Duke i paraqitur organizatat dhe individët vetëm si shifra, Komuna e Prishtinës ka ngjallur reagime sa i përket transparencës së vlerësimit të projekteve kulturore. Kurse goditja që u ka dhënë disa prej bartësve kryesorë të jetës së pavarur kulturore në kryeqytet është një tjetër fakt që ka nxitur reagime të forta. Fillimisht Komuna nuk e ka publikuar listën e projekteve fituese derisa ka kaluar më shumë se gjysma e vitit. Sipas listës së publikuar të mërkurën, Komuna ka vendosur që të financojë 245 nga 401 projekte që kanë aplikuar. Por publikimi i listës ka nxitur reagime
Komuna e Prishtinës ka zgjedhur që ta publikojë listën e projekteve fituese të thirrjes publike për kulturë, por njëkohësisht “të mos e publikojë atë”. Duke i paraqitur organizatat dhe individët vetëm si shifra ka ngjallur reagime sa i përket transparencës së procesit. Kurse goditja që iu ka dhënë disa prej bartësve kryesorë të jetës së pavarur kulturore në kryeqytet është një tjetër fakt që ka nxitur reagime të forta.
Fillimisht Komuna nuk e ka publikuar listën e projekteve fituese derisa ka kaluar më shumë se gjysma e vitit. Shumë prej organizimeve veç kanë përfunduar aktivitetin për sivjet ende pa e ditur se cila do të jetë përkrahja e institucionit lokal.
Sipas listës së publikuar të mërkurën, Komuna ka vendosur që të financojë 245 nga 401 projekte që kanë aplikuar. Por publikimi i listës ka nxitur reagime.
Qendra “Multimedia” është një prej bartësve kryesorë të jetës së pavarur kulturore në kryeqytet. Kjo organizatë pos aktivitetit teatror merret edhe me letërsi. Nga Komuna kishin kërkuar 24 mijë euro për aktivitet vjetor. Por Komuna ka vendosur që t’i ndahen 4 mijë euro.
“Improvizim. Tallje me skenën kulturore. Hile dhe mostransparencë. Fyerje. Ja, këto janë krejt fjalët që po me bien ndërmend në lidhje me rezultatet e tyre të konkursit publik. E pabesueshme se si dinë të bëjnë një hap para e dy mbrapa”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq qendrën “Multimedia”. Sipas tij, është e pabesueshme se si akoma Komuna nuk e kupton që duhet të jetë e hapur e transparente në skenën kulturore, por edhe me publikun.
“Mjerim se sa pak buxhet ndahet për kulturën. Mjerim edhe më i madh se si ndahet ai buxhet. Thjesht, nuk kam fjalë”, ka thënë Neziraj.
KOHA i ka kërkuar disa sqarime nga Komuna pas publikimit të listës së rezultateve. Institucioni nuk është përgjigjur sa u përket emrave të jurisë vlerësuese, për publikimin e shifrave në vend të emrave të organizatave e individëve e as për ankesat dhe mundësinë që sivjet të ketë tjetër thirrje publike.
Aktori Astrit Kabashi ka kërkuar publikisht anulimin e krejt procesit.
Ai ka thënë se ka reaguar, sepse i është dukur e padrejtë ndarja e mjeteve e po ashtu edhe kur nuk dihet se kush janë përfituesit, por janë publikuar vetëm shifra.
“Të bëjnë me dyshu që diçka nuk është në rregull. Pastaj kam disa ish-studentë aktorë të rinj që kanë aplikuar për një shfaqje dhe u kanë ndarë 2000 euro. Kjo është qesharake. Gjithashtu kam kërkuar të di jo veç unë, por edhe të tjerë nga komuniteti se kush ka qenë në jurinë financiare”, ka thënë ai.
“Shfaqja me e lirë në Teatrin Kombëtar në skenën e vogël shkon deri në 15 mijë euro. Kurse Komuna është tallur me aplikantët”, ka thënë Kabashi. Aktori nuk qe konkurrent me ndonjë projekt në këtë thirrje publike. Por në projektin e ish-studentëve ka figuruar si regjisor.
“Shumë dëshpëruese, sidomos për artistët e rinj”, ka thënë ai.
Problem më vete e ka përshkruar vonesën e shpalljes së rezultateve bashkëdrejtuesja e festivalit “Chipin Piano Fest”. Festivali veç e ka përfunduar edicionin e sivjetmë ende pa e ditur se cila do të jetë përkrahja e Komunës.
“Nuk kam qenë e kënaqur me vonesën. Ne e kryem festivalin e tek tash po e dimë shumën, por kam qenë e sigurt në mbështetje për shkak të nivelit të festivalit”, ka thënë Luzha. “Chipon Piano Fest” është përkrahur me 10 mijë euro. Por Luzha thotë se bazuar në nivelin e këtij edicioni mbështetja është dashur të jetë maksimale, 16 mijë euro sa është edhe shuma më e madhe që e ndan Komuna.
“Megjithatë, besoj se jemi të kënaqur që nuk jemi dëmtuar me përkrahje më të vogël, meqë Festivali vazhdimisht po ngrihet në cilësi e në sasi”, ka thënë Luzha.
Komuna ka përkrahur projekte të festivaleve, projekte muzikore, shoqëri kulturore e artistike, projekte të trashëgimisë muzikore e të turizmit. Po ashtu janë përkrahur edhe projekte në art vizual, botime e projekte teatrore. Pas publikimit të listave reagimet në rrjete sociale kanë qenë të shumta. Midis tyre ka botues që pos ankesave kanë paralajmëruar edhe padi.
© KOHA Ditore
Folegj: KOHA i ka kërkuar disa sqarime nga Komuna pas publikimit të listës së rezultateve. Institucioni nuk është përgjigjur sa u përket emrave të jurisë vlerësuese për publikimin e shifrave në vend të emrave të organizatave e individëve e as për ankesat dhe mundësinë që sivjet të ketë tjetër thirrje publike