshta më ka emocionuar pak më shumë ‘nina-nana’, dje jam bërë hallë dhe kam dashur që ashtu t’ia dedikoj një të porsalinduri. Ka qenë vërtet shumë emocionuese, pastaj ‘Kyrie’ ka një karakter komplet tjetër dhe ka bukurinë e saj”, është shprehur ajo.
Tingujt tejet të lehtë të violinës kanë qenë karakteristikë e këtij koncerti e në veçanti të pjesëve “Mantra” dhe “Arka”. Tingujt e qartë të secilit instrument jo shpesh ndërthurnin tingujt të gjithë bashkë. Multimedia si pjesë e suitës “Monade” ka ofruar pamjet e perëndimit të diellit derisa kori kameral “Dardanica” i përgatitur nga Edon Ramadani ka interpretuar këto dy pjesë. Si pamjet e diellit që fshiheshin nga sipërfaqja, ashtu përhumbej edhe drita e drejtuar nga formacioni që ka interpretuar.
Në përgjithësi, suita simfonike për piano, orkestër, kor, solistë dhe multimedia ka qenë edhe gërshetim i gjuhëve e kulturave. Gjuha si mjet kryesor për komunikim ka përçuar tek publiku diversitetin e të folmes në qytetin historik të Prizrenit duke prezantuar katër gjuhët. Pjesë të interpretimeve kanë qenë portretizimi i zhurmave të zakonshme në rrugët e qytetit e në veçanti për interpretimet nëpër rrugë me tupan, violinë e klarinetë. Partiturat e pjesës “Arke” kanë qenë gërshetim tradicional ku rrallëherë ndërhyn klasikja, pa mundur për të depërtuar. Ka qenë si komunikim për muzikën e përhapur popullore e qytetare në qytetin e kulturave të shumta. Interpretimi dramatik dukej se përfundonte me tingullin e disqeve. Sa shkonin e shuheshin jehonat e tyre, më shumë dëgjoheshin tingujt e lehtë të violinave, e ato i kanë pasuar tingujt e pianos të nxjerrë mjeshtërisht nga poli-instrumenisti Robert Bisha.
Tenori Etrit Nuha dhe sopranoja Anastasia Skënderaj kanë interpretuar pjesën e përcjellë me vokal edhe nga anëtarët e Korit. “Shamanik” ka qenë pjesa e fundit me të cilën është mbyllur koncerti. Ka qenë pjesa më dinamike nga të gjitha ku tupani ka kumbuar në krejt hapësirën e "Kino Lumbardhit".
Kori ka përcjellë me vokal e në këtë pjesë kanë dominuar më shumë frymorët.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, e ka vlerësuar premierën “Monade” si projekt tejet të veçantë dhe si vepër që institucioni i muzikës klasike nuk ka pasur rast ta ketë. “Kompozitori Robert Bisha ka sjellë një vepër shumë të veçantë me kontraste të mëdha në tematikë, orkestrim, në përfshirjen e shumë monumenteve, vokalit, videoprojeksionit, korit, solistë. Natyrisht se kjo përvojë do të mbetet një gjë e rëndësishme që si Filharmoni të realizojmë vepra kaq komplekse si kjo”, ka thënë Jashari. Ai ka njoftuar se pas disa ditësh, Filharmonia do të udhëtojë për në qytetin e Izmirit në Turqi. “Në kuadër të një festivali ballkanik jemi të ftuar nga qyteti i Izmirit, ku me dirigjentin Gridi Kraja do të prezantojmë një program të larmishëm me kompozitorë botërorë dhe kosovarë”, ka thënë Jashari derisa muajin shtator e ka vlerësuar si eksperiencë të veçantë me gjithë aktivitetet të cilat e bëjnë të veçantë fillimin e këtij sezoni koncertal.