Kulturë

Për herë të parë në “Manifesta” dhe në Kosovë

Për çdo ditë në qendër, pranë hotelit “Grand” organizohen guida turistike të shtrira në shumë lokacione të tjera si në atë që është pjesa e vjetër e qytetit duke përfshirë Muzeun Kombëtar, sheshin “Adem Jashari”, Muzeun Etnologjik, e më pas kampusin Universitar nga Biblioteka Kombëtare e Galeria Kombëtare drejt Fakulteti Filozofik e të Arteve, nga Pallati i Rinisë, ish-objekti i “Rilindjes” deri te Korridori i gjelbër e ish-Tulltorja. Bëjnë pjesë edhe objekti i ish-Gërmisë, “Kino Rinia” e Qendra për Praktikë Rrëfyese

Para se “Manifesta” të niste rrugëtimin e 14-të në Prishtinë, turistët fluksi i turistëve në kryeqytet ka qenë më i vogël. Mirëpo një fluks që vërehet, duket të jetë pikërisht shkaku i Bienales Nomade Evropiane. Për çdo ditë në qendër, pranë hotelit “Grand” organizohen guida turistike të shtrira në shumë lokacione të tjera si në atë që është pjesa e vjetër e qytetit duke përfshirë Muzeun Kombëtar, sheshin “Adem Jashari”, Muzeun Etnologjik, e më pas kampusin Universitar nga Biblioteka Kombëtare e Galeria Kombëtare drejt Fakulteti Filozofik e të Arteve, nga Pallati i Rinisë, ish-objekti i “Rilindjes” deri te Korridori i gjelbër e ish-Tulltorja. Bëjnë pjesë edhe objekti i ish-Gërmisë, “Kino Rinia” e Qendra për Praktikë Rrëfyese.

E në njërën prej guidave të qytetit të vjetër, shumica e turistëve e kanë përjetuar për herë të parë “Manifestan” pikërisht në Prishtinë, duke shënuar edhe ardhjen e parë në Kosovë. Njëri nga ta ishte edhe austriaku Rudolf Hemetsberger, i cili si shumë turistë të tjerë u stacionua pranë Muzeut Kombëtar të Kosovës. Në katin ku janë të vendosura eksponante nga periudha e historisë më të re të Kosovës, luftës së fundit e pavarësisë, turistët patën rastin ta përjetojnë ekspozitën “Final Forest” nga artisti Sahej Rahal si instalacion, që bashkon skulpturën, videot e vizatimet dhe përshkruhet si përballje midis të kaluarës indiane dhe perspektivave të së ardhmes.

Pak metra më tutje kësaj pjese, një kalim në këmbë i rrugës dhe përpara vetes turistët nga vende të ndryshme të Evropës patën monumentin e heronjve të lëvizjes nacionalçlirimtare, i njohur si “Trekëndëshi”. Aty ku tash e një kohë, ngjyra gri është zëvendësuar me ngjyrën e ndezur dhe të dallueshme të artistit Ugo Rondinones. Në secilën prej objekteve që vizitojnë, janë stafi i “Manifestas” ata që japin detaje jo veç të ndërhyrjeve të artistëve, por edhe sjellin retrospektivën historike të objekteve e periudhave të ndryshme të Kosovës.

Pikërisht për këtë pjesë, vetë austriaku që ka studiuar drejtësi e filozofi në Universitetin e Vjenës, ka treguar se ka dëgjuar shumë propagandë.

Image
Hamami i Madh i Prishtinës pos që është hapur, brenda ka marrë ngjyrë të kuqe përmes veprës së artistes Chiharu Shiota, “Tell me your story”. Rrëfime personale të shumë personave janë të ngjitura përmes fijeve të kuqe, të cilat simbolizojnë gjakun, trupin dhe marrëdhëniet njerëzore

“Nëse bëhem i sinqertë, plot gjëra të këqija. Kam dëgjuar se është vend i luftës ku ndodhin gjëra të këqija. Gjithmonë e kam njohur si pjesë e një regjioni në botë që ka ngjarje të këqija dhe që njerëzit kanë nevojë”, ka thënë ai për përshtypjen që ka pasur për Kosovën.

