Kulturë

“Në kërkim të Venerës”, kandidati i Kosovës për “Oscar”

“Në kërkim të Venerës”, me skenar dhe regji nga Norika Sefa, është filmi me të cilin Kosova synon çmimin e madh “Oscar” për vitin 2023. Lajmin e ka bërë të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës nëpërmjet komunikatës për media të mërkurën vonë.

“Përveç rrugëtimit të suksesshëm në festivale, ‘Në kërkim të Venerës’ përfaqëson autenticitetin, por edhe shumëllojshmërinë tematike që trajton kinemaja kosovare viteve të fundit. Në mënyrë të pashembullt filmi të bën të vëzhgosh nga distanca, përderisa në të njëjtën kohë të lidhë me secilin personazh. Ne besojmë se bota ka nevojë për filmbërës autentikë, dhe qasja e gjuha unike e Norika Sefës e bën filmin një kandidat të denjë për këtë garë”, shkruhet në vlerësimin e Komitetit Selektues të Kosovës për përzgjedhjen e kandidatit të Kosovës për “Academy Award”. Komiteti selektues i aprovuar nga Akademia e Çmimeve “Oscars” ishte i përbërë nga kineastët nga Kosova: Ismet Sijarina, Blerta Basholli, Samir Karahoda, Visar Morina, Alban Ukaj, Valmira Hyseni, dhe Enis Saraçi.

“Në kërkim të Venerës” sjell rrëfimin e adoleshentes Venera (Kosovare Krasniqi) që jeton në një qytet të vogël në Kosovë. Në shtëpi ku bashkohen tre breza ajo nuk gjen privatësi.

“Jam veçanërisht i gëzuar që ‘Në kërkim të Venerës’, një jetë-botë e një adoleshenteje e krijuar mjeshtërisht, dhe një vepër thuajse fiksion etnografik shqisor i një fshati të vogël, është zgjedhur të përfaqësojë Kosovën në platformën më të madhe të kinemasë në botë”, citohet të ketë thënë Lum Çitaku, zëvendësues i drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës pas vendimit të Komitetit Selektues.

Është hera e nëntë që Kosova synon çmimin “Oscar” në atë që quhet kategori ndërkombëtare. Vitin e kaluar i suksesshëm qe rrugëtimi i vendit deri te ky çmim, kur me “Zgjoi” të Blerta Bashollit u fut në listë të ngushtë, por që nuk u kurorëzua me nominim.

“Në kërkim të Venerës” është filmi i gjatë debutues i regjisores Norika Sefa. Tek ndjek jetën e trazuar të vajzës fjalëpakë, në një familje tradicionale shqiptare duket mision i zorshëm arritja e pavarësisë. Përplasjet midis gjeneratave janë të pashmangshme. Kështu regjisorja Sefa, nëpërmjet filmit të saj vë në pikëpyetje sesi është të rritesh në një shtëpi ku jetojnë tri gjenerata, e që për shumë kultura tingëllon si diçka e pamundur. Sidoqoftë, nga kritikët ky film i metrazhit të gjatë shihet si rrëfim universal. Një reflektim se çfarë do të thotë adoleshenca, një përmbledhje e kërkimit drejt individualitetit.

“Në kërkim të Venerës” u dha premierë botërore në shkurtin e vitit të kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam (IFFR), ku mori çmimin “Special Jury Award" në kategorinë “Tiger Competition”. Ky film bëri që për herë të parë në historinë e festivalit të njohur të filmit, një projekt kineast nga Kosova të përfshihet në garën zyrtare dhe të shpërblehet. Në gushtin e atij viti u dha premierë kombëtare në “PriFest” në Prishtinë, por audiencës vendore iu rikthye edhe në janarin e sivjetmë, kur nisi të shfaqej nëpër kinema. Ndër të tjera, ky film mori dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Hong-Kongut, për “Regjinë më të mirë” e për “Aktoren më të mirë” (Kosovare Krasniqi). Po kjo aktore rrëmbeu çmimin edhe në edicionin e 36-të të Festivalit prestigjioz të Filmit në Valencia. E në gusht të 2021-s, në edicionin e 27-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, “Në kërkim...” u shpërblye me atë që njihet si “Përmendje speciale për barazi gjinore”. Sivjet historinë e sukseseve e hapi në edicionin e 33-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Trieste, ku mori çmimin “Cineuropa”. Po aty “Pa vend” i Samir Karahodës mori çmimin për filmin më të mirë të shkurtër. Për filmin e Sefës, portali prestigjioz evropian i themeluar më 2002, “Cineuropa” do t'ia ndante çmimin produksionit të Kosovës e Maqedonisë Veriore, “sepse midis gamës së filmave të shkëlqyer në këtë seksion, një film spikati vërtet për cilësitë e tij të ndryshme kinematografike”.“’Në kërkim të Venerës’ është mbresëlënës në sinqeritet dhe saktësi. Regjisorja Norika Sefa ka arritur të portretizojë kompleksitetin e dy personazheve kryesore, të luajtura në mënyrë madhështore nga aktoret Kosovare Krasniqi dhe Rozafa Çelaj”, shkruhej në motivacion. Aty, po ashtu, cekej se duhet të përshëndetet puna e Luis Armando Arteaga, drejtorit të fotografisë, që e bëri të shkëlqejë këtë film të bukur të moshës madhore në ardhje.

Në këtë film me producent Besnik Krapin, pos Kosovare Krasniqit e Rozafa Çelajt, luajnë edhe: Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj e të tjerë.

Më 2020, Kosova për çmimin e madh kandidoi filmin “Exile” të Visar Morinës. Më 2019, propozoi filmin “Zana”, nën regji të Antoneta Kastratit, më 2018 qe “Martesa”, nën regji të Blerta Zeqirit, “T’padashtun”, nën regji të Edon Rizvanollit më 2017, “Home Sweet Home” të Faton Bajraktarit më 2016, “Babai” i Edon Rizvanollit më 2015, dhe “Tri dritare dhe një varje” i Isa Qosjes më 2014. Suksesi i madh i Kosovës deri më tani drejt “Academy Awards” mbetet nominimi për “Oscars 2016” i filmit “Shok” i Jamie Donoghue në kategorinë e filmave të shkurtër.