Mirëpo, pikërisht ardhja dhe njohja e drejtpërdrejtë me vendin e njerëzit i ka bërë që mendimi t’u ndryshohet.

“Por tash e shoh se ka liri, njerëzit po e shijojnë jetën. Arti po ndodh këtu. Jam shumë i befasuar për të mirë”, ka thënë Hemetsberger. Mendimi më ka ndryshuar në momentin e parë të ardhjes. Janë shumë paragjykime por tash e shoh se s’janë të vërteta”, ka thënë ai.

Pretekst për ardhjen në Kosovë e pati “Manifestan” edhe fotografi nga Parisi, Theophile Parat.

“Me shoqen time kemi dashur të vijmë këtu. Ajo më tha: është ‘Manifesta’, duhet të shkojmë, është koha e duhur”, ka treguar ai. “Jemi njoftuar me një pjesë të stafit dhe personi i parë që e kemi njohur na tha: ‘Kjo është ngjarja më e mirë që ka ndodhur në Kosovë, ndoshta në gjithë historinë’. Dhe thamë që ia qëlluam”, ka thënë ai.

Me aparatin e tij tenton të përjetësoj në fotografi momente të shkrepura nga një prej ndërtesave që kanë qenë të mbyllura deri me hapjen e Bienales. Hamami i Madh i Prishtinës pos që është hapur, brenda ka marrë ngjyrë të kuqe përmes veprës “Tell me your story”. Rrëfime personale të shumë personave janë të ngjitura përmes fijeve të kuqe, të cilat simbolizojnë gjakun, trupin dhe marrëdhëniet njerëzore.

“Është impresive. Po përshtatet shumë mirë me hapësirën, gjithashtu edhe narracioni i saj. Si një vend që ka pasur ndarje të përvojave të përbashkëta”, është shprehur ai për veprën artistes me nam në botë, Chiharu Shiota.

Në anën tjetër Parat ka treguar se para ardhjes në Prishtinë nuk ka dëgjuar asgjë për Kosovën. Madje as s’ka gjetur guida për të blerë nëpër dyqane të guidave turistike.

“Kemi qenë në Tiranë dy vjet më parë, ka pasur njerëz të mrekullueshëm, pritja ka qenë fantastike, kam kujtime shumë të mira dhe të njëjtën e gjej këtu”, ka thënë ai.

Një nga gjërat që çmon më së shumti në Kosovë banori i Kasselit të Gjermanisë, Lukas Laudage është rinia dhe diversiteti.

“Gjëja që më pëlqen më së shumti në ‘Manifesta’ është fakti i shprehjes së mundësive të gjërave që mund të ndodhin këtu ose në regjione të tjera. Është shumë ndihmuese dhe motivuese për t’u fokusuar në gjëra që mund të ndodhin, në vend të kujtimit të gjërave që kanë ndodhur dikur dhe nuk ekzistojnë më”, ka thënë ai.

Nga disa prej vendeve që ka parë Lukas Laudage veçon ish-Tulltoren.

“Jam impresionuar nga fabrika e tullave për historinë e saj, perspektivën e saj për të ardhmen, mund të ketë një të ardhme të ndritshme nëse veprohet me të tutje”, ka thënë Laudage.

Ndërkaq Adelina Ismaili që u ka prirë turistëve në emër të “Manifestas”, ka treguar se interesimi është tejet i lartë.

“Kemi pasur disa vizitorë, sidomos që kanë ardhur nga jashtë. Janë shumë të interesuar dhe vijnë enkas për ‘Manifestan’ e janë për herë të parë në Kosovë e në Ballkan”, ka thënë ajo Ismaili.

Ka treguar se “Manifesta” është mundësi shumë e mirë për të njohur të kaluarën dhe gjendjen e tanishme të Kosovës në rrafsh ndërkombëtar.

“Turistët po thonë se do të kthehen prapë jo veç për Prishtinën por për të shkuar edhe në Pejë, Prizren..,”, ka thënë ajo. Në fillim të muajit stafi i “Manifestas” ka njoftuar se kanë pritur mbi 30 mijë vizitorë. Hapësirat ku ka ndërhyrë Bienalja mund të vizitohen pa biletë